Përmes 50 fotografive nëpër vendet dhe shtigjet ku kaloi Migel de Servantes përgjatë jetës së tij, një jetë e trishtuar dhe e pasigurtë që na shfaqet me një dozë misteri në veprat e tij – një udhëtim pamor që prezantohet nga nesër në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë
Që në moshë të re, Migel de Servantesi shfaqi dy pasione, studimin dhe udhëtimin, që ia ushqeu i ati, i cili ishte mjek shëtitës dhe e merrte me vete kryq e tërthor Spanjën. Më 1569 botohen katër poezitë e tij të para, të cilat pasohen në një udhëtim në Vatikan, ku ai shoqëroi mëkëmbësin e Papës në Spanjë. Nxitur nga kjo jetë udhëtare, të përshkruar me trishtim dhe pasiguri, me një dozë misteri…është ndërtuar një projekt duke kaluar nëpër shtigjet ku shkeli Migel de Servantesi përgjatë jetës së tij, duke propozuar 50 fotografi pothuaj romantike që ekspozohen për herë të parë në Shqipëri, në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Ky projekt është konceptuar dhe realizuar nga Natvia, dhe mban titullin “Migel de Servantes ose dëshira për të jetuar”, , organizuar nga Instituti Servantes, Aksioni Kulturor Spanjoll (AC/E) dhe Agjensia Spanjolle e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID), për të përkujtuar këtë vit 400 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit.
Në këtë ekspozitë, që mund të shihet deri në datën 28 korrik 2016, Navia niset nga akti i fotografimit, në një formë subjektive dhe evokuese të vendeve kryesore që lidhen me itinerarin jetësor të Migel de Servantesit, me gjurmët e një jete, në mënyrë që rezultati përfundimtar të mos jetë një përmbledhje imazhesh nga vende të ndryshme, por një seri fotografike që përbën vështrimin personal të një udhëtari që dëshiron të bëjë të vetën përmes imazhit, atë territor servantin sa letrar aq edhe të vërtetë.
Të 50 fotografitë që përbëjnë këtë ekspozitë janë të shoqëruara me tekste dhe citime letrare që i lidhin sa me shkrimtarin, aq edhe me veprat e tij. Alkala de Henares, Vajadolid, Madrid, Napoli, Siçili, Lepantos, Tunizi, Argjel, Oran, Lisbonë, Eskivias, Toledo, La Mancha, Andaluzia, apo Barcelona, janë disa prej vendeve, pjesë e itinerarit jetësor të Miguel de Servantesit.
“Për këtë projekt kam dashur të fotografoj në të njëjtat skena ku Migel de Servantes (shpesh herë i lënë në hije nga vetë krijimi i tij, Don Kishoti) kaloi ditët e tij dhe ku ëndërroi shumë nga personazhet e tij; rrugë dhe vende që mbulojnë një pjesë të mirë të gadishullit iberik dhe të botës mesdhetare: Italia, Greqia, Tunizia, Algjeria, gjithmonë i vëmendshëm ndaj njerëzve të thjeshtë dhe trajektoreve larg pushtetit. Për Servantesin mund të thuhen po ato fjalë që ai vet vuri në gojën e personazhit të tij, Avokat Vidrierës: “unë nuk jam i zoti të jetoj në Oborr, sepse jam i turpshëm dhe nuk di të bëj lajka”, na shpjegon autori.
Navia siguron se “sfida ishte të përballesha pa rezerva, edhe njëherë tjetër, me marrëdhënien e vështirë dhe apasionuese që vendoset ndërmjet imazhit dhe fjalës, ndërmjet fotografisë dhe letërsisë, gjithmonë mbi bazën e rëndësisë që si fotograf i jap idesë së gjurmës përballë asaj të aureolës. Me pak fjalë, të kërkoja atë zbulim apo “shfaqje të një afërsie, sado larg të jetë ajo që e la pas”, sipas fjalëve të Walter Benjaminit.”