Nga Jonida Hitoveizi, (i ribotuar)
Një mikja ime këngëtare një ditë teksa po qanim hallet e artit në Shqipëri më tha se nuk dinte ç’të bënte me projektet e ardhshme artistike. Donte të bënte një këngë të re, por nuk dinte si; të rrinte ajo që ishte, apo t’i bashkohej turmës. “Po këndojnë të gjithë në dialekt,i ke dëgjuar?-më pyeti. I thashë s’ka gjë më tmerrshme teksa dëgjon këngëtarë (imagjino në gojën e Elsa Lilës apo Eneda Tarifës fjalë si “ne vet e bojna, hajt ma knej ma mir ka me ken, o loçka jeme ti për’mu je e vetme” ose ndonjë këngëtar tjetër, Ardit Gjebrenë p.sh.) që duan të duken si kosovar kur këndojnë. Mikja ime këngëtare shyqyr zotit nuk bëri këngë të re këtë verë. Duhet thënë se kjo modë e shëmtuar është e dëmshme për identitetin e vlerave që ka ajo pak muzikë shqiptare që ka mbetur. Kjo s’ka të bëj as me leksione gramatike e as drejshkrimi veç një fakti të thjeshtë. Fjalët kur këndohen duhet të burojnë nga shpirti. Me gjuhën e tij. Jo me gjuhën komerciale për të qenë trendi a për t’i ngjarë pak Dafinës apo Tunës. Të këndosh si kosovarët, që po tregojnë se kanë më shumë zëra e talent se ne këtej kufirit, nuk i bën ndonjë nder vetes si artist. As artit shqiptar. Madje as portofolit tënd si “artist i madh”. Duket se të shtrembërosh fjalët, t’i shëmtosh e mos të kuptohet asgjë në atë dreq teksti, të vesh me një madhështi artistike e madje madje të bën edhe çik misterioz. Meqë duke i gjysmuar fjalët gjysma e njerëzve në fakt mezi të kupton, ose nuk kupton asgjë se çfarë thuhet në këngë. Ky trend ka nis kohë më parë, kur këngëtare si Elvana Gjata patën bashkëpunime me grupet kosovarë. Kënga e Elvanës para shumë vitesh Mames me Tingulli Trent, ndoshta ishte nga të parat që nisi ta hitëzonte këtë fenomen. Ndoshta, sepse Elvana gjithnjë i ka sjellë në mënyrë të sukseshme shndërrimet e saj artistike.Dhe meqë e bën ajo, mund ta bëjnë të wordpress gjithë! Gjithsesi çështja nuk është tek një apo dy artistë të cilët në bashkëpunime mund të njëjtësohen me këtë stil bukur. Problemi është kur, si këtë verë, thuajse asnjë këngëtar nuk i shpëtoi faktit të të kënduarit në “zhargonin e Kosovës”…. “se këngët e atyre ecin”. Kudo tituj këngësh të coptuar, të shndërruar. Shtoji kësaj fjalët gjysmë shqip,gjysmë në zhargonin kosovar,gjysmë anglisht. Në fund rroftë muzika e vjedhur! Nuk dua t’i radhis një e nga një tekstet e “hiteve” të shqyera gjuhësisht e kuptimisht këtë verë, pasi nuk kam ndërmend të dëgjoj justifikimet e këngëtarëve në telefon apo thënien standarte “rëndësi ka që na duan njerëzit”, “ti e ke nga inati”. Dua thjesht të them atë që ata që u rrethojnë nuk ua thonë dot “Një dramë e madhe artistike”. Për pak lekë e për çik njohje në klubet e Kosovës dhe diasporës këndonjësit shqiptarë nuk dinë më se ç’identitet kanë. As në lakuriqësinë e klipeve nuk kanë orgjinalitet se dhe atë e marrin nga artistet e huaja bashkë me pasthirrmat e tyre në anglisht. Hidhni ndonjë sy nga tekstet e Alban Skënderaj. Ndoshta nga të vetmit artistë me identitetin e tij në muzikën moderne shqiptare.
Shqiptarët nëse ju dëgjojnë, duan t’ju dëgjojnë të këndoni shqip. Të jetë për anglisht kemi kë dëgjojmë. Edhe artistë kosovarë super të talentuar kemi qindra që mund t’i dëgjojmë. Mes këtyre, ju që nuk jeni dot as anglezë, as amerikanë dhe as kosovarë për çfarë t’ju dëgjojmë?!