Uliks Fehmiu: A do të ishte babai im i lumtur në Shqipëri? Dua të ndihet krenar për mua

Në Europë kemi shumë tensione politike, kudo. Kjo është diçka e përjetshme, pra toka është dhe po mbushet me gjak. Nëse do të flasim për shfaqjen “Romeo dhe Zhuljeta”, Serbia dhe Shqipëria janë shumë larg njëra-tjetrës, ndryshe nga çfarë ndodh me Romeo dhe Zhuljetën që janë në Verona. Janë dy grupe që flasin dy gjuhë të ndryshme, por që kur ata duan, e kuptojnë njëritjetrin. Pra, gjëja më e rëndësishme është se si këto gjuhë miksohen me njëra-tjetrën dhe se si këto gjuhë hyjnë te njëra-tjetra dhe se si këto gjuhë bëhen një, në të njëjtën kohë. Pra, ishte e mundur”. Regjisori serb, Miki Manojllovic e shpjegoi me këto fjalë përzgjedhjen e pjesës “Romeo dhe Zhuljeta” si një produksion mes serbësh e kosovarësh, një shfaqje që prej herës së parë që ka prekur skenën ka shënuar sukses, jo vetëm si dëshmi bashkëpunimi, por edhe si vlerësim i artit.

Ndërsa shfaqja vjen në Teatrin Kombëtar në Tiranë, Manojllovic tha dje para mediave se, “sigurisht që Romeo dhe Zhuljeta luhet në të dyja gjuhët, por ata e kuptojnë njëri-tjetrin vetëm duke u parë dhe jo duke folur. Romeo dhe Zhuljeta jonë flet shumë në dashuri, jo nga pesë minuta shqip dhe tre serbisht”. Regjisori, i pyetur për çështjen e Kosovës tha: “Unë nuk kam asnjë problem me Kosovën, politika ka dhe është në një nivel që unë nuk e influencoj dot që të njoh Kosovën, sepse jetojmë në një botë që është në ndryshim. Është një gjë komplekse, si në një rreth. Pyetja është se cili është fillimi dhe pse. Ne jetojmë në një vend që i respektojnë shumë shqiptarët, por kjo është edhe arsyeja që unë e kam bërë këtë projekt”.

NË TIRANË
Pasi ka prekur skenën serbe dhe atë kosovare, mbrëmë në Teatrin Kombëtar u vu në skenë shfaqja e përbashkët serbo-shqiptare “Romeo e Zhulieta”, nga Uilliam Shekspir, me regji të Predrag Miki Manojllovic, prodhuar nga Radionica Integracija (Beograd) dhe Qendra Multimedia (Prishtinë). Ajo vihet në skenë dhe sonte në mbrëmje në orën 20:00. Në të luajnë aktorët e mirënjohur: Uliks Fehmiu, Anita Manciç, Mensur Safçiu, Tristan Halilaj, Milica Janevski, Jovana Gavriloviç, Edona Reshitaj, Nikola Rakoceviq, Arta Selimi Nebojsa Glogovac, Faris Berisha, Goran Jevtiç, Armend Baloku, Natasa Tapuskoviq e Miki Manojlloviç.

Me skenografi nga Branko Hojnik, kostumografe: Zora Mojsiloviç, koreografe: Sonja Vukiceviç, kompozitor: Vladimir Pejkoviç, dramaturge: Olga Dimitrijeviç. Producent ekzekutiv: Milica Miliç, bashkëproducent: Jeton Neziraj. Drejtori i Teatrit Kombëtar në Tiranë, Hervin Çuli tha se ky është një nga produksionet më të rëndësishme që do të prezantojmë në Teatrin Kombëtar. “Kjo është një shfaqje që tregon se si mund që të bashkëpunojnë dy njerëz nëpërmjet dashurisë, është një shfaqje për paqen dhe dashurinë në Ballkan”. Regjisori i shfaqjes, Miki Manojllovic tha se është kënaqësi që janë në Tiranë.

