Udhëtim kujtese në burgun e Spaçit

Ky është një postim i shkruar nga Nayat Karaköse (Fondacioni Hrant Dink), e cila vizitoi Tiranën dhe Spaçin në muajin shkurt, 2016. Më poshtë janë reflektimet e saj:

Në ditët që lamë pas, pas ftesës së Trashëgimisë Kulturore pa Kufij – Shqipëri, një fondacion që restauron jo vetëm objekte, por edhe marrëdhenie, pata mundësinë të vizitoj Tiranën.

Duke ecur në rrugët e Tiranës së sotme, qetësia që ndieja herë me qasej e here më largohej. Diktatori Enver Hoxha e kish kthyer vendin në një burg të hapur për 45 vjet ku trysnia, frika, dhuna nuk mungonin. Gjatë asaj periudhë janë vrarë 5500 burra dhe gra, rreth 50 mijë të tjerë u internuan, u mbajtën në kampe përqëndrimi (alla-gulag) dhe kaluan nëpër gjithfarë torturash. E izoluar sa më s’ka, Shqipëria, ky vend i burgosur, ndaloi fenë, censuroi artin e një mori gjërash të tjera.

Burgu më i tmerrshëm i botës

Ndalesa jonë e parë në Shqipëri ishte burgu i Spaçit, që CHwB Shqipëri përmes projekteve të dialogut që ka nisur, synon ta kthejë në një vend kujtese. 100 kilometra nga kryeqyteti Tiranë, 600 metra mbi nivelin e detit, në majë të fshatit të Spaçit, kampin fatkeq mund ta krahasoj vetëm me Burgun e Dijarbakërit. I mbajtur i hapur mes viteve 1968-1991 ky burg më kujtoi edhe njëherë që pavarësisht gjeografive të ndryshme, të vërtetat që na lidhin na bashkojnë në dhunë të ngjashme. Maks Velo, i cili e provoi shijen e burgut si shumë artistë të tjerë dhe ndenjti atje për 10 vjet, e cilëson Spaçin si burgun më të frikshëm në botë asokohe.

Gjetë Gjoni at Spaç PrisonGuida jonë Gjeta e njeh mirë Spaçin pasi babai i tij ka punuar në Burg. Ai ka kujtimet e një fëmijërie të tërë për të treguar dhe memoria e tij e jashtëzakonshme bën që të mos i shpëtojë asnjë detaj. Ai e ka për mision transmetimin e informacioneve që ka dhe ka filluar të punojë në kamp si një kujdestar dhe guidë “pa portofol.”

Gjeta na rrëfen tek e tek vendet e torturës, zyrat e drejtuesve, vendet e takimit, mencën, dhomat përplot ideologji dhe propagandë, qelitë, udhën e minierës, të ekzekutuarit në tentativë për t’u arratisur, të arratisurit të rikthyer se s’kishin ku t’ia mbanin etj. E rrëfen revoltën e vitit 1973 dhe vuajtjet e familjeve të të arrestuarëve sikur të kishin ngjarë dje.

Me daljen për Zot të aq shumë kujtimeve, Gjeta fitoi simpatinë time, por edhe më preku thellësisht zemrën. Kam parë shumë guida, një syresh shumë të mirë, por nuk kam parë asnjëherë guidë kaq të vërtetë sa Gjeta. Ai i ka dalë zot vendit aq shumë sa i ka numëruar edhe vizitorët, nja 1000 e kusur na thotë. Më kërkon që të shkruaj emrin dhe një reflektim në një defter si e para vizitore nga Turqia. Me shtohen fjalët kur shoh emocionin në sytë e Gjetës.

Gjeta është një rojtar i kujtesës, i ka parë syri aq shumë, i ka dëgjuar veshi ç’ka mos, dhe tanimë i buron gjuha nga zemra tek uron që këto gjëra të mos përsëriten më. Kështu, Gjeta, bëhet një nga njerëzit që unë nuk do ta harroj sa të kem jetë.

“Ta shohësh në pranverë njëherë…”

Duke shëtitur në njerën nga taracat e dhomave që ka shërbyer si bibliotekë, përplot me libra propagandistikë, shoh një pemë tek rritet. “Ta shohësh njëherë të gjelbëruar”, ndërhyn Gjeta. Ndonjëherë themi se disa pamje na mbesin përherë në kujtesë, e tillë është edhe kjo pemë për mua. Ajo, edhe Gjeta, për mua shprehin shpresë.

A tree grows in Spaç

Më kujton edhe njëherë sesi vendet e torturave ose të egërsisë mund të kthehen në vende të kujtesës dhe ndërgjegjes, që thonë kurrë më, dhe mund të kontribuojnë në “shërimin” e viktimave. Përpjekjet e Gjetës dhe CHwB-së që tani ofrojnë një kontribut për këtë shërim.

Përfundimisht, kur në tepe të një çatie të një vendi të rrënuar mund të mbijë një pemë, ai vend dhe e vërteta e tij mund të gjelbërojnë, bash si pema. Ndaj nuk duhet me e humb shpresën, në realitet jo e jo, por as në iluzion….

Ky artikull u shfaq në rastin e parë në gazetën ‘Agos’ më 26 shkurt 2016: http://www.agos.com.tr/tr/yazi/14512/spac-hapishanesinde-hafiza-yolculugu[turqisht]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *