Cikli “Shqipëria nga brenda dhe jashtë” vijon me ekspozitën “Tirana në rrugëtim” të Virginie Caquot, në kuadër të shkëmbimeve kulturore Francë – Shqipëri dhe marrëveshjes “Les temps forts entre l’Albanie et la France” . Të ftuar artistë, fotografë, përfaqësues të trupit diplomatik, publicistikës, shoqërisë civile e studentë.
E hapur në COD nga data 15-31 maj, ekspozita sjell imazhe të Tiranës, përgjatë rrugëve të saj, në dy vitet e fundit.
Sipas Caquot: “Ka shumë ndjesi në situatat e reja… Muajt pas mbërritjes janë më të rëndësishmit në kapjen e hendekut midis mënyrës se si shpërfaqet një vend dhe asaj ç’ka është në të vërtetë. Prandaj duhet të dalësh, të ecësh, të ndalesh, të humbasësh, të përvetësosh hapësirën e të thithësh çdo gjë nga ajo ç’ka percepton, ajo që sheh, dëgjon dhe ndien”. Në këtë mënyrë, qyteti ndryshon dhe evuolon në sytë e atij që e sheh pas objektivit e përmes tij, fikson kundërvënie e pranëvënie realitetesh.
Më herët, Caquot ka prezantuar projektet e veta në Forumin e COD, dhe punimet e saj kudo nëpër Shqipëri. Në këtë rast, duke zgjedhur një qasje artistike që e sheh Tiranën “së jashtmi” bardhë e zi, në mjediset e Qendrës reflektohen njëri pas tjetrit momente të jetës së përditshme në kryeqytet, të ritreguara me mjeshtërinë e fotografes.
Virginie Caquot, e lindur në veri të Francës, u diplomua për Shkenca Humane. Fillimisht punoi si mësuese e më pas iu dedikua fotografisë, të cilën e praktikon prej 20 vjetësh. Pas tre viteve në Brazil (2012 – 2015), aktualisht jeton e punon në Tiranë, si fotografe e pavarur.