Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Austri, ndalesë e cila erdhi pas ftesës së homologut të tij, kryetarit të Bashkisë së Vjenës, Michael Häupl.
Në takimin me homologun vienez, Veliaj diskutoi mbi zhvillimet në kryeqytetin shqiptar dhe prioritetet e punës së tij, pas më shumë se një viti në detyrë. Në bisedën mes tyre, u vu në fokus të veçantë politika e ndjekur nga Bashkia e Tiranës për planifikimin urban, por edhe për çështje të strehimit social. Kryebashkiaku i Tiranës u njoh më nga afër me praktikën e ndjekur nga Bashkia e Vjenës dhe eksperiencën e saj në këto fusha.
Kryebashkiaku i Vjenës, Michael Häupl vlerësoi punën e bërë nga homologu shqiptar për menaxhimin e kryeqytetit të Shqipërisë. Vizita e kryebashkiakut Veliaj në Vjenë erdhi në kuadër të një fushate të gjerë për të promovuar Tiranën si një destinacion i mirë investimesh dhe turizmi.
Prej një viti, kryebashkiaku Veliaj ka nisur një fushatë ambicioze për promovimin e kryeqytetit shqiptar. Para ndalesës në Austri, Veliaj ka zhvilluar një tur edhe në Gjermani, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinë.