Sa herë që shikoja skicat e Dhimitër Theoharit çuditërisht gjeja asosiacion me imazhet që kisha parë nga një libër i poetit, piktorit dhe kineastit francez Jean Cocteau-së ku ai fliste për shfaqjen e baletit të famshëm «Parade», me tekstin e tij, kostumet e dekoret e Picasso-s, muzikën e Eric Satié dhe koreografinë e Diaghilev. Ishte një paradë metaforash, simbolesh, kostumesh të mrekullueshme plot ngjyra që krijonin në skenën e teatrit një harmoni të gëzueshme dhe të habitshme për spektatorin e pamësuar me modernitetin, i cili në epokën e «Belle epoque» po shfaqej në skenën e artit të fillimit të shekullit XX, kur do të lulëzonin më pas dadaizmi, surrealizmi, shkolla e korente të tjera artistike nga më tronditëset e fundit të mijëvjeçarit. Ja pse dhe poeti simbolist Apollinaire e kishte quajtur këtë vepër «sur-realiste».
Unë nuk pata mundësi ta shoh Theoharin në mjedisin e tij të krijimit, në studion ku punonte apo atë dhomëz të vogël të mbushur me letrat e artistit dhe vizatimet e shumta, pasi arti i tij ishte vetmitar, krijohej në heshtje, larg artit «revolucionar», larg ideologjisë, përvjetoreve, etj. Ai e jetote modernitetin në intimitetin e tij, me figurat që krijonte, çka rrallë e gjen në historinë e artit por që në një Shqipëri të izoluar e të veçuar nga bota, ky modernitet krijohej e përjetohej fshehurazi, nga frika e goditjeve ndaj artistit «modern». Kostumet dhe dekoret e piktorit Ali Oseku në operan Traviata në teatrin e operas së Tiranës, fustanet e personazhit me ato gjethe të verdha të vjeshtës, ishte për të një referencë se moderniteti mund të ndëshkohej me një ashpërsi jakobine të llojit të Robespierit, i cili në sheshin e Parisit kishte ngritur gijotinën e kokave të prera.
Dhimitër Theohari ishte një njeri i admirueshëm dhe mjaft i rezervuar njëkohësisht. Vallë ishte kështu që në fëmijërinë e tij apo ngjarjet e «revolucionit kulturor» maoist në Shqipëri e bënë kështu fjalëpakë duke ruajtur të pandryshuar mirësinë e tij? Një mirësi që spikaste në një qenie që jetonte veç për artin, që pulsonte me artin, me një simbiozë gati të fshehtë nga bota e krijuar rreth tij. Theohari nuk ishte thjesht një talent i ngjyrave dhe formave, i krijimit të tablove jetësore, të peizazheve dhe fytyrave njerëzore, por ai ishte gjithashtu dhe një njeri i kulturës që përtej izolimit totalitar kërkonte të njihte më tej atë çka krijohej në Perëndim dhe që disa herë më ka kërkuar ta ndihmoj që në Bibliotekën kombëtare t’i krijohej mundësia e leximit të literaturës së huaj dhe litaraturës profesionale me pretekstin e nevojave për informacion rreth kostumeve të huaja për personazhet e filmit. Në atë kohë, në Kinostudio, veçanërisht në vitet 1985-1988, ne porosisnim si literaturë të huaj dhe revistat kinematografike si Cahiers du Cinema, l’Avant scène du cinema, Sight and Sound, Bianco e Nero, Progresso Fotografico, etj, dhe një frymë e re zhvillohej në një lloj klandestiniteti, brenda mureve të mbyllura të bibliotekës së Kinostudios, ku mbyllur me çels, Theoharin e gjeja shpesh duke shfletuar këtë lloj literature.
Gjatë xhirimit të filmit Vajzat me koderle të kuqe, ku kisha shkruar skenarin bashkë me regjisorin Gëzim Erebara, shpesh qëndronim në shesh të xhirimit, bisedonim në korridoret e Kinostudios me Erebarën apo operatorin Faruk Basha dhe interesi i tij ishte i jashtëzakonshëm për kinematografinë e «Nouvelle Vague» franceze, e gjeneratës së re kinematografike të viteve 60-70. wordpress Puna e tij ishte padyshim një kontribut në realizmin me sukses të këtij filmi duke krijuar një atmosferë realiste dhe mjaft spikatëse gjatë gjithë filmit, aq sa imazhet e këtij filmi mund të përdoren si një «efekt dokumentar» për të ilustruar një kohë historike të caktuar siç ishte ajo e rinisë shqiptare në kohën e fashizmit italian në Shqipëri. Vizatimet e tij ishin «croquis» të hedhura njëherësh, më pas të ngjyrosura, apo të pikturuara direkt në ngjyrë, linja elegante që krijonin lëvizjen e personazhit, lëvizjen që i jep njëkohësisht jetë e vërtetësi. Por dhe nëp ikturën e tij figurative, peizazhin, p.sh. ai nuk jepej shumë pas detajeve, të cilat ndoshta i cilësonte si mbingarkesë e tepërt të personazhit apo të imazhit, por nëpërmjet një linje të thjeshtë dhe ngjyre spikatëse, ai arrinte të jepte thelbin e saj në një mënyrë që e bënte figurën moderne.
Theohari më kishte mbetur si një imazh i ëmbël, si një vetmitar i linjës poetike e moderne, si një vjeshtë e drithëruar por e bukur, ku artisti donte veç artin, pa menduar se veç artit dhe duhej jetuar, duhej gëzuar aventura e jetës. Ishte Artan Shabani që na e risolli atë me një prurje të hatashme, gjer dhe vizatimet e piktorit që janë krijuar në hapësirat bosh të një libri algjebre. Ai na e risolli me një përkushtim të mahnitshëm, duke e pikëtakuar Theoharin fare rastësisht, kur vizatimet e tij shiteshin dy lekë copa, si letra pa vlerë në rrugë, e ku ai i bleu, i mblodhi, i grumbulloi në mahnitjen pas vizatimit, duke zbuluar se kishte të bënte me një artist të vërtetë. Kur ai më tregonte sesi i kishte gjetur ato në një ditë pazari, kjo më kujtoi një nga zbuluesit e piktorit të famshëm francez George de la Tour. Dhe Shabani jo vetëm e zbuloi, por edhe i botoi në një botim të jashtëzakonshëm që deri tani nuk është bërë për një piktor kostumesh, për një piktori të filmit apo teatrit. Të ngjan se Shabani shkoi në shtratin e tij të harruar dhe e zgjoi, për ta ftuar përsëri mes nesh, në botën e artit, për ti treguar botës shqiptare se edhe një piktor kostumesh e dekoresh është një artist, ashtu si Picasso që dikur vizatonte e pikturonte dekoret dhe kostumet e pjesëve teatrale.
Të zgjosh nga gjumi i thellë një artist nuk është gjë e lehtë, pasi duhet të kapërcesh pragun midis jetës dhe vdekjes, do të thotë ti rrëmbesh errësirës totale artistin, do të thotë të trokasësh pa lejen e vetë artistit për ta nxjerrë atë në dritë, dhe në këtë dritë, mua më duket se Shabani i ka bërë një shërbim të vërtetë artit shqiptar…/ Luan Rama