A jemi në gjendje të ruajmë një këndvështrim pozitiv ndaj jetës me gjithë bukurinë dhe mrekullinë, por edhe vuajtjen dhe paparashikueshmërinë e saj? Fridrih Niçe thotë ‘po,’ për sa kohë hedhim poshtë themelet metafizike mbi të cilat bota është ngritur.
Vështirë të gjendet një frazë tjetër e krahahsueshme me të në historinë e mendimit perëndimor. Ndonëse sot mbushen plot 148 vite nga koha kur u shkrua, interpretimi i saj, shpesh vijon t’i largohet synimeve të autorit. Megjithatë, kuptimi i saj është në fakt tejet i thjeshtë.
Fraza është: “Zoti ka vdekur.”
Ajo u shfaq për herë të parë në vitin 1882 në librin “Shkenca e Gëzuar” të filozofit gjerman, Fridrih Niçe. Megjithatë, kjo fjali u bë e njohur kryesisht përmes një tjetër vepre të tij, “Kështu Foli Zarathustra.” Një libër i pazakontë, i përshkuar nga metafora dhe frymëzime lirie, ai parashikon ardhjen e një epoke të re. Profeti i saj do të jetë Zarathustra, emrin e të cilit Niçe e përvetësoi nga një prift i antikitetit pers, i cili pati themeluar Zoroastrianizmin, një nga besimet më të vjetra monoteiste në botë. Nga ana tjetër, pavarësisht misticizimit të Zarathustras, vetë mesazhi i tij nuk ka lidhje me idetë fetare. Përkundrazi, ai madje deklaron se Zoti ka vdekur. Për këtë arsye, ai ju kërkon njerëzve të rivlerësojnë nga e para gjithçka në lidhje me botën dhe veten e tyre.
Një profet i ri
Por, çfarë nënkuton “vdekja e zotit?” Qartësisht, nuk do të thotë se, pas një ekzistence të përjetshme në qiell, Zoti thjesht resht së ekzistuari. Në fakt, “vdekja e Zotit” nuk është tjetër veçse një metaforë për momentin historik, të cilit Niçe i parapriu në veprën e tij. Momenti kur feja, qoftë si një mënyrë e perceptimit të realitetit, por edhe si doktrinë, do të shpërbëhej pa kthim.
Sipas Niçes, këto ishin pasojat e proceseve të nisura me rilindjen humaniste në Europë. Pavarësia e arsyes njerëzore, hedhja e themeleve të shkencës moderne dhe shkëputja nga ajo çfarë Kanti e quante papjekuri e vetëshkaktuar, të gjitha këto nxitën bjerrjen e kënvështrimit fetar ndaj botës. Ishte e hera e parë kur, njerëzimi më në fund kishte mjetet e duhura për të dalluar mitologjinë nga dijet, çka vinte në dyshim mësimet e fesë dhe priftërinjve. Tanimë, për njerëzimin qe e mundur të kuptonte se pushteti dhe statusi shoqëror që feja kishte gëzuar gjer në atë kohë, ngrihej në fakt mbi themele thuajse fantazmagorike.
Vlera të reja
Cili është thelbi i këtij mesazhi? Ai mund të shprehet plotësisht përmes një fjale të vetme: pohim. Njeriu, fati i të cilit nuk ruhet më nga hyjnia, njeriu i pavarur nga institucionet fetare që dikur e kishin zhveshur nga pushteti, njeriu që merr përsipër gjithë cilësitë dhe mundësitë e mrekullive, te cilat gjer atëhere i gëzonte vetëm Zoti, vetëm ky lloj njeriu është në gjendje t’i thotë “po,” botës me gjithë kaosin, mizorinë dhe kotësinë e saj. Vetëm ai pohim, që merr ndër sy të gjithë këtë, pa u rrekur ta fshehë kotësinë dhe mizorinë e botës nëpërmjet rrëfenjave të gjykimit përfundimtar, vetëm ky lloj pohimi mund të quhet në fakt i tillë.
Por, për të arritur tek ky pohim, njeriut i duhet fillimisht të bëhet i vetëdijshëm për situatën në të cilën gjendet. Sipas Niçes, Krishtërimi ishte një besim i ngritur mbi mërinë e, rrjedhimisht qëndronte mbi themelet e zilisë dhe mërisë, që të dobëtit ushqejnë ndaj të fortit. Zili, e cila është institucionalizuar dhe shfrytëzuar në një system wordpress të tillë mitologjik, në qendër të të cilit gjendet vetë figura e shenjtëruar e dobësisë, përuljes dhe modestisë. Për Niçen, kjo s’është tjetër veçse një metodë sistematike për t’i mohuar njeriut forcën e tij dhe njëkohësisht për të nxitur ata, të cilët vullnetarisht kanë hequr dorë prej saj.
Njeriu i ri
Ky ishte edhe këndvështrimi i Niçes për vetë epokën në të cilën jetoi. Ai e shihte atë si një botë, në të cilën njerëzit nuk mund të përparonin, ndërsa qenë tërësisht të shkëputur nga çdo lloj burimi frymëzimi. Krishtërimi bashkë me kënaqsinë që fal rreziku dhe një lloj adhurimi ndaj mediokritetit përbënin disa nga faktorët që e kishin çuar njerëzimin në këtë gjendje. Me një intuitë të beftë dhe brilante, duke parandjerë ndoshta tronditjet që do të sillte shekulli i 20-të, Niçe deklaroi se nevojitej mbinjeriu, i cili do të mund të triumfonte ndaj klasifikimit të sistemit të vjetër të vlerave.
Disa dekada më pas, konceptit të mbinjeriut do t’i bëhej një interpretim i tmerrshëm nga lëvizja Naziste gjermane, përfaqësuesit e të cilës qenë gjithmonë të gatshëm t’i referoheshin filozofisë së Niçes. Arsyeja kryesore për këtë ishte sepse Elisabet Forster-Niçe, motra e filozofit ushqente ndjenja të forta anti-semite dhe nacionaliste, ndërsa bënte pjesë në Partinë Naziste. Ishte pikërisht ajo, e cila manipuloi me kujdes mesazhin e veprës së të vëllai. Niçe nuk kishte kurrfarë lidhjeje me idologjinë nacional-socialiste. Madje, nëse do të kish jetuar në të njëjtën kohë me Hitlerin, me siguri do të ushqente një neveri ta pafund ndaj tij.
Gjithçka përsëritet
Pohimi i plotë i jetës, me gjithë mrekullinë dhe mizorinë e saj; me pasionin dhe dëshirën për rend, nuk do të ishte i plotë po të mos qe edhe për një tjetër cilësi të botës, që sipas Niçes ishte një tjetër rrjedhojë e distancimit nga ideja e hyjnisë dhe gjykimit final. Kjo veti, sipas tij ishte se gjithçka rikthehet në fillimin e saj dhe ky process vijon përjetësisht. Bota është një tërësi e përjetshme, por që ka një fund, deklaron Zarathustra. Gjithçka në të vdes dhe rilind përjetësisht. Rrjedhimisht, ndonëse nevojitet një kohë tejet e gjatë, gjithçka në lidhje me situatën aktuale do të përsëritet në mënyrë identike. Me fjalë të tjera, nuk do të ketë as shpëtim e as çlirim dhe gjykimi përfundimtar nuk do të ndodhë kurrë. Jetët tona do të përsëriten përjetësisht ashtu siç kanë ndodhur, sekondë për sekondë, minutë për minutë, ditë për ditë.
Kjo mund të shihet padyshim si arsye për të rënë në dëshpërim, por mund edhe t’i dorëzohemi asaj me paÇsion. Duke qenë se është e destinuar që gjërat të ndjekin këtë rrjedhë, ashtu si gjithçka do të përsëritet pafundësisht, përse të mos përballemi me të, siç thotë Niçe, me pasion dhe kënaqësi. Dhe vërtet, përse jo?/Shqip:Bjorn Runa