Ushtria osmane ndihmoi Ismail Qemalin të shpallte Pavarësinë

Fatmira NIKOLLI

Dylbitë e Pandeli Calës, syzet dhe vula e Thanas Floqit, ora e dorës, stilografi dhe vula e Luigj Gurakuqit, pena, me të cilën është nënshkruar Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë; xhamadani e ora e Isa Boletinit, aparati telegrafik mors, me të cilin Qeveria e Përkohshme e Vlorës ka marrë e ka dhënë telegrame gjatë periudhës 1912-1914; objekte personale të protagonistëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe më e rëndësishmja 30 flamuj të periudhës së Pavarësisë, foto origjinale të Ismail Qemalit dhe foto të firmëtarëve.

Mes tyre, edhe 14 telegrame mes Ismail Qemalit dhe delegatëve të Kuvendit të Vlorës. Ishte ky thelbi i ekspozitës së çelur dje në Muzeun Historik Kombëtar, një bashkëpunim mes tij dhe Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve të Shqipërisë. Sendet e ekspozuara njiheshin, ndërsa telegramet dalin për herë të parë dhe hedhin dritë mbi letërkëmbimet e Ismail Vlorës dhe delegatëve më 1912.
Shpëtim Sala, drejtues i dhe Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve të Shqipërisë thotë në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se si ka mundur të sigurojë dokumentet, cilat janë risitë dhe hedh dritë mbi një dokument të panjohur që sipas tij vërteton se ushtria osmane në tërheqje më 1912 e ka ndihmuar Ismail Qemalin në Shpalljen e Pavarësisë.
Shpëtim Sala, koleksionist i njohur prej vitesh ka shfaqur për publikun shqiptar, flamuj të rrallë, dokumente e objekte që kanë të bëjnë me figura të njohura historike të të gjithë krahëve.


– 105 vite më pas, si na gjen përvjetori i pavarësisë?
Ne shqiptarët akoma nuk kemi zënë karar me simbolet tona. Shumë diskutohet për flamurin, cili ka qenë. Po të lexosh që nga viti 1914, shtypin e asaj kohe, në mbi 40 shkrime secili thotë që flamuri që u ngrit në Vlorë është i imi. Ka libra me kujtime që thonë të njëjtën gjë. Ka diskutime po ashtu që lidhen me aktin e Pavarësisë a me Himnin Kombëtar. Nuk ka një situatë të qartë të shkruar nga histori jonë e këtyre 105 vjetëve për ngjarjet që rrodhën gjatë 1912-ës, gjatë vitit të Shpalljes së Pavarësisë dhe të 1913-ës gjatë qeverisë së përkohshme të Vlorës.
– 14 telegrame tregojnë përgatitjen për Shpalljen e Pavarësisë, mes tyre edhe një telegram nga Mbreti i ardhshëm, Ahmet Zogu.
Në këtë ekspozitë ne jemi munduar të sjellim 14 telegrame se si Ismail Qemali (Vlora) e organizoi Pavarësinë në Vlorë. Së pari u nisi telegrame përfaqësive të qyteteve të krahinave, që ishin bejlerë e çifligarë të mëdhenj, njerëz me pasuri të madhe që kishin në fakt një mentalitet osman dhe një pjesë e mirë e tyre u shfaqën si atdhetarë të vërtetë në 28 nëntor 1912. Pasi u mblodhën përfaqësitë, caktuan se cilët do të ishin delegatët e Kuvendit të Vlorës dhe në ato telegrame do të shohim se Përfaqësia e Vlorës zgjodhi Ismail Qemalin dhe 4 të tjera, ajo e Lushnjës zgjodhi të vetët dhe kemi disa letra, që këta delegatë i dërgojnë telegram Ismail Qemalit dhe i thonë që se do vijmë. Është telegrami i Ahmet Zogut, që i thotë Ismail Qemalit që është zgjedhur përfaqësues, delegat për krahinën e Matit, pavarësisht se në aktin e Pavarësisë, ai nuk ka firmosur, sepse nuk ishte në Vlorë ngaqë ishte në luftime me serbët në Mat. Ishte në atë kohë 17 vjeç, por meqë i kishte vdekur babai, përfaqësonte Zogollët dhe ata qenë mjaft të njohur në krahinë.


– 105 vite më pas, mes shumë tezash, a u hodh dritë pse nuk u prit Isa Boletini?
Ka teza se ai nuk u prit se bejlerët me qëllim, por jo, Isa Boletini nuk është se ishte i varfër. Ai ishte prijës e atdhetar i shquar, por Kosova ishte e pushtuar nga serbët. Ishte e vështirë të vinin delegatët. E vetmja mundësi që kishin ata që të vinin bashkë me ushtrinë serbe. Ideja është që kanë ardhur përmes Tetovës, Gostivarit kanë mbërritur bashkë me delegatët e Strugës, Ohrit e Tetovës, si Mehmet Pashë Derralla, Abdi Bej Ohri, etj. Bashkë me këta, thuhet që ka ardhur edhe Ismail Qemali. Dikush më parë, dikush me ta, e dikush dy ditë më vonë e është firmëtar. Isa Boleti ka ardhur në datën 30 nëntor sipas dokumenteve që disponoj unë. Ishte çështja e rrugës dhe e pamundësisë për të ardhur në Vlorë.

– Pse nuk kanë dalë më herët këto telegrame?
Është hera e parë që publikohen në stenda e në korniza. U janë vënë shirita që të mos dalin të tjerë të thonë i kemi ne. Po përgatisim një libër për ta botuar.
– Ç’të reja ka libri?
Ka dokumente që sjellin ndryshim në atë që dimë ne, e në axhendën e asaj kohe. Sjellin ndryshime në rolin që kishte ushtria turke e palarguar ende nga trojet e pavarura më 28 nëntor 1912. Kishte një marrëveshje të Ismail Qemalit me këto ushtri, sepse Ismail Qemali 5 ushtarë kishte dhe nuk mund të mbrohej kundër serbëve.


– E mbrojtën osmanët Ismail Qemalin?
Kishte një kontribut që Ismail Qemali i dha kësaj ushtrie. E mbante edhe me ushqime, kishte një kontribut të kësaj ushtrie osmane në tërheqje për të mos lejuar forcat serbe për të mos kaluar më në jug të Shqipërisë, se sa Shkumbini. Dhe këto janë fakte të reja që ju do t’i keni.
– Ku i keni gjetur këto dokumente?
Ne kemi mbi 200 anëtarë që punojnë për këto evenimente. Jemi 200 koleksionistë në Shqipëri e jashtë. Punojnë për këtë ditë. Sot mund të them se vitin tjetër do ketë gjëra të reja. Kam gjëra që do t’i ruaj për vitin tjetër. Mundësitë për t’u shfaqur janë të pakta. Është një ambient që nuk na lejon të japim çdo gjë që duam ne të japim. Gjërat vijnë me radhë.
– A ka dokumente që vërtetojnë se ushtria osmane ndihmoi Ismail Qemalin?
Ka. I kam unë në një libër që do të botoj.
– Çfarë u bë me muzeun tënd?
Do financim, unë nuk kam. Unë jetoj me pension KEMP-i. Marr një KEMP si i sëmurë që jam. E nuk kam mundësi unë që me 100 mijë lekë rrogë (të vjetra) të ngre një muze. Mendoja se dikush do investonte, por jo. Po presim, por këto dokumente janë te muzeu online i flamurit. Duhet që shteti të na japë një sallë që të bëjmë një muze Flamuri në Tiranë, me gjithçka foto, dokumente e flamuj.
– Pse nuk janë publikuar më herët?
Më 1962 u bë një fushatë që lidhej me mbledhjen e dokumenteve për Pavarësinë. Ishte një fushatë e tillë, që u bë edhe më 1937 për festimin e 25-vjetorit dhe u paguan para për të blerë dokumente e fotografi. U mblodhën dhe u bënë botime të censuruara më 1962 se disa nga firmëtarët ishin të padëshirueshëm nga sistemi i kohës. Zhdukeshin dokumentet për Dom Nikollë Kaçorrin, a Mithat Frashërin. Edhe më 2012 u bënë botime, por pa saktësi recencash në fund. Janë të pashfrytëzueshme, ndaj duam t’i bëjmë me index. Por nuk kemi para që të përkthejmë nga Osmanishtja. Ka një kalendar osman të asaj kohe, që është i padeshifrueshëm. Kam takuar 3 veta që të gjej datën se kur është nisur një telegram dhe nuk e gjejmë dot. Por data është e rëndësishme. Na i kanë përkthyer datat, sikur letrat janë dërguar në tetor, por urimet u çuan në nëntor pas pavarësisë, jo para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *