Pak ditë më parë u nda nga jeta një ndër shkencëtarët më të mëdhenj të kohës dhe jo vetëm. Ai solli shumë ide dhe risi në shkencë. Bota atij i detyrohet shumë, sepse edhe pse në pamundësi shëndetësore ai nuk hoqi asnjëherë dorë nga shkenca dhe dija. Dy javë para se të vdiste ai bëri një veprim për t’u admiruar.
Stephen Hawking dorëzoi një studim të fundit shkencor dy javë para se të vdiste, dhe ai hedh themelet për zbulimin e një universi paralel.
Hawking, që ndërroi jetë të mërkurën në moshën 76-vjeçare, ishte bashkëautor i një studimi matematikor që kërkon prova për teorinë e multi-universeve, i cili parashtron ekzistencën e shumë universeve përveç tonit.
Dokumenti, i quajtur “Një dalje e butë nga inflacioni i përjetshëm” u rishikua për herë të fundit në 4 mars, dhjetë ditë para vdekjes së tij.
Sipas “Sunday Times”, studimi do të botohet në një revistë shkencore, pasi të përfundojë rishikimi i tij.
ArXiv.org një faqe e universitetit Cornell, që gjurmon studimet shkencore para se të botohen, ka një kopje të studimit.
Sipas Sunday Times, përmbajtja e studimit parashtron matematikën e nevojshme për një kërkim në hapësirën e thellë, për të mbledhur prova që mund të vërtetojnë se ka universe të tjerë.
Kjo mund të matet përmes një anijeje kozmike, e cila duhet të jetë e pajisur me sensorët e duhur.
Thomas Hertog, profesor i fizikës që ishte bashkëautor i studimit, tha se studimi synon që “të transformojë idenë e një multiuniversi, në një kuadër shkencor të provueshëm”.
Hertog që punon në Universitetin KU Leuven në Belgjikë, i tha “Sunday Times” se ishte takuar personalisht me Hawking, për të marrë miratimin e fundit para se të dorëzonin studimin.
Gazeta tha që, nëse një provë e tillë gjendet, kjo do i bënte shkencëtarët kandidatë kryesorë për Çmimin Nobel. Por duke qenë se nuk jepen pas vdekjes, Hawking nuk do të ishte i kualifikueshëm.