“Ky grup fisnikësh këtu me artistë të rëndësishëm nga Kosova dhe Beogradi e kanë nisur këtë projekt dy vjet e gjysmë më parë. Pas talentit të këtyre njerëzve fisnikë, mund të them se nuk e kemi pasur asnjëherë këtë lloj teatri. Pa mbështetjen e njerëzve të rëndësishëm që kuptuan dhe ndihmuan në realizimin e këtij projekti, veçmas Jeton Neziraj, i cili i ka kaluar kufijtë rajonalë. Jemi 15 aktorë, pesë muzikantë dhe ne kemi shumë njerëz që punojnë me ne gjatë provave. Gjëja më e vështirë është që të rigruposh grupin tonë, sepse secili nga ne jetojnë në vende të ndryshme”. Bashkëproducenti Jeton Neziraj rrëfeu se gjithçka ka nisur si një ëndërr, që në fillim dukej e parealizueshme. “Më kujtohet takimi që kam pasur me Mikin para tri vitesh në Beograd në shtëpinë e tij. Në momentin që ai e ka shpalosur idenë, ka qenë një lloj ceremonie interesante, ku unë prisja se çfarë do të më thoshte. Më tha: Kam ndërmend që të realizoj ‘Romeo dhe Zhuljetën’, ndërsa unë u përgjigja: edhe ‘Romeo e Zhuljeta’ po na mungon në këtë situatë serbo-shqiptare.

Megjithatë ky realizim, nga një artist i jashtëzakonshëm dhe Uliks Fehmiu, ka qenë një proces emocional, për shumë, por veçmas për ne që jemi marrë me kooperimin serbo-kosovar. Prezenca e Uliksit ka qenë emocionale dhe për publikun”. Sipas tij, teatri nuk bën politikë, por teatër. “Në kontekstin ku realizohet ky bashkëpunim, natyrisht që merr edhe konotacione politike. Mund të quhet i tillë, por nuk ka qenë dhe nuk është qëllimi ynë, sepse ne duam që të komunikojmë me publikun në Kosovë, Serbi dhe kudo që shfaqet”. Neziraj shtoi se ne, “jetojmë në rrethana të tilla, ku edhe një bashkëpunim që do të ishte më i zakonshëm merr konotacione politike, që në të vërtetë i shërben politikës, por jo si propagandë, sepse në të vërtetë u shërben njerëzve të zakonshëm. Deshëm apo nuk deshëm, ne i kemi bërë hapat e parë para politikës”.

ULIKSI, I BIRI I TË ATIT (DHE PYETJET E TIJ)
Ajo që e bën shfaqjen ende më shumë interesante është prania në të e Uliks Fehmiut, djalit të aktorit të njohur nga Kosova, që e zhvilloi karrierën në Serbi e gjetkë, Bekim Fehmiu. “Është kënaqësi e madhe që të jem në Tiranë, Shqipëri, për herë të parë në jetën time. Jam shumë i lumtur dhe shumë i kënaqur që erdha në shfaqjen ‘Romeo dhe Zhuljeta’, tema e së cilës do të jetë e përhershme. Urrejtja është temë e përhershme, ndërmjet popujve, shteteve dhe familjeve. Por, ky është një tregim edhe për dashurinë, e cila është më e fortë edhe e përhershme”, tha ai, artist që ecën me hapa të sigurt në rrugët e të atit. Për Fehmiun, “artistët janë shpesh ata të cilët i drejtojnë të parët urat e rrënuara ndërmjet popujve. Shpresoj që publikut do t’i pëlqejë shfaqja jonë edhe se do ta kuptojë në mënyrë të drejtë. Puna në këtë shfaqje ka qenë fantastike dhe emocionuese, prandaj do të ketë vend të veçantë në kujtesën time. Shpresoj që edhe publiku do të ndihet po njëlloj”.

