Gjovalin Shkurtaj
(Disa vlerësime për librin e Arian Kadiut “Katër Kongrese Kombëtare për alfabetin e shqipes”, Refleksione dhe thellime)
Hera e mbarë e ka prurë që, në rrjedhë të viteve, qysh kur ai punonte në si gazetar në gazetën “Mësuesi”, pastaj në ish-Institutin e Studimeve Pedagogjike dhe, më vonë, si pedagog i jashtëm i departamentit tonë të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, të kem pasur bashkëpunim e miqësi me prof.dr.Arian Kadiun, shkrimtar, studiues dhe gazetar i mirënjohur, autor i shumë veprave ditunore e studimore për Dibrën e Madhe e Dibrën e Vogël, për burrat e shquar të asaj krahine,si dhe për veprimtari të rëndësishme kulturore e atdhetare që e kanë pasur vatrën në anët e Dibrës. Ndër to, qysh në studime e ndihmesa të tij të mëparshme, ai ka shkruar me dashuri e përkushtim të spikatur për ndihmesat e dibranëve e të Dibrës në fushën e arsimit kombëtar shqiptar dhe të shkrimit të shqipes.
Kam shkruar e kam vlerësuar sidomos librin e tij “Dibra e Madhe” (2003) një ndihmesë me vlerë e me interes të shumanshëm: historik, etnografik, folklorik, letrar, gjuhësor dhe etnokulturor. Kush do të dijë për Dibrën e Madhe, për emrin dhe historinë e saj të lashtë e për rrjedhat e jetës e të veprimtarisë historike e kulturore të dibranëve deri në ditët e sotme, shpjegime shumë të hollësishme i gjen në librat e tij.
Në atë hulli të mbarë vjen edhe libri i tij i fundit me titullin ndjellës e të bukur “Katër Kongrese Kombëtare për alfabetin e shqipes”, i cili synon të sjellë në një dritë të re, pa asnjë paragjykim e anësim, vlerën atdhetare dhe shkencore e praktike që patën për gjuhën shqipe Kongreset e alfabetit: Kongresi i parë, i njohur si Kongresi i Manastirit (1908) dhe Kongresi i dytë ose Kongresi i Dibrës (1909), si dy data shumë kuptimplote dhe të rëndësishme, jo vetëm për historinë e alfabetit të shqipes,po edhe për krejt mbarëvajtjen e shqipes e të shqiptarisë në mbarë hapësirat shqiptare.
Edhe mbas plot 108 vjetësh, qysh nga ajo ditë, kur, më në fund, pas shumë nismash, sprovash e përpjekjesh, në Kongresin e Manastirit u mundësua gjetja e një zgjidhjeje përgjithësisht të pranueshme, pavarësisht prej dy alfabeteve, për abëcënë e njëjtë të gjuhës shqipe, gjëja më e parë që na vjen në mendje është rëndësia dhe vlerësimi që i jepnin shkrimit shqip pararendësit tanë. Qysh nga libri i parë shqip “Meshari”(1555), shkruar nga Gjon Buzuku, deri tek veprat e botuara në rrjedhë të shekujve nga autorët e vjetër të Veriut, pastaj edhe nga ata Jugorë (përfshirë edhe arbëreshët e Italisë), të gjithë shkrimtarët e veprimtarët kulturorë që njohim “të shkruarit” e gjuhës dhe lëvrimin e saj në bazë të një alfabeti e drejtshkrimi të njëjtë për të gjithë bashkësinë kombëtare shqiptare e kanë parë gjithnjë si nevojë të domosdoshme në udhën e mbrothësisë së kulturës shqiptare. Nuk qe e rastit që Rilindasit tanë të shquar, duke mos u shmangur asnjë grimë nga tradita buzukiane e lëvrimit të shqipes, e vunë atë si pikë themelore të programit të tyre politik.
Për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe është shkruar gjerë e gjatë. Edhe për Kongresin e Manastirit është shkruar nga autorë të ndryshëm e posaçërisht në studimin monografik të profesorëve Sh.Demirajt e K.Priftit, porse, udha e alfabetit, si dhe nismat e ndihmesat e atdhetarëve shqiptarë në atë fushë, nuk mund të thuhet se kanë shteruar. Hulumtimet e reja, qoftë në artikuj e studime të botuara me raste të ndryshme, sidomos në përvjetorët e Kongresit të Manastirit (1908),qoftë edhe të Kongresit të Dytë,të quajtur Kongresi i Dibrës (1909), kanë sjellë edhe kundrime të reja, kanë plotësuar dhe thelluar dijen e mëparshme,po edhe kanë saktësuar pohime e fakte, që mund të mos ketë qenë në përputhje me të vërtetën historike. Këtij synimi i është qasur edhe Prof.dr. Arian Kadiu në librin e tij më të ri “Katër Kongrese Kombëtare për alfabetin e shqipes”, i cili vjen mbas shumë se 44 librash (romane e novela për të rritur e për fëmijë, tekste shkollore parauniversitare e për shkollat e larta, studime serioze e monografi. Prof.Ariani, ashtu si në veprat e tij të mëparshme e veçmas në monografinë e gjerë “Dibra e Madhe dhe një vështrim për Dibrën e Vogël”, ka meritën se u bën vend, në radhë të pare, atyre fakteve dhe të dhënave historike urbanistike dhe kulturore të Dibrës e të dibranëve, që dëshmojnë qytetari, kulturë ndejtare, jetesë me punë e krijimtari të pandërprerë me frymë ndërtuese të një krahine shqiptare nga më tipiket. Dibra njihet si qendër e rëndësishme qytetare qysh nga viti 1502 dhe, në rrjedhë të moteve, për vlerat e saj njerëzore e kulturore kanë shkruar edhe jo pak studiues e udhëpërshkrues të mirënjohur.
Me sa kam dijeni unë, Arian Kadiu ka shkruar shumë libra për Dibrën dhe njerëzit e saj,paraqitur në disa këndvështrime origjinale. Ai njeh dhe ka studiuar edhe folklorin e saj të pasur dhe disa tregime, për mosha të ndryshme, e marrin temën prej tyre; ka shkruar për ngjarje të madhërishme, që e lartësojnë Dibrën, duke treguar për bëmat dhe trimat e saj, që në këtë krahinë nuk kanë munguar kurrë. Nisur nga këto që përmendëm, pa mëdyshje, duhet të themi se ai është autori që ka shkruar më shumë për vendlindjen, ku ka kryer shkollën e mesme. E për të gjitha këto, puna e tij lipset të vlerësohet si duhet e të veçohet për ndihmesat e tij aq të shumta.
Në atë hulli ecën edhe ky libër, i cili, duke trajtuar ngjarje e dukuri të lidhura me Kongreset e alfabetit të shqipes, pikërisht për rrethanën se ato qenë organizuar në mjediset e Manastirit dhe të Dibrës, linin shteg edhe për prurje të reja, për ftillime e plotësime, qoftë edhe të pjesshme,por gjithsesi me vlerë për ato ngjarje madhore të historisë së alfabetit, po edhe të krejt kulturës së popullit shqiptar.
Në fakt, për historinë e alfabeteve të shqipes dhe për njësimin (më në fund) duke u përhapur alfabeti i sotëm, ka pasur shumë shkrime, artikuj, kumtesa dhe libra monografikë, aq sa mund të dukje sikur është shteruar ajo tematikë. Mirëpo A.Kadiu në librin e tij synon të bëjë një sintezë të krejt rrugës “kongresore” dhe demokratike e mbarëkombëtare, që e ka karakterizuar betejën e shkronjave shqipe, duke bashkuar, në një trajtim të përbashkët e të ngërthyer natyrshëm,katër kongrese a kuvende kombëtare shqiptare, ku është diskutuar dhe vendosur për alfabetin e njësuar të shqipes e pikërisht: Kongresin e Manastirit ose Kongresin e Parë (14-22 nëntor 1908); Kongresin e Dibrës ose Kongresin e Dytë (23-28 korrik1909 ), Kongresin e Elbasanit ose Kongresin e Tretë (2 6 shtator 1909) dhe Kongresin e Katërt të Alfabetit ose Kongresin e Dytë të Manastirit (2 – 3 prill 1910).
Qasja ndaj këtyre katër Kongreseve të rëndësishme të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë e që u mbajtën njëri pas tjetrit, në një hark kohor të ngushtë e pikërisht në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me të drejtë, është bërë duke u mbështetur në aspektin, kahun dhe vlerën historike dhe gjuhësore, dhe sigurisht kombëtare të këtyre kongreseve. Pra, kemi një libër me trajtime e synime historike të pandara nga ato gjuhësore, atdhetare kombëtare, që argumenton, mbështet, po edhe rishikon e plotëson,ndonjëherë edhe saktëson e hedh poshtë qëndrime ose pohime e vlerësime të njëanshme, të caktuara, të shprehura në botime të ndryshme kushtuar kongreseve të alfabetit të shqipes. Në mënyrë të veçantë janë më vlerë shtjellimet, tëhollimet dhe rivlerësimet e autorit për Kongresin e Dibrës, të cilin, si të thuash, e merr në mbrojtje dhe, me argumentimet që sjell në libër, ia heq edhe mjegullnajën e cilësimet si “vepër e xhonturqve”. Autori jo vetëm polemizon, por edhe argumenton e fakton, duke u mbështetur në të dhëna të besueshme (e sidoqoftë të rëndësishme) se “Kongresi i Dibrës me të drejtë duhet të quhet kongresi i vetëm mbarëkombëtar shqiptar”.
Libri “Katër Kongrese Kombëtare për alfabetin e shqipes”është shkruar me dashuri të madhe për vendlindjen dhe autori, Arian Kadiu, si bir i denjë i Dibrës, edhe në shumë prej librave të tij të botuar, e ka dëshmuar se sa i përkushtuar dhe i dhënë me mish e me shpirt është pas traditave, vlerave dhe virtyteve e ndihmesave historike, atdhetare e arsimore e kulturore të Dibrës e të dibranëve; por ai ka edhe mbështetje në dijet e njohuritë e gjera historike, si dhe ka shfletuar e rishqyrtuar gati shterueshëm dokumente, botimet monografike dhe studime kushtuar udhës së shkronjave shqipe, duke ndriçuar më mirë, përkatësisht edhe duke rishikuar e rivlerësuar aspekte e pohime të caktuara, të cilat i japin librit edhe një frymë polemizuese, ndonjëherë edhe shumë të zjarrtë, por gjithsesi të atillë që do të meritojë jo vetëm leximin e kujdesshëm nga historianët e studiuesit e interesuar, por edhe për të sjellë, mbi atë bazë të përtërirë të trajtimit, përmirësimet e nevojshme në vlerësimin që meritojnë disa prej veprimtarive të mëdha të historisë së kombit shqiptar, sikundër janë edhe katër kongreset e alfabetit për të cilat shkruhet në këtë libër të ri të prof.dr.Arian Kadiut.
I urojmë mikut tonë, studiuesit e shkrimtarit të nderuar, jetë të gjatë e shëndet për të gëzuar fjalët e mira të lexuesve për këtë ndihmesë të re, po edhe vullnet e zell për vepra të tjera si ato që na ka dhënë edhe deri tani.