Alda Merini
unë si ju jam habitur ndërsa vidhja jetën,
flakur jashtë nga dëshira ime e dashurisë.
mua si ju s’më kanë dëgjuar dhe kam parë shufrat e qetësisë
të më rriteshin përreth dhe të më shkulnin flokët.
unë si ju kam qarë kam qeshur dhe kam shpresuar.
unë si ju kam ndierë të më zhvishnin rrobat nga trupi
dhe kur më kanë dhënë në dorë turpin tim
kam ngrënë turp çdo ditë.
unë si ju kam ndihmuar armikun
kam pasur besim në rrobat e mia të varfra
dhe kam pyetur ç’është zoti
pastaj nga ideja e ekzistencës së tij kam marrë forcë
që të ndiej martirin të më fluturojë rrotull si pëllumb i gjallë.
unë si ju kam konsumuar vetë dashurinë larg
edhe nga Krishti i ringjallur.
por unë si ju
u ktheva në shkencën e dhimbjes së njeriut
që është shkenca ime.
Përktheu: Faslli Haliti