Thomas Mann/NJË NOBEL PËR HERMANN HESSEN!

Thomas Mann/NJË NOBEL PËR HERMANN HESSEN

Më 22 janar 1933, kur gjermanët nëpërmjet një peticioni e kishin propozuar shkrimtarin Hermann Stehr për çmimin Nobel për letërsi, Thomas Mann-i, që e kishte marrë këtë çmim katër vjet më parë (1929) dhe që kishte të drejtën e propozimit, refuzon ta nënshkruajë peticionin dhe i shkruan profesorit dhe anëtarit të Akademisë Suedeze, Fredrik Böök, se ky çmim duhej t’i jepej një Hermann-i tjetër.]

22 JANAR 1933:

Ju e dini, sigurisht, për cilin e kam fjalën. Prej vitesh vota ime shkon për Hermann Hesse-n, autorin e “Ujkut të stepës”, të romanit të mrekullueshëm poetik “Narcisi dhe Gojarti”, apo “Udhëtim në Lindje”, e mos t’i përmendim “Demian”-in, “Camenzind”-in, çdonjëra prej të cilave ka ushtruar një ndikim të thellë në Gjermani, në rininë gjermane, si dhe në vende të tjera. Për pasojë, përkrahja e madhe që Stehr-i ka gjetur tani nuk mund ta luhatë bindjen time personale se përveç të qenët më super-gjerman dhe i pranueshëm për botën në përgjithësi, Hermann Hesse është më i dashur si shkrimtar. Prandaj, kërkoj të mos habiteni nëse emri im mungon në peticionin aktual. Siç i kam thënë edhe botuesit, ky abstenim imi nuk duhet nënkuptuar si nënvlerësim ndaj Stehr-it; por domethënë se kandidati që unë zgjedh nuk është ky mistik i magjepsur, por është Hermann Hesse, i cili e ka fituar zemrën time me magjinë e formës dhe sharmin e përzierjes së romantizmit me elementet psikologjike moderne. Kaq për qëndrimin tim, i dashur Profesor. Ndoshta Komiteti ka krejt të tjera plane, që nuk lidhen fare me Gjermaninë, por për çdo rast mendova të jem në paqe me vetveten.

4 SHKURT 1934:

Le të kthehem te dëshira të cilën tashmë e kam shprehur. Dhënia e çmimit Nobel shkrimtarit Ivan Bunin më gëzoi mjaft. Një zgjedhje e goditur. Por jepjani çmimin, sidomos kësaj here, Gjermanisë! Jo ndonjë skllavi a servili të shtetit totalitar, por një njeriu të lirë: kurorëzojeni krijimtarinë e Hermann Hesse-s me të! Ai është svabian me origjinë, por me shtetësi zvicerane, dhe jeton në Montagnola. Duke e nderuar atë, ju e nderoni Zvicrën po aq sa Gjermaninë e vjetër, atë të vërtetën, të pastrën, spiritualen dhe të përhershmen. Unë besoj se bota do ta kuptojë, dhe kjo Gjermani, e cila tani vuan në heshtje, do t’ju falënderojë nga thellësia e zemrës.

18 KORRIK 1934:

Jam kureshtar ta di se kujt do t’ia jepni çmimin sivjet. Franca meriton të shpërblehet, por është e kuptueshme që unë interesohem për shkrimtarët e gjuhës sime. Ju tashmë e dini, dhe unë dua t’jua rikujtoj prapë, se cilin koleg gjerman kam qejf më së shumti ta shoh të kurorëzuar me këtë çmim. Ky është Hermann Hesse, vepra e të cilit, me miksturën magjike të elementeve psikologjike dhe elementeve tradicionale mbetet kaq e dashur në Gjermani, përtej kufijve gjuhësorë e politikë të Rajhut. Ju e kuptoni pse sugjerimi im që e kam bërë më parë në rrethana të tjera, sot më duket edhe më i qëlluar, dhe pse e marr kaq për zemër. Komiteti publikisht do të nderojë dhe kurorëzojë diçka që është vërtet dhe mirëfilli gjermane, pa u lënë vend keqkuptimeve – askush nuk mund ta akuzojë Komitetin nëse nderon dhe kurorëzon diçka tjetër, në të njëjtën kohë – një keqkuptim që mund të jetë i pashmangshëm nëse çmimi i jepet ndonjë anëtari të Akademisë së Berlinit.
Unë guxoj të shpresoj, i dashur Profesor, që ju nuk do t’i shihni këto vërejtje si të parëndësishme. Nëpërmjet tyre foli zemra ime gjermane – për çka don dhe çka urren.

2 KORRIK 1937 (botuar në Neue wordpress Zürcher Zeitung):

Sot është ditëlindja e gjashtëdhjetë e Hermann Hesse-s. Një ditë e madhe, e bukur, për t’u mbajtur mend. Duke e festuar këtë ditë ne po i shpëtojmë shpirtrat tanë – pas dëbimit nga atdheu, pas humbjes së atdheut. Ne sot jemi gjermanë me gjithë zemër. Jemi të lumtur që kemi shpirt gjerman, dhe me thellësi, shkathtësi, krenari, ndihemi mirëfilli gjermanë. Sepse s’ka asgjë më gjermane sesa ky autor dhe vepra e tij.
Prej vitesh e kam zgjedhur këtë autor si më të afërmin dhe më të dashurin e brezit tim letrar dhe e kam përcjellë rritën e tij me një simpati të ushqyer nga ngjashmëritë dhe dallimet tona. Disa herë më ka mahnitur, si me veprën e fundit, “Loja e rruazave prej qelqi”, të cilën e lexova “sikur të ishte pjesë e imja”.
Unë e dua këtë njeri, vrojtues të qetë, me pamje dinake e dashamirëse, që sheh qartë e thellë pavarësisht shikimit të dobësuar, me atë fytyrë të mprehtë të origjinës svabiane. Personalisht nuk e kisha takuar asnjëherë, deri para katër vjetësh. Në atë kohë, kur po vuaja nga tronditja e humbjes së atdheut, shtëpisë, vatrës, shpesh shkoja ta shihja në shtëpinë dhe kopshtin e bukur në Ticino (Zvicër). Sa ia kisha zili, jo pse jetonte në një vend të lirë, por sidomos për ndikimin që pati në mua liria e tij shpirtërore, një liri që ai e kishte fituar shumë herët, dhe natyrisht për refuzimin filozofik ndaj politikës gjermane. Në atë kohë të pështjellimit, nuk mund të kishte diçka më të mirë dhe më shpëtimtare sesa ato biseda me të.
Kështu që, edhe një herë: faleminderit dhe urime! … [Pas leximit të]projekt-ëndrrës së frikshme, “Loja e rruazave prej qelqi”, uroj t’i përmbushen të gjitha dëshirat. Edhe pse atij nuk i bën fare përshtypje, siç s’do të duhej të na bënte as ne, shpresojmë që fama e tij të shtrihet edhe më gjerë e gjatë, dhe t’i sjellë nderimin që e meriton prej kohësh, por që tani do të kishte një kuptim të veçantë: çmimin Nobel për Letërsi.

(Post Scriptum: Hermann Hesse u laureua me çmimin Nobel, në vitin 1946. Për arsye shëndetësore, Hesse nuk shkoi në ceremoninë solemne, por ua dërgoi një letër të shkurtër falënderimi, ku theksoi se “mendja është ndërkombëtare dhe mbikombëtare, dhe duhet t’i shërbejë jo luftës e asgjësimit, por paqes dhe pajtimit”. Ndërkaq, kryetari i Akademisë tha për të: “Hermann Hesse ka bërë betejë kundër mikrobeve të shpirtit në fushën e letërsisë. Ai është përpjekur të na nxjerrë nga këneta. Ai klith: Ec përpara, hip më lart, mposhte veten! Ne mund të arrijmë harmoni dhe paqe vetëm kur ta kemi vrarë egoizmin brenda nesh. Ky është mesazhi i Hesses për njerëzit e një epoke shkatërrimtare, të shurdhuar nga klithmat e vetëshfajësimit nga Lindja dhe nga Perëndimi. Si filozof i thellë dhe si kritik i guximshëm i bashkëkohësisë, Hesse e meriton çmimin Nobel”.)

© Ag Apolloni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *