Unë jam me demin

 

Nga Marin Soresku

Asnjë s’do të mundesh

Ta qëllosh me brirë, miku im dem!

Brenda njëzet minutave ti do vdesësh.

Rreth minutës së 17-të dhe të 20-të.

Lufta jote me brirë do të tradhtohet

Dhe nxitimi yt do të keqtrajtohet.

Si një luan hyre në arenë

Duke ngritur lart rërën e verdhë me thundra

Qysh tani bie erë gjak nga gjaku yt,

Qielli rëndon dhe nxin si re e zezë.

Arena të ngjan si një retinë syri që zgjerohet nga tmerri,

Je i bukur dhe i fuqishëm gjithë bota të duket jotja,

bota bashkëfajtore që të shikon.

Ja, po i drejtohesh kalit me sy të lidhur,

me koracë mbrojtëse në bark,

Mundohesh ta ngresh lart, me brirë,

por kalorësi i armatosur ta nguli shtizën,

ta ngjeshi  fort, e nxori nga mishi dhe ta nguli përsëri

ndërsa ti, si fëmijë i padjallëzuar

po rrekesh ta mposhtësh atë qenie të çuditshme

veshur  në çelik.

Tani gjaku të gufon, hidhet lart me furi

nga nxehtësia dhe vrulli  ti s’ndjen ende asgjë

Shih si të dridhet mjekra, por ti s’ndjen fare dhimbje.

Përpara toreadorit shtatlartë ,  ngjan si mumje,me njolla gjaku mbi shpinë.

Mendohesh, dhe vrapon nëpër arenë si era

Mes reve dielli të sheh sytë e kthjellët,  ende

Ndjehesh plot force dhe gjallëri

Ç’kërkon të bësh? T’u hidhesh parmakëve?

Toreadorët të vërtiten gjithandej të tmerruar.

Mos, mos, në këtë kurth ujqërish mos bjerë.

Kjo s’mund të quhet një luftë e ndershme

Armët e tua  janë vetëm dy brirë

dhe ata sigurisht do të të mashtrojnë

duke të gjuajtur vazhdimisht me shtiza

Tani lëvizjet kanë nisur  të të lodhin

gulçon i tëri, mezi merr frymë,

Ndjen therje të tmerrshme nga këmbët dhe kërcimet

po prapë nuk jepesh, mbledh forcat për luftë,

Vrapon si në ëndërr mes britmash eksitonjëse

Përballë të dalin të tjerë kundërshtarë

Me shtiza të reja, edhe më të përgjakshme.

Të parën me mjeshtëri ta ngulën në shpinë,

Por ti ende mbahesh, mbledh forcat,

pandeh se  pësove një gërvishtje të lehtë,

vrapon në arenë, ngre rërën me thundra.

Eh! S’mund të vraposh aq shpejt sa më pare

Kryqëzohen  përsëri  vështrimet tona

Më dukesh i habitur dhe i turbulluar,

“Ç’dreq loje qenka kjo?!”

Të qëllojnë përsëri me shigjeta në shpinë

shndrisin dhe vetëtijnë nën diell si flatra,

Dhe mua befas më kujtohet demi asirian me flatra.

Bën një përpjekje tjetër të arrish

ndonjërin prej tyre…Kurse tjetrin…

Duke kërcyer ngre rërën përpjetë.

Gulçon , merr frymë me  zor.

të varet jashtë buzëve gjuha.

Ç’po ndodh kështu? Ç’po ndodh kështu me ty?!

Ndoshta të shtyp, të merr frymën  gjithë kjo turmë,

të rëndon  arena me spektatorë,

të duket  e vogël? Përse shpërthyen duartrokitjet?

Me shpatën e zhveshur nën cohën e kuqe

po të afrohet vjedhurazi matadori.

Shiheni sy në sy

Ki kujdes! Mos e humb fillin,

ai është i zoti të të hipnotizojë!

Plagët e rënda të therin, të djegin egërsisht

gjithnjë e më fort. Ç’pamje komike!

Ai të ndjell sërish. “Oleee!

Cohën e kuqe  të tund  para hundëve,

ti i vërsulesh më me tërbim, si një i verbër e si leshko

por ai kthehet me shpejtësi nga ana tjetër,

të sulet si rrufe, të godet fort, majtas, djathtas,

të vjen për të qeshur.

Tani ai ka merr e një perëndie.

ti dukesh i lodhur, por mblidhe mendjen,

Mos gabo më, bëji sytë katër!

Me shpatë fshehur pas cohës së kuqe

po të pret matadori.

Të shan, të fyen, kërkon të ta mashtrojë.

Qëlloje  me brirë!

Tani askush s’bën lëvizje të sakta

Dukeni të dy të lodhur për vdekje

Nëse vrisni njeri tjetrin gabimisht

merr fund korrida…

Kjo lojë barbare  mbaron  me turp.

Por ti s’duhet të gabosh më. Jeni të ndershëm ju demat.

Veproni sipas ligjeve të paracaktuara,

ashtu si ne me iluzionet.

Tani matadorit i sjellin një shpat  më të mprehtë

ti zbythesh paksa, ai të shan të fyen,

të sulmon egërsisht, ti bën një hap, ndalon,

rrëmon rërën me këmbët e para

ai ngre shpatën, të shënon mbi shpinë

ti vjen rrotull,vrapon, godet plot mëri mbi çelikun e  mprehtë,

doreza e thikës ka mbetur jashtë.

Tani ngjan si një hu i kullotave të Andaluzisë

Duartrokitje të stuhishme, pafund.

Dikush ulërin pranë meje

“Mbyte! Ngordhe fare!”Ah! Gjunjët t’u thyen

Tani  ngjan si një lutje e pafund demash,

si një fund tragjik e i pashmangshëm.

Ç’po bën kështu? Kërkon të ngihesh përsëri?

Mbledh forcat ,kërcen shkathtësish e krenar,

me kurm të shpuar tejpërtej nga shtiza

po kundërshtari yt qenka mjeshtëri  zoti

të ngjan sikur sheh ngado arna të gjakosura

më kot u sulesh me tërbim

kundërshtari yt ta shkuli shtizën e përgjakur,

I gëzuar dhe ngadhnjimtar,

Lëkundesh, rrëzohesh, gjuhëjashtë,

i hedh  një fluturimthi thikës së shndritshme.

Stadiumi gumëzhin, brohori, britma, tribuna u çmend fare…

Duartrokitje frenetike…A i dëgjon?

Përplasin këmbët, fishkëllijnë.

Vetëm unë poeti jam me ty,

qaj në heshtje nga dhimbja.

S’e kishe menduar vdekjen se je thjesht një dem.

Çfarë krenari e rrallë? Je kafshë  pa iluzione.

Tani tre kuaj po vijnë të të tërheqin zvarrë

Nën trompeta dhe britma entuziazmi të marra.

E ndjeva, qysh në çastin e pare,

se si kundërshtari yt u tall me sulmin tënd krenar,

tani si i pa shpirt po të tërheq zvarrë.

E përshëndesin të gjithë

dhe ai i falënderon me një përkulje të lehtë.

Si një stuhi ishte jeta jote, e beftë dhe e shkurtër,

tani të gjithë të harruan, duartrokisnin vrasësin tënd.

Vetëm unë poeti mbaj anën tënde,

Më vjen kaq keq, më vjen kaq keq…

Si mbaj dot lotët e shpirtit që më dhëmb.

Madrit, gusht 1982

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *