Trapi i shpëtimit

Nga Klodian Pasku
Student Filozofie në Universitetin e Milanos

Gjatë një bisede që pata me një mikun tim italian në lidhje me krizën ekonomike, e cila ka përfshirë perëndimin, por sidomos Italinë, u fol edhe për mundësinë e “mbytjes së varkës” (për përkeqësimin e gjendjes ekonomike të Italisë dhe rrezikun që i kanoset asaj, për t’u kthyer në një vend tepër problematik si në rastin e Greqisë). Në fakt thellimi i krizës rrezikon disa prej vendeve të Bashkimit Evropian. Kryesisht ekonomitë më të dobëta si: Spanja, Portugalia dhe Italia.
Megjithëse Italia është një nga vendet më të industrializuara të botës, vazhdon të tkurret ekonomikisht. Iu bashkua G5-s më 75-n, duke u bërë kështu vendi i gjashtë. Pas G6-s çdo vend tjetër i industrializuar, i cili është bërë pjesë e kësaj organizate, e ka zbythur Italinë në renditjen e vendeve më të industrializuara, në vendin e shtatë, të tetë apo më poshtë.
Në detin e ekonomisë botërore shtetet u ngjajnë mjeteve të ndryshme lundruese, aeroplanmbajtësve, kryqëzorëve, anijeve të peshkimit apo varkave. Një ekonomi si e Italisë, e cila dikur ngjante me një traget të madh, për shkak të krizës së viteve të fundit ka humbur përmasat e saj të vërteta dhe po kthehet në një varkë, që lëkundet vazhdimisht prej dallgëve.
Lind natyrshëm pyetja: “Si të shpëtojmë prej mbytjes, nëse fundoset varka?”
Ç’është e vërteta, shumë italianë kanë marrë sërish rrugën e mërgimit njëlloj si gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre para 50, 100 apo 150 viteve. Janë larguar, para se Sketinoja i radhës në krye të qeverisë ta shpjerë vendin drejt katastrofës. Shumë të tjerë rrezikojnë të mbyten bashkë me varkën, duke mos e shmangur dot të keqen dhe duke mos patur një rrugë ose një alternativë shpëtimi.
Por a janë vallë të gjitha kategoritë, të cilat popullojnë Gadishullin Apenin, të rrezikuara në të njëjtën mënyrë? Natyrisht që jo. Më të prekurit janë emigrantët e të gjitha kombësive; sidomos ata emigrantë që vijnë prej vendeve, të cilat nuk janë pjesë e BE-së.
Teorikisht emigrantët e kanë një alternativë shpëtimi. Nëse varka italiane fillon të fusë ujë dhe shkon drejt mbytjes, emigrantët kanë varkën e tyre të shpëtimit, vendin e tyre të origjinës. Pra, të pasurit një atdhe të dytë është një alternativë shpëtimi.
Dhe këtu hyn në lojë Shqipëria. Ne wordpress shqiptarët mund të quhemi me fat, sepse “varkën e shpëtimit” e kemi të lidhur aty, në bregun tjetër të Adriatikut. Madje kur varka greke po mbytej, qindra-mijëra shqiptarë të emigruar në Greqi e braktisën atë dhe u kthyen te “varka” e tyre e vjetër. Por a ka vallë kapacitet varka shqiptare, për të përballuar këtë fluks udhëtarësh? Mos vallë rrezikon edhe ajo mbytjen; ndoshta jo vetëm prej mbipopullimit me të riatdhesuar, por edhe prej vet ekonomisë së brishtë shqiptare? Më mirë të mos e mendojmë të keqen dhe, natyrisht të shpresojmë më të mirën!
I qaj hallin mikut tim italian, për pamundësinë që ka, për t’u larguar prej varkës, e cila rrezikon mbytjen dhe për pamundësinë e pasjes së një atdheu të dytë alternativ si varkë shpëtimi. Por, meqenëse ne shqiptarëve na pëlqen të mburremi nga pak, i them mikut tim, që, sido që të shkojnë punët, ne shqiptarët e kemi varkën tonë të shpëtimit.
Në bisedë e sipër, në fakt, më lind një dyshim. Shqipëria varkë?! E kur ka qenë Shqipëria ndonjëherë kaq e rregullt, e ndërtuar dhe e zhvilluar, sa për t’u krahasuar me një varkë si Italia?! Pra, rrezikoj edhe unë ndoshta fundosjen bashkë me varkën italiane, nëse Shqipëria jonë e dashur nuk përmbush dot kushtet për të qenë një varkë?!
Por Shqipëria sidoqoftë pluskon. Pluskon, por nuk mbytet. Ç’të jetë vallë?! Varkë jo…
Një trap! E gjeta! Shqipëria është një trap që lundron.
Oh, sa mirë! Shpëtova! Trapi nuk mbytet kurrë. Hidhet e përdridhet; kthehet, rrotullohet dhe përsëri pluskon. Por edhe trapi e ka pikën e tij të dobët, çarjen.
E pra, le të shpresojmë që trapi ynë i shpëtimit të mos të çahet kurrë…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *