Nga Uendi Orent
Në çfarë analesh është lexuar ndonjëherë që shtëpitë mbetën të zbrazëta, qytetet e shkretuara, fshatrat e lëna pas dore, fushat shumë të vogla për të vdekurit, dhe një vetmi e frikshme e universale mbi gjithë Tokën? Oh… njerëzit e lumtur të së ardhmes, që s’i kanë njohur këto mjerime, dhe ndoshta do të kategorizojnë dëshminë tonë tek përrallat. (Petrarka)
Poeti mesjetar italian Petrarka, ishte parashikues teksa përshkruante kasaphanën që shkaktoi Vdekja e Zezë në vitin 1348. Sot, ne s’mund të imagjinojmë realitetin ku jetoi ai. Të ndjesh çfarë ka qenë vërtetë ajo sëmundje, duhet të imagjinojmë që një e treta e njerëzve që njohim, apo qenieve njerëzore që shohim duke ecur nëpër rrugë, të zhduket papritur.
Bota e njohur me një të tretën më pak të njerëzve në një hapësirë kohore 6-vjeçare, është diçka e pamendueshme. Dhe kjo ka ndodhur vetëm një herë në histori. Gjatë kasaphanës, nuk kishte vende për të varrosur të gjithë trupat; njerëzit e sëmurë do të qëndronin të braktisur në rrugë, ose shtriheshin trotuareve, duke gulçuar deri sa jepnin shpirt. Ju do të takonit një mik për drekë; në mbrëmje ai do të kishte vdekur, duke darkuar me etërit e tij në Parajsë, sikurse shprehej poeti italian Bokaçio.
Ju s’do ta dinit kurrë se cilin do të godiste sëmundja në të ardhmen – gruan, fëmijët, miqtë, prindërit tuaj apo ju vetë. Një enjtje e madhe dhe tepër e dhimbshme mund të shpërthente në krahun apo nën ijet tuaja, ose më keq akoma mund të ndiheshit mirë një moment dhe pas një minute të fillonit të pështynit gjak. Dhe kjo e fundit ishte gjithnjë fatale.
Ka pasur epidemi të tmerrshme edhe më herët:Murtaja Athinase e vitit 430 P.E.S, e cila dhjetoi Athinën e Perikliut (ndoshta e shkaktuar nga tifoja); Murtaja Antonine e viteve 165-180 E.S, e cila shkaktoi pasoja dramatike në Perandorinë Romake të Mark Aurelit, dhe e cila me gjasë mund të jetë shkaktuar nga lija; dhe më famëkeqja, Murtaja Justiniane e vitit 541 E.S, që vrau miliona njerëz, duke u përhapur rreth Mesdheut dhe deri në Francë, Gjermani dhe ndoshta Ishujt Britanikë.
Ashtu si Vdekja e Zeza, Murtaja Justiniane – mban emrin e perandorit bizantin Justinian që pothuajse vdiq nga sëmundja – u shkaktua nga bakteri i murtajës ‘Yersinia pestis’. Por dinamikat e Vdekjes së Zezë dhe Murtajës Justiniane, qenë të ndryshme. Kjo e fundit godiste në mënyrë të rastësishme, dhe jo në mënyrë sistematike si Vdekja e Zezë. Shumica e të dhënave sugjerojnë se nuk ka qenë tepër ngjitëse; dhe me siguri nuk shfarosi një të tretën e botës së njohur, ndonëse numri i vërtetë i të vdekurve është i pamundur për t’u konstatuar.
Murtaja Justiniane është e njohur sot si Pandemia e Parë; Vdekja e Zezë (Pandemia e Dytë) e pasuar rreth 800 vjet më vonë, ndërmjet viteve 1346- 1353. Pandemia e Tretë filloi në Kinë, në fund të shekullit XIX-të dhe u përhap në Afrikë dhe të dyja Amerikat, ku ende shkakton herë pas here shkakton infektimin e njeriut. Gjatë një periudhe 30-vjeçare, Pandemia e Tretë vrau rreth 12 milionë njerëz vetëm në Indi, por me përjashtim të disa shpërthimeve të dhunshme por jetëshkurtra të murtajës pneumonike në Azinë Qendrore, ajo qe krahasimisht më e ngadaltë në krahasim me paraardhëset e saj.
Çdo murtajë është vdekjeprurëse. Forma e patrajtuar bubonike – e transmetuar nga pleshtat nëpërmjet lëkurës, dhe e dallueshme për shkak të enjtjeve të mëdha të gjëndrave limfatike të quajtura buboes – vret rreth 60 përqind e atyre që preken. Ky është versioni i butë. Murtaja pneumonike, apo e mushkërive, transmetohet nëpërmjet ajrit nga një person tek një tjetër, dhe vret afërsish 100 përqind të të sëmurëve.
Për të kuptuar dallimin ndërmjet pandemive të ndryshme, është e rëndësishme të kuptohet se virulenca (vdekshmëria) dhe transmetueshmëria (aftësia për t’u përhapur nga një njeri tek tjetri) nuk janë e njëjta gjë. Vdekja e Zezë nuk ishte vdekjeprurëse sa murtajat e tjera:ajo qe më e transmetueshme. Shpërthente nga qyteti në qytet, nga njëri vend tek tjetri.
Ajo shfarosi familje të tëra; disa varrosën të gjithë fëmijët e tyre para se të vdisnin vetë. Mjekët kishin frikë të trajtonin: shumica u sëmurën, dhe shumë prej tyre vdiqën. Murgeshat i merrnin ata që qenë në prag të vdekjes dhe i ushqenin, derisa shkonin vetë drejt vdekjes së sigurtë ose në qiell. Burrat morën kuajt dhe u larguan, derisa sëmundja i mposhtit dhe ata pak ditë më vonë. Dhe kështu përhapej murtaja, si një flake zjarri e tërbuar.
Edhe pse pandemitë ndodhin rastësisht, ato s’ndodhin pa shkak. Gjithçka fillon me një nga më mikrobet më virulente të të gjitha llojeve në formën më të egër të transmetimit, e aftë për t’u zhvendosur si nëpërmjet ajrit apo edhe nga kontati i pleshtave me qëniet njerëzore. Pastaj përzihen rrethanat e veçanta shoqërore të Perandorisë Mongole, unike për masat e kalorësve mongolë që lëviznin me shpejtësi në të gjithë Azinë Qëndrore dhe më gjerë. Vdekja e Zezë u zgjerua nga një rreshtim i saktë i rrethanave.
Kishte katër yje të errët në qiellin e asaj nate:mikrobe, bujtinari, Perandoria, dhe pleshtat. Pa këto katër yje të errët që ndriçonin në lidhjen e tyre të veçantë, Vdekja e Zezë s’do të mund të ndodhte. Historikja Vdekja e Zezë qe një makth nga e kaluara jonë; një ngjarje që ndodh një herë në botë. Por kur të hartojmë radhitjen e yjeve të saj, ne do të jemi më të përgatitur për të luftuar pandemitë e reja vdekjeprurëse të murtajës, kudo që ato mund të shpërthejnë.
Për shkak se Vdekja e Zezë qe unike, shumë studiues kanë vënë në pikëpyetje nëse ajo u shkaktua tek e fundit nga murtaja. Zoologu Graham Tuig, në librin e tij “Vdekja e Zezë:Një rivlerësim biologjik” (1984), thotë se murtaja që njohim thjesht nuk mund të përhapet aq shpejt sa Vdekja e Zeze. Në atë argument, ai kishte të drejtë. Për fatin e keq të besueshmërisë së Tuig, ai propozoi antraksin e mushkërive si shkaktarin e Vdekjes së Zezë, duke injoruar faktin se antraksi nuk është një sëmundje e lidhur me mushkëritë.
Dy studiues në Universitetin e Liverpulit, i ndjeri Kristofer Dankan dhe Suzan Skot, propozoi një virus të ngjashëm me Ebolan si keqbërës. Megjithatë, as modeli i transmetimit dhe as ai i simptomave të përshkruara nga distanca i përngjajnë Ebolës, apo ndonjë etheje hemorragjike. As antraksi dhe as Ebola nuk rrjedhin nga mushkëritë; ato mund të depërtojnë në mushkëri për t’iu sëmurur, por s’mund të dalim më prej andej.
Ka patur ndërkohë edhe skeptikët e tjerë, si historiani Samuel Kon nga Universiteti i Gllasgout, i cili analizoi përhapjen e Vdekjes së Zezë nga qyteti në qytet, nga njëri vend në tjetrin, dhe vinte theksin mbi një pikë të pakundërshtueshme: Vdekja e Zezë përhapet më shpejt se murtaja sot. Keneth Gejxh, një ekologjist i murtajës në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Fort Kolins të Kolorados në SHBA, më tha në vitin 2003, teksa isha duke punuar mbi librin tim, se po vinte koha kur askush nuk do të besonte që Vdekja e Zezë ishte shkaktuar nga murtaja.
Por në vitin 2004, një ekip studiuesish francezë analizuan ADN-në e lashtë të marrë nga tuli e skeleteve të dhëmbëve nga varrezat e Vdekjes së Zezë, dhe zbuluan prova bindëse gjenetike të Yersinia pestis. Në vitin 2011, një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga Hendrik Poinar i McMaster University në Hamilton të Ontarios në Kanada, përdoriADN e lashtë për të zhvilluar një plan gjenetik të patogjenit të Vdekjes së Zezë. Nuk kishte asnjë gabim:Vdekja e Zezë ishte murtaja.
Ky është ylli i parë errët:Yersinia pestis. Murtaja është sëmundja bakteriale më vdekjeprurëse që ka njohur njerëzimi. Projekti Poinar nuk zbuloi gjene të veçanta për virulencën e shtuar, dhe nuk zgjidhi misterin thelbësor që rrethon Vdekjen e Zezë:po çfarë e bëri atë shumë më të keqe se të gjitha shpërthimet e tjera të murtajës dhe epideminë më vdekjeprurëse nga të gjitha? Poinar propozoi që egërsia dalluese e Vdekjes se Zesë, shpjegohet me varfërinë dhe pisllëkun e botës mesjetare dhe jo vetë mikrobin.
Por ai ka të ngjarë ta ketë gabim. Për të kuptuar fuqinë e Vdekjes se Zezë, ne duhet të kërkojmë diku tjetër – tek marmotat, preja e saj origjinale dhe ylli i dytë i errët. Ne e dimë që Vdekja e Zezë filloi në Azinë Qëndrore, thuajse me siguri në mesin e marmotave – brejtësit e mëdhenj intensivisht sociale, të cilat gjuheshin shpesh nga njerëzit. Marmotat ishin kaq të kudogjendura dhe karakteristike, sa që udhëtari i njohur Marko Polo iu referua atyre si “minjtë e Faraonit”.
Ato ishin burimi i tre shpërthimeve të mëdha të murtajës pneumonike të shekullit XX:dy murtajat e njohura Mançuriane të vitit 1910 dhe 1920 (që vranë respektivisht 60.000 dhe 10.000 njerëz), dhe një shpërthim i tretë më pak i njohur në vitet 1917-18 në Shanzi të Kinës (që vrau rreth 16.000 njerëz).
Në fakt analiza e Poinar, sugjeroi rëndësinë e marmotave tek Vdekja e Zezë. Variantet moderne të murtajës së marmotës, përmbajnë gjene që i lejojnë të “fermentojnë glicerinën” – që është përdorimin i një blloku yndyre, i cili gjendet tek kafshët që gjenetojnë. Marmotat vegjetojnë, dhe mikrobet e murtajës mund të qëndrojnë tek kafshët e përgjumura, pa e vrarë bujtinarin e tyre. Në pranverë, kur marmotat zgjohen, zgjohet edhe infeksioni duke e sëmurur marmotën dhe prekur pleshtat e saj me gjakun e ndotur me mikrobe.
Shumë variacione moderne, veçanërisht ato që rrjedhin nga minjtë, të cilët nuk vegjetojnë, s’mund të fermentojnë glicerinën. Interesant është fakti që gjenomi i rindërtuar nga Poinar, tregon se variacionet e lashta të Vdekjes së Zezë mund të fermentojnë glicerinën, një tjetër dëshmi e origjines së Vdekjes së Zezë tek marmotat. Mjeku Vu Lien-teh vuri në dukje në fillim të shekullit XX, se infeksionet nga murtaja e marmotës, të përhapura më pas nga pleshtat, zotërojnë një aftësi të pazakontë për të depërtuar deri tek mushkëritë e njerëzve dhe provokuar një shpërthim pneumonik.
Ylli i tretë i errët është Perandoria. Dëshmitë e mbijetuara nga kohët mesjetare, e vendosin origjinën e Vdekjes së Zezë në “Lindje” ose “Tokën e Errësirës” – një referencë për Azinë Qendrore, ose ndoshta Kinën. Varret më të hershme të zbuluara ndonjëherë me të vdekur nga murtaja, u zbuluan në shekullin XIX nga arkeologu rus Daniel Abramoviç Çuolson në një territor që sot i përket Kirgistanit, dhe që daton rreth vitit 1339 – pak para se Vdekja e Zezë të shpërthente në të gjithë Azinë dhe Evropën.
Vdekja e Zezë u përhap nëpër fshatrat e vegjël dhe vendbanimet normade mongole, duke depërtuar ndërkaq nëpër qytete dhe rajone fermash, përmes ngulimeve të ushtrisë dhe karvanëve, duke shfrytëzuar sistemit e zhvendosjes së shpejtë të mongolëve me anë të kuajve. Ata udhëtuan përmes katër mbretërive të sunduara nga nipat e Xhengis Khanit, dhe murtaja u zhvendos me ta në të gjithë Uzbekistanin, Kazakistan, Persinë dhe në Krime.
Nga atje, ajo u përhap tek tregtarët gjenovezë që fushuan rreth qytetit tregtar të Kafas në Detin e Zi, dhe prej andej në Kostandinopojë mbi Dardanele, Mesdhe, ishujt e Kretës, Sardenjë dhe Siçili, para se të shkonte në Xhenova dhe shpërthente në mbarë kontinentin europian. Si mund të thuhet që të gjitha kushtet sociale dhe ekologjike qenë njësoj, dhe vendet njëlloj të prekshme nga murtaja? Nga të gjitha shpjegimet për Vdekjen e Zezë, në përhapjen e saj pa kriter të saj, kushtet ‘sociale dhe ekologjike’ më duken më të dobëtat. Ju s’mund të krahasoni një lagje të varfër në Londër me një pallat persian, apo një fshat nestorian. Ato qenë shumë të ndryshme.
Por, si është zhvendosur Vdekja e Zezë në mesin e popullatës mongolës? A mbante me vete marmota ushtria mongolem teksa kalëronte nëpër gjithë Azinë? A bartnin tregtarët mongolë në mjetet e tyre të transportin edhe brejtës, sikurse sugjeron historiani Uilliam Meknil në librin e tij “Murtaja dhe Popujt” (1976)? Origjina e Vdekjes së Zezë është ndoshta shumë më e thjeshtë: ajo erdhi nga marmotat dhe gjuetarët e infektuar. Dallimi qe se Vdekja e Zezë ishte e ndryshme në mënyrën se si u përhap.
Ndonëse murtaja është një sëmundje e brejtësve dhe ka një fund bashkë me qeniet njerëzore, Vdekja e Zezë nuk u përhap tek marmotat, por tek njerëzit. Murtaja u përhap shpejt, pasi mongolët kalorës, ylli i tretë i errët në konstelacionin e murtajës, lëviznin shpejt. Transmetimi i shpejtë dhe misterioz i Vdekjes së Zezë, mund të thotë vetëm një gjë – që më së paku është shndërruar në një trasmetues efikas të sëmundjeve të njeriut përmes kuajve.
Rindërtimi i ADN-së nga kërkuesit kinezë, tregon atë që quhet një “politomi”, një lulëzim i shtameve të reja menjëherë pas fillimit të shpërthimit. Disa nga këto shtame ,duket se vdisnin gjenetikisht, por të tjerat i jepnin hov të gjitha shpërthimeve të mëvonshme të murtajës në botën e sotme. Kjo sugjeron jo një proces të devijimit gjenetik, por një përshtatje evolucionare: mikrobet e murtajës i përshtateshin bujtinarit të ri njerëzor.
Që kjo përshtatje është një proces evolucionar, i prodhuar nga veprimi i seleksionimit natyror, në vend se thjesht të një serie mutacionesh të rastësishme e të pakuptimta, është e qartë për gjitha ata që njohin mënyrën se si agjentët e sëmundjeve infektive përshtaten gjithmonë tej bujtinarët e rinj. Robert Brubaker, mikrobiolog dhe ekspert mbi murtajën nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit, është marrë për më shumë se 50 vjet me analizimin e mikrobit të murtajës për
ta detyruar të zbulojë sekretet e saj.
Ai argumenton se mikrobet në përgjithësi nuk zhvillohet për të vrarë bujtinarët e tyre, për shkak se një bujtinar i vdekur ka më pak gjasa të përhapë infeksionin tek një i ri. Epidemiologu evolucionist Pol Iuolld nga Universiteti i Luisvilit, e përcakton më mënyrë të rafinuar këtë problem:tek sëmundjet vektoriale – ato të përhapura nga insektet – një infeksion mund të lëvizë nga një bujtinar i vdekur po aq lehtësisht sa nga një celular në tjetrin sot.
Një mushkonjë apo një plesht mund t’iu kafshojë nëse jeni duke ecur në natyrë plot gjallëri, apo në përpjekje për të kapur një fëmijë, apo kur jeni shtrirë me shpinë mbi dyshekun tuaj. Këtu, niveli i virulencës bëhet i rëndësishëm:çdo kafshë që ka një shkallë më të lartë të bakteremisë (më shumë baktere në gjak, si pasojë e sëmundjes së rëndë) ka më shumë mundësi për t’ia transmetuar këto shtame një pleshti, dhe që andej një bujtinari tjetër.
Kjo do të thotë se seleksionimi natyror do të ushtrojë presion ekstrem, që shtamet e murtajës të transmetueshme nga pleshtat të jenë shumë më të rrezikshme. Nivelet e larta të baktereve në gjak prodhojnë sepsis, ose helmimin e gjakut. Sepsis ka gjithnjë të ngjarë të jetë fatal – për murtajën, normat e vdekjes i afrohet 100 përqindëshit. Por pleshtat nuk do të kafshojnë një bujtinar të vdekur.
Pra të arritur atë nivel mikrobesh në gjak, dhe sërish të parandalojnë vdekjen e shpejtë të presë së tyre, mikrobi i murtajës e zbeh në heshtje imunitetin, duke penguar prodhimin e molekulave inflamatore, të quajtur citokina. Sipas ekspertit të murtajës, Kenet Gejxh, ylli i katërt errët në kupën e Vdekjes së Zezë ishte Pulex irritans, i ashtuquajturi pleshti i njerëzve.
Pulex nuk jeton aq shumë mbi lëkurën apo flokët e njeriut, por në rroba dhe shtrat. Në shekullin XVII, në Londër ditaristi Samuel Pepis përshkruante retë e pleshtave që mundonin udhëtarët që detyroheshin të flinin në çarçafë të palarë. Me këto katër yje të errëta të rreshtuara, ajo që mund të hamendosjmë është kjo:Vdekja e Zezë është shkaktuar nga mokrobi i murtajës Yersinia pestis, që ka evoluar në Azinë Qëndrore. Ai u përhap tek qeniet njerëzore nga marmotat, burimi origjinal vdekjeprurës. Pasi u strehuan tek qeniet njerëzore, mikrobet evoluan me shpejtësi, duke krijuar shtame të reja që qenë më efektive si patogjenë të njeriut, ndonëse askush nuk e di saktësisht se çfarë mutacionesh të ADN-së diktuan ndryshimin.
Efektet e saj janë ende me ne. Dhe marmotat vdekjeprurëse e murtajës ekzistojnë edhe sot. Në vitin 2015, Thomas Zimerman, një studiues që ka punuar në Këshillin Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së në Departamentin e Mbrojtjes, e përshkroi si një kërcënim propozimin e ri ambicioz të Kinës, të quajtur OBOR (“One Belt, One Road”), për të ndërtuar një autostradë gjigande nga Kina jugore nëpër të gjithë kontinentetin aziatik deri në jug të Rusisë dhe Bjellorusisë deri në Poloni, Gjermani dhe më tej në Francë. Tentakulat e projekti mbërrijnë në Uzbekistan dhe Pakistan. OBOR synon të ringjallë Rrugën e vjetër të Mëndafshit, për t’u shitur evropianëve mallra industriale- trena dhe aeroplanë – në vend të mëndafshit, erëzave dhe porcelanit.
Edhe esperti Vladimir Motin e sheh këtë autostradë një rrezik, pasi kalon nëpër habitatin e murtajave më të këqija në Tokë. Shpërthyeshmëria e murtajës së marmotës nuk është zvogëluar. Dhe ato mund të ndodhin sërish në Kinë, Kazakistan dhe vende të tjera me frekuencë të parregullt por dëshpëruese. Lagje të tëra vihen ndonjëherë në karantinë edhe sot e kësaj dite.
Në epokën e antibiotikëve, në çdo epokë të higjienës ku pleshtat e njeriut të mos na mundojnë më, s’ka gjasa të shohim një Vdekje të Zezë të re, por dy prej yjeve të lashtë të errët – murtaja e marmotës dhe një perandori ekonomike e zgjeruar me shpejtësi – ende mund të prodhojnë xhepa shpërthyese sëmundjesh vdekjeprurëse. Edhe me trajtimin më të mirë, rreth 14 për qind e viktimave nga murtajën pneumonike ende vdesin.
Murtaja e marmotës rrëshqet në heshtje dhe me shpejtësi në trenat me shpejtësi të lartë ose në autostrada, nuk do të shkaktojë një Vdekje të re e Zezë, por kjo nuk është një perspektivë e këndshme. Nëse njohim faktorët që çuan në Vdekjen e Zezë, dhe në rast se i kuptojmë plotësisht ato, atëherë ka pak kuptim të lejojmë sërish rreshtimin e dy prej këtyre yjeve vdekjeprurëse.
Shënim: Uendi Orent është antropologe me banim në Atlanta, e specializuar në çështjet e shëndetit dhe sëmundjeve. Ajo është autore e librit “Murtaja: E shkuara misterioze dhe e ardhmja e tmerrshme e sëmundjeve më të rrezikshme në botë” (2012).
“Aeon.co”