Nga Pikaso e Baltusi te vetvetja
Nga Luan Rama
Sado origjinalë kanë qenë mjeshtrit e mëdhenj të artit, veçanërisht nga “Renesanca” e këndej, përsëri, jo rrallë gjejmë mes tyre përsëritje, remineshenca, pikëtakime vendimtare apo të rastësishme. Në Paris, kohë më parë është hapur një ekspozitë rreth afërsive të dy piktorëve italianë të kohëve të ndryshme e titulluar “Nga Giotto te Caravaggio”. Në një ekspozitë tjetër në Amsterdam kam parë ekspozitën “Rembrandt dhe Caravaggio” ku përafrohen temat, stilet, kompozicionet, ndjesitë e përafërta të tyre. Në Paris ekspozita “Van Gogh-Millet” dëshmon se shumë vepra të Millet, janë pikturuar sërish nga Van Gogh, madje në mënyrë identike si kompozicion, por trajtuar në një mënyrë krejt të ndryshme, me një penel ku mbizotëron dinamika dhe ngjyra e fortë. Në Francë, në fillimet e pikturës së tij të kavaletit, Van Gogh ishte shumë i frymëzuar nga Millet. Po në Paris, kam patur rastin të ndjek ekspozitat ku përafrohen Bacon dhe Velasquez, apo Goya dhe Picasso, etj, ku në shumëllojshërinë e tyre, ata përsëri na befasojnë me të njëjtën figurë të përafërt, frymë apo kompozicion. Madje tabloja e Papës së ulur në kolltuk tashmë në “Grand Palais” në Paris, e pikturuar nga Velasquez, është parë krejt ndryshe nga Francis Bacon edhe pse në të njëjtin pozicion. Po kështu mund të thuash për tablonë “Kau i therrur” pikturuar nga Rembrandt por dhe një rradhë piktorësh të tjerë. Secili piktor jep vizionin e tij për objektin, siç ndodh si të thuash kur në atelier, profesori u paraqet studentëve një model dhe ata e pikturojnë secili në sensibilitetin e tyre. E pikërisht aty ka art, pavarësisht nga i njëjti model.
Kështu ka ndodhur në fakt me gjithë artistët e Europës, kur në shekujt XVI, XVII, XVIII ata zbrisnin drejt Italisë për të pikëtakuar gjenitë e “Renesancës” italiane, shkollat e “cinquecentos” dhe “seicentos”… flamandë, francezë, gjermanë, belgë, anglezë, piktorë të vendeve nordike. Dhe ishte e habitshme kur një ditë, në atelierin e mikut tim, piktorit shqiptar Tritan Beba, pashë i ngazëllyer disa tablo të tij ku ndjeva menjëherë remineshencat e një Baltusi. Dukej që vepra e piktorit të madh të shekullit XX kishte lënë gjurmë në frymëzimet e tij pikturale. Ishte një gëzim i veçantë pasi piktori shqiptar nuk ishte shumë larg mjeshtrit të tij të preferuar, i cili sot ndodhet në muzeumet më të mëdha të botës. Dhe kështu, duke pirë kafe, rrethuar nga tablotë më të fundit të tij, veçanërisht disa portrete të Sofisë, bashkëshortes së tij polake dhe një galeriste arti njëkohësisht, ne flasim për Baltus për të cilin kisha lexuar dy libra, njëri me kujtimet e tij.
– “Baltusin unë nuk e njihja më parë, – më thotë ai. – Në Shqipëri kisha lexuar një libër mbi Pikason dhe atje Pikaso thoshte se një nga piktorët e tij më të parapëlqyer ishte Baltus. Kjo gjë më habiti por vite më vonë, kur njoha këtu në Francë veprën e Baltusit e kuptova pse e kishte thënë këtë Pikaso. Ata ishin miq të mirë dhe e vlerësonin shumë njëri-tjetrin. Te Baltus më bëri përshtypje stili i tij i veçantë dhe thjeshtësia e pikturimit. Nga ai zbulova se mund të pikturohet thjeshtë”.
– Pra një pikturë e pa mbingarkuar, që nuk “klith”, pa efekte për të treguar një lloj spektakli, – i them.
