Nga Enver ROBELLI, Trieste
Trieste është qytet edhe i shqiptarëve. Në vitet ’80 shqiptarët e Jugosllavisë vinin këtu për të blerë xhinsa, farmerka, ndonjë «kožnjak», siç thuhej në gjuhën e pastër serbokroate, dhe për të pirë kafe espresso, kafe të markës Illy, një ndërmarrje e themeluar në Trieste më 1933 nga tregtari i kafesë me origjinë hungareze Francesco Illy.
Në këtë qytet në veri të Italisë u lind, më 1879, Aleksandër Moisiu, bir i një shqiptari nga Kavaja dhe i një nëne arbëreshe. Fëmijërinë Moisiu e kaloi në Trieste, në Durrës dhe në Graz. Në moshën 20-vjeçare bashkë me të ëmën dhe dy motra ai u vendos në Vjenë, ku me ndihmën e aktorit austriak Josef Kainz u ngjit në skenën e teatrit gjerman. Dhe u bë njëri prej aktorëve më të mëdhenj të shekullit të ’20. Moisiu luajti rolet kryesore në veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore. Për talentin e Moisiut kanë shkruar Franz Kafka, Gerhard Hauptmann, Max Reinhard, Max Brod, Luigi Pirandello e plot shkrimtarë të tjerë.
(Vajza e Aleksandër Moisiut, Bettina Moissi, po ashtu aktore, u martua me Heinz Berggruen, njërin prej koleksionuesve më të rëndësishëm të artit në botë. Djali i tyre Nicolas Berggruen është njëri prej njerëzve më të pasur në botë, investitor, pronar i Karstadt, rrjetit të famshëm gjerman të shtëpive të mallrave).
Një shqiptar tjetër i famshëm që nderohet nga qyteti i Triestes është Karl Gega. Jo larg përmendores së shkrimtarit irlandez James Joyce në Trieste një rrugë mban emrin e Karl Gegës (Via Carlo Ghega), inxhinierit të famshëm që në shekullin e ’19 ndërtoi hekurudhën e Semmeringut, e cila lidhë Vjenën me Triesten. Gega u lind më 1802 në Venedik në një familje shqiptare. Dëshirë e babait të tij ishte që Gega të bëhej nëpunës shteti, por djaloshi i shqua si talent i pashoq i matematikës. Në Universitetin e Padovës, aty ku dikur moti u botua «Çeta e Profetëve» e Pjetër Bogdanit, Karl Gega brenda dy vitesh mori titullin doktor i matematikës. Falë miqësisë me bankierin S.M. Rothschild Gega, i cili ishte punësuar në administratën austriake, u ngarkua me ndërtimin e «Kaiser-Ferdinand-Nordbahn», një hekurudhë që lidhte Austrinë me Çekinë. Më vonë, po ashtu falë miqësisë me Rothschildin, Gega u autorizua (sot do të thuhej «fitoi tenderin») për të ndërtuar hekurudhën e Semmeringut, atëbotë hekurudha më e lartë malore në botë. Meqë kishte aq shumë njerëz që dyshonin nëse inxhinieri Gega do t’ia dilte të ndërtonte vijën hekurudhore, ai qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të studiuar hekurudhat e atjeshme. Më 1854 treni i parë kaloi Semmeringun, por Gega ishte bërë i pavdekshëm që më herët: më 1851 ai nga shteti austriak i asaj kohe ishte shpallur kalorës, një titull i lartë nderi. Më 29 korrik 1857 gazeta «Innsbrucker Nachrichten» njoftonte se Këshilli i Bashkisë së Triestes kishte vendosur që Karl Gega të shpallej qytetar nderi i Triestes. Gega është i varrosur në Varrezat Qendrore të Vjenës, ndërsa hekurudha e tij përjetësisht ka hyrë në listën e UNESCO-s si trashëgimi botërore. Kartëmonedha e 20 shilingëve e vitit 1967 bartte portretin e Karl Gegës. Në disa vendbanime austriake rrugët mbajnë emrin e tij, siç e mban edhe një rrugë në Prishtinë dhe një në Tiranë. Deri së voni mendohej se Gega, i cili ishte ankuar se për shkak të punëve të tij s’kishte kohë për kënaqësi, nuk kishte lënë trashëgimtarë. Biografi i tij austriak Wolfgang Straub ka arritur të gjejë pak të dhëna për jetën private të Gegës, i cili s’u martua kurrë. Por, hulumtimet e kontabilistit vjenez Nikolaus Wallner ofrojnë mjaft të dhëna se wordpress Gega kishte së paku një djalë. E ëma i kishte thënë Wallnerit se ai është «stër-stër-stërnip i Karl Gegës». Siç njoftonte gazeta «Wiener Zeitung» para disa vitesh Nikolaus Wallner gjatë hulumtimeve të rrënjëve familjare kishte zbuluar se stër-stër-stërgjyshja e tij Franziska Wallner kishte punuar në vitet 1852/53 si argate gjatë ndërtimit të hekurudhës së Semmeringut. Atëbotë ajo ishte 24-vjeçare dhe më 3 dhjetor 1853 lindi një fëmijë jashtëmartesor, i cili u quajt Carl Franz Wallner. «Të dy emrat tregojnë qartë për të dy prindërit», është i bindur Nicolas Wallner – dhe këtij versioni i beson edhe biografi i Karl Gegës, Wolfgang Straub.
Duke qenë qytet i shumë etnive Trieste u zgjodh nga patriotët shqiptarë si vend ku në pranverë të vitit 1913 do të mbahej «Kongresi i Triestit». Në këtë takim iu shpreh përkrahje qeverisë së Ismail Bej Vlorës dhe u diskutua për shumë çështje të rëndësishme të Shqipërisë, e cila pak muaj më parë ishte bërë e pavarur nga Perandoria Osmane. Në Kongresin e Triestes morën pjesë rreth 150 përfaqësues nga Shqipëria, Rumunia, Bullgaria, Italia, Egjipti, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç shkruan studiuesi Robert Elsie duke u bazuar në të dhënat e aristokratit hungarez dhe albanologut Franz Baron Nopcsa, i cili po ashtu mori pjesë në Kongresin e Triestes, delegatët shqiptarë folën edhe për çështjen e fronit të zbrazët shqiptar. Si pretendues të fronit u përmendën këta emra: Ferdinand François Bourbon Orléans-Montpensier nga Franca, Albert Ghika nga Rumunia, gjermani Urach Graf von Württemberg, princi egjiptian Ahmed Fuad dhe Juan Aladro Castriota, i biri i Marchese Castriota nga Napoli. Fronin shqiptar e mori krejt dikush tjetër: gjermani Wilhelm Friedrich Heinrich Prinz zu Wied, i cili u dëbua pas pak muajsh nga Shqipëria.
Në mars të vitit 1992 në Trieste u takuan lideri demokrat Sali Berisha dhe ai socialist Fatos Nano. Ata erdhën në këtë qytet për të marrë pjesë në një simpozium të Partisë Socialiste Italiane, por fotografitë nga darka e tyre e përbashkët kanë betonuar mitin e radhës të politikës shqiptare, sipas të cilit në Trieste Berisha dhe Nano u morën vesh për të ndarë pushtetin gjatë viteve në vijim. Këtë e ka pohuar politikani socialist Servet Pëllumbi, por Berisha ka hedhur një pretendim të tillë duke e quajtur Pëllumbin «sovjetik këmbë e krye». Përafërsisht në atë kohë, kur Shqipëria po futej në një cikël polarizimi ekstrem politik, prej të cilit nuk po arrin të dalë as sot, në Trieste erdhi një udhëtar me emrin Ardian Klosi. Në çantë ai kishte diplomën, e cila dëshmonte se kishte kryer doktoratën në letërsi në Universitetin e Innsbruckut në Austri. Kur u nis trajekti nga porti i Triestes në drejtim të Durrësit, studiuesi mendonte ta hidhte diplomën në det, sepse ishte i bindur se kualifikime të tilla nuk çmohen në atdheun e tij. Jeta, vepra dhe vuajtja e Ardian Klosit e konfirmojnë frikën e tij. Atij ia mori jetën Shqipëria e keqe./dialoguplus