I bëj këto ndërhyrje i ngacmuar nga viti 1964, kur u botua “Zhurma e erërave të dikurshme”, kur isha një gazetar te “Zëri i Popullit” dhe kur kisha një apartament me dy dhoma të vogla, ku jetonim unë, Sadija, nëna ime, im atë dhe një mbesë. Tani ta lëmë mënjanë këtë tregim dhe të themi se çfarë është botimi i ri i librit. Në këtë botim janë shtuar tregimet e “Zhurmës”, por edhe disa të tjerë të botuara në gazetën “Drita” dhe në revistën “Nëntori” në vitin 1986 si “Nipi plëngprishës”, “Martesa e Pasho Vleçanit”, “Nderi i heshtur” e dy, tre të tjerë. Këto tregime janë shtuar se kanë pasur të njëjtin fat si të librit. Ato u botuan para Kongresit të 9 të PPSH-së, kur duhej një entuziazëm pas vdekjes së Enver Hoxhës, që ma merr mendja se edhe ai do t’i pëlqente. Por udhëheqësit e rinj shtrembëruan buzët. Sekretari i KQ-së të PPSH-së, Foto Çami, dërgoi ndihmësit e tij në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe në redaksinë e gazetave për t’i dënuar këto tregime. Pastaj dha wordpress urdhër nëpërmjet instruktorëve të komiteteve të partisë në rrethe, që nëpër shkolla të ndalohej leximi i tregimeve të mia. Kur e mora vesh këtë histori, shkova në KQ te Foto Çami e takova dhe i thashë se unë isha kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i KQ-së të Partisë së Punës, pse nuk më kishin thirrur për gabimet ideologjike të tregimeve? Foto Çami bëri mëk-mëk dhe kaq. Kushedi nga i kishte urdhrat i gjori. Kjo është e djeshmja. Është një ditë që ka ikur dhe nuk mund ta kthesh si një fletë letre për ta redaktuar …(Gazeta Shqip)