– “Po, piktura e tij është një pikturë anti-spektakolare. Cezan gjithashtu ishte i tillë në pikturë, i thjeshtë, por i fuqishëm. Kur erdha në Francë, nuk doja të ndahesha nga piktura edhe pse jeta do të ishte e vështirë vitet e para. Kështu nisa të ndjek kurse për pikturën. Cezan thoshte: “Kur je i ri ke ide sipërfaqësore për artin e pikturës, por pak duhet për të bërë një art të vërtetë”.
Në një nga dhomat e tij janë dy portrete që përafrohen me veprën e Baltus: “Agnesca” dhe “Aga”, siç i ka cilësuar ai ato portrete të dy polakeve, mikesha të gruas së tij.
Kur zbarkoi në Paris në ato vite të stuhishme dhe me ngjarje të mëdha shqiptare, Beba sapo e kishte braktisur Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ishte viti 1990 kur shtatoret e mëdha dhe statujat e kohës totalitare filluan të binin. Ambasadat perëndimore ishin të dyndura nga refugjatët, dhe të tjerë merrnin udhëtimin drejt “Felix-Italia” dhe jo vetëm atje. Djaloshi i ri e plot ëndrra për Perëndimin, kapërceu Adriatikun dhe mori drejt Francës. Nga Marseja në Paris, shpejt ai filloi t’i vihej pikturës me heshtjen e një murgu. Dhe këto ishin veçse hapat e para në botën e artit. Atëherë ai kishte veç një idhull të tij: Pikason. Pothuaj në një periudhë të gjatë të pikturës së tij në Paris, ai vinte rreth botës së Pikasos, në ngjyra, në forma, në subjekte, aq sa miq të ndryshëm e cilësonin me dashamirësi “Pikaso i vogël” apo “Picasso albanais”. Dhe kaq mjaftonte që ai të vendosej në “galaksinë” Picasso, pasi bota e piktorit spanjoll, që veprën e tij pikturale e krijoi veçse në Francë, ishte shumë e madhe, një galaksi më vete. Pikërisht në këtë kohë ishin dhe ekspozitat e tij, në Paris por dhe në Saint Martin apo Antilles. Por nga modestia dhe ndruajtja e tij, pak shqiptarë morën vesh se ai kishte hapur ekspozita. Por dhjetë vjetë më pas, Bepa do të jepej pas një piktori tjetër, që siç dukej i përshtatej më mirë në natyrën e tij të heshtur dhe të vetmuar. Ky ishte Baltus. Në atë kohë, Baltus ishte kthyer nga Roma ku drejtonte “Vila Medicis” dhe jetonte në shtëpinë e tij në Zvicër, ku edhe pse shumë i plakur, ai vazhdonte të pikturonte tablotë e tij të mëdha, të cilat i mbante për një kohë të gjatë në kavalet dhe ku jo rrallë wordpress gjeje dhe figurën e një maceje, detaj ky që i vinte nga fëmijëria e tij, kur macja e tij “Mitsu” një ditë kishte ngordhur. Kritikët e artit e shohin atë mace që shfaqet hera-herës, si një metaforë erotike të piktorit, por kjo duket ireale, pasi vetë figurat e tij femërore dhe adoleshente, janë me një erotizëm të skajshëm…
Tritan Beba mund të thuhet se është një piktor për të cilin nuk dihet asgjë. Por kjo atë nuk e shqetëson. Emri dhe fama nuk e joshin. Kryesore për të është krijimi, vepra. A nuk shkruante kritiku i madh amerikan para hapjes së ekspozitës së Baltusit në “Moma” të Amerikës se “Baltus është një piktor për të cilin nuk dihet pothuaj asgjë…”? Dhe kjo sepse Baltus qëndronte larg gazetarëve, revistave, kamerave. Ai nuk jepte kurrë intervista dhe kurrë nuk donte të shpejgonte veprën e vet. Eshtë vepra që flet, linte të nënkuptohej ai. Kështu dhe Beba, ajo që i jep kënaqësinë nuk është emri por krijimi, pasi artisti i vërtetë ekziston jo përmes fjalës por figurës që krijon. “Unë e trajtoj artin si një realitet suprem, – thoshte Baltus – dhe jetën si një mënyrë të thjeshtë të krijimit”
Tritani aq shumë ishte dhënë pas Baltusit saqë kërkoi të punonte me të njëjtat materiale si dhe mjeshtri i madh. – Më parë, kur përgatisja kanavacën për pikturë, e bëja të yndyrshme siç punonin në përgjithësi hollandezët. Duke studjuar Baltusin, pikasa se ai bënte një lloj “kazeine”, një lloj pudre të bardhë, e cila ka aftësinë e absorbimit të madh të ngjyrave. Kështu fillova ta përdor dhe unë. Një ditë i thashë Sofisë: “Po punoj si Baltus!”
Në Paris, në një galeri serioze në L’Ile Saint-Louis, ngjitur me katedralen e «Notre Dame» ai ka paraqitur tablotë e tij në dy ekspozita, vepra këto që janë shitur dhe pëlqyer. Por Tritani i përmbahet një principi të tij: ”Duhet që një ekspozitë të ketë një frymë”. Ai nuk e do eklektizmin në prezantimin e krijimtarisë së tij. Nuk pëlqen të krijojë gjithashtu me porosi, edhe pse nganjëherë piktorit i duhet ta bëjë këtë për çështje jetike. Porosia sikur e detyron artistin. “Kur mendon se po e bën për ta shitur, më duket se e harron pikturën e vërtetë» – shton Tritani.
Pas këtij takimi të parë në atelierin e tij unë do të kthehesha sërrish, duke e gjetur mes bojrave të dashura të tij, gjithnjë “Blockt”, ngjyra belge të mrekullueshme që përdoren nga piktorët që në vitin 1800. Ngjyra të cilat përdornin edhe hollandezët apo më afër nesh, Salvador Dali. Më habiste fakti që për këtë piktor të talentuar nuk ishte shkruar asgjë në shtypin shqiptar. Asnjë intervistë apo thjesht një fotografi. Po, ai e pëlqente të qenit anonim. Donte të harrohej në pikturën e tij, figurat, fytyrën njerëzore, njeriun me gjendjet shumëplanëshe të tij… gjendje të trazuara. Gjashtë muaj më vonë shkova përsëri në atelierin e tij të bukur dhe me një hapësirë të lartë e plot dritë ku kavaleti kësaj rradhe ishte bosh. Tritani ishte i dëshpëruar: – Jam në hall të madh,- më tha – Çuditërisht kur punova këto tablo, ngjyra dukej bukur, por kur ato u thanë, pashë që ishin të zbehta, duke e humbur freskinë e mëparshme. – Pse? – e pyeta unë. – Nga tutkalli mesa duket, apo “col de peau de lapin” (ngjitës nga lëkura e lepurit). Në fakt me këtë lloj lënde janë bërë telajot që në kohët e vjetra (shtresa e parë mbi kanavacën) por tani, mesa duket, meqë lepujt hanë ushqime industriale e plot kimikate si dhe përdorimi i kimikateve të tjera në bojra, ka sjellë të mos jetë i njëjti tutkall. Pra më duhet të siguroj një rezervë tutkalli të prodhuar para dhjetëve që të jem i sigurtë në punët që do të bëj. – Por si do ia bësh tani me tablotë e pikturuara, – shtova unë. – Nuk e di… Tablonë me portretin e gruas time, Sofisë, mund ta ribëj dhe njëherë, edhe pse e di se nuk mund të ketë ndjeshmërinë e krijimit të parë, por të tjerat nuk di… diçka duhet bërë.
Tritan Beba është padyshim një përjashtim nga gjenerata e tij. Por ai e ka nisur maratonën e krijimit në heshtje, gjithnjë me besimin se ajo që krijon në ethet e tij, është një vepër arti, pavarësisht nga vlerësimi i kritikës. E megjithatë duhej shkruar diçka që nesër mos të thonim: “Tritan Beba është një piktor rreth të cilit nuk dimë asgjë”… Ai është gjithnjë aty, në atelierin e tij, si një “scrib” në scriptoria-t e vjetra, dhe nuk pyet shumë për botën e internetit dhe të komunikacionit të jashtëzakonshëm… ai dhe telajo… altari i artistit të vërtetë.