I pyetur për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Uliksi u përgjigj me pyetje. Janë disa pyetje, që zbërthejnë më shumë artistin (Bekim Fehmiu) dhe familjen e tij, frymën e artistëve dhe pikëpyetjet me dhe pa përgjigje në shoqëritë shqiptare e ballkanike. I ngjan një monologu të gjatë, që sekush mund të bëjë me veten shpesh, pa gjetur rrugëdalje, një monolog që zbulon para nesh një mendje të mprehtë, e cila shpesh është para dilemash. Uliks Fehmiu e bëri dje në teatër-në konferencë-një pyetësor dhe një rrëfim për të atin si më poshtë: “Unë e kam një kundërpërgjigje. Përse e bën këtë pyetje? Pse për ju është i rëndësishëm babai im? Ku mendoni se do të kishte jetuar babai im sot, nëse do të ishte gjallë?

A mendoni se ka një vend në rajon që ai do të ishte ndier i lumtur? A besoni se ai do të ishte ndier i lumtur në ndonjë pjesë të Ish- Jugosllavisë? Këtu, në Kosovë apo në Serbi, Kroaci apo ndokund në planet? Unë do të përgjigjem: Jo. Nuk ka të bëjë me dashurinë dhe me grupet e ndryshme etnike. Ai ka qenë mysafir i Jugosllavisë në vitin 1972 në Shqipëri, si një aktor shqiptar, Jugosllav dhe botëror. Cila Shqipëri ka qenë më e afërt për të atëherë? Shqipëria në vitin 1972 apo Jugosllavia në 1972? Unë mendoj se të gjithë e dinë atë përgjigje: Jugosllavia ka qenë. A besoni se ai ka dashur më tepër serbo-kroatët sesa njerëzi e vet? Jo. Ai i ka dashur njerëzit e tij, ai ka qenë po aq krenar se mund të jetë shqiptar. Por, Jugosllavia në atë kohë ka qenë më njerëzore, më e hapur.

Një vend më normal sesa ka qenë Shqipëria në atë kohë. Sot, ai mund ta kishte pasur dyfish më të vështirë të vendoste ku mund të shkonte. Prandaj ai iku dy herë, kur Jugosllavia pushoi së ekzistuari dhe pas 20 vitesh, kur ai e vrau veten si artist dhe kur për herë të fundit e pa se asgjë nuk po ndryshonte. Kjo ndodhi në vitin 2010 dhe Kosova ishte e pavarur. Prandaj pyetja e kufijve është pyetje e vjetër. Pyetja më e rëndësishme është: A mund të krijojmë shoqëri njerëzore? A kanë fëmijët tanë çfarë të hanë? Pastaj mund të flasim për gjëra të tjera. Një prej gjërave që mua më mungon në jetë është që nuk mund të flas shqip ashtu si do të doja të flisja. Fakti që nuk e flas shqipen shumë mirë, më bën të mos ndihem i plotë. Por, dëshira për të luajtur shqip në skenë, veçmas në teatrin Beogradit që nuk është folur kurrë shqip, në Prishtinë dhe në Tiranë.

Shpresoj që dhe babai të ndihet krenar për mua, sepse kjo është ajo që unë kam dashur. Përse ai është kaq i respektuar? Përtej faktit që ka qenë një artist i madh? Përse njerëzit me personalitet si ai janë kaq të rrallë sot? Për shkak të asaj, që ne qëndrojmë dhe u dalim përpara gjërave që besojmë. Kur çdokush beson të kundërtën. Do të doja që të ishte kaq e thjeshtë: Çdokush bën atë që beson. Kur gjithçka është kaq e thjeshtë. Prandaj duhet bërë ajo që besoni, sepse ne me atë shqipen time të tmerrshme po ndërtojmë ura. Kjo është ajo që ne dimë të bëjmë, që njerëzit e guximshëm bëjnë, kur në anën tjetër të gjithë të tjerët shkatërrojnë ura”.(GSH)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *