Ata do të kenë shtretër të parfumuar, nga ku do të vërejnë lule të çuditshme, re të ngrëna nga petalet e luleve. Mbase do të vdesin dhe do të jetojnë prapë si qenie pasqyrë. Por, jo, unë nuk jam fallxhor, nuk lexoj dhe nuk shkruaj. Thjesht dëgjova se dy dashnorë kaluan në një fazë të re, po sa të vjetër, nën një vello brishtesie, nën vdekje. Dëgjova se vdekja kish kapluar fundit e Luleve të së keqes, se Bodleri kishte shkruar se si vdesin artistë, të varfër e mbi të gjitha dashnorë. Nuk lexova andaj vendosa të ndjej.
Sharl nis vargun e parë dhe përfundon vargun e fundit duke krijuar një metamorfozë mistike, nga materializmi drejt të paprekshmes, ndjenjës ose shpirtit. Gjithçka nis me një peisazh as të thjeshtë e as kompleks, të një arkivoli që na paraqitet si një divan, për të treguar se sa e butë është rruga lartë-poshtë. Na paraqiten lule të çuditshme sepse tani nuk qeshin gëzim por rrëzojnë gjethet dhe veshin nuanca të tjera, vajtojnë. Qielli idealizohet kthjelltësisht e tregon se ruan një bukuri që dheu do ta bëjë të humbasë në verbëri.
Në vazhdim na paraqitet një tablo të ngushtë me dy vizione të së njëjtës ngjyrë. Flakë vezulluese që do të ndriçojë, e do japë dritë. E siç e dimë të gjithë, (përveç atyre që shkenca i ka tmerruar), drita pasqyrohet, drita ka natyrë dyfishe. Në këto pasqyra zemrash e shpirtrash na tregohet vetëm ana valore e dritës sepse ana grimcore vdiq së bashku me trupin e dy të dashurve. Por kjo valë kaq e pastër, e pa induktuar vjen si një rreze e ngritur në të tretë nga e përjetmja, si një afsh i nxehtë zjarri, si një qenie që nuk ekziston.
Bluja dhe roza krijojnë mbrëmjen, e ndoshta të fundit në llojin e vet. Ndoshta materialja peshon më shumë, e arma e fundit është lamtumira. Por çfarë mund ta thyej një zinxhir kaq të fortë? Vdekja, vetëtima, psherëtima; detajet e një fundi që nuk duhet të ishte jo i gjallë . Mbase tani që sytë janë verbuar, dhe bebet, irisët s’do shihen më gjithçka merr fund. Qenka kaq thellë te qenurit i groposur pas ngjyrave blu e rozë të dy syve që tani shohin asgjë?
Gjithçka përmbyset kur vdekja si materiale, si e paprekshme kthehet në hyjnore. Por tanimë na vjen e shuar, dhe mjegulla na shfaqet si pengesë. Këto vargje të Sharlit nuk janë aq linearë sa duken. Teksa vargu rrjedh, gurë zalli çajnë ujin dhe krijojnë vrima të zeza. Vrimat e zeza, yje e galaktika. Në fund pas rrëkesh dhe universesh, vdekja qëndron si mizori e fundme që ringjall pasionin pjesërisht, si lumturi hidhëruese, si verbëri.
Shtrati yne do të jetë i parfumuar
e divanet perreth, të thellë si varre
stolisur plot lule të rralla
mbledhur enkas nëpër qiej.
Duke djegur prushin e fundit,
zemrat tona do bëhen pishtarë
e do hedhin një dritë të dyfishtë
në zemrat tona si dy pasqyra binjake.
Në një mbremje në rozë e blu mistike
ne do të reflektojme të njejtën dritë
përzier plot vaj, rrënkime e lamtumira.
Pastaj një Engjell
duke hapur portat
e qiejve do na ringjallë
e flakët e shuara do rimarrin jetë,
e ne do të jemi përsëri së bashku
besnikë e të lumtur…/ Nga Juxhin Abdiu/Analizë e mendim mbi poezinë “Vdekja e dashnorëve” nga Sharl Bodler