Teatri kombëtar ka mbetur sërish sot pa energji elektrike. Ndërsa ishte lajmëruar në orën 11:00 konferenca për mediat për premierën “Opera për tre grosh”, mungesa e energjisë e ka shtyrë deri në anulim atë. Rreth orës 11:20 një grup nga OSHEE është paraqitur pranë Teatrit Kombëtar për të mundësuar ndriçimin me gjenerator.
Është e disata herë që energjia elektrike shkëputet në Teatrin Kombëtar dhe në atë Eksperimental “Kujtim Spahivogli” gjatë këtyre ditëve. Dritat janë fikur edhe në mes të shfaqjeve dhe është dashur të pritet ardhja e grupit të OSHEE me gjenerator për vijimin e shfaqjeve.
Mësohet se problemi është krijuar me ndërtimin e Unazës së Re, e cila është bërë shkak për ndërrimin e linjave në nënstacionin elektrik pranë Muzeut Kombëtar, nënstacion i cili furnizon me energji qendrën e Tiranës.
Shfaqja “Opera për tri grosh” e Vaclav Havel me regji të Mehmet Xhelilit vjen në skenën e TK sonte në mbrëmje si premierë dhe ditët në vijim në orën 19:00.
“Opera për tre grosh”është një nga komeditë më të veçanta të autorit Vaclav Havel. Me regji nga Mehmet Xhelili, wordpress skenograf Genci Shkodrani, kostumografe Anila Zajmi-Katanolli, kompozitor Endri Sina ajo vjen nën interpretimin e aktorëve Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Vasjan Lami, Adelina Muca, Olta Gixhari, Laura Nezha, Niada Saliasi, Lulzim Zeqja, Eva Alikaj, Erjona Kakeli, Anila Bisha, Rajmonda Bulku, Arjola Basho, Julinda Emiri, Gert Ferra, Genti Decka, Gent Hazizi, Igli Zarka, Xhuliano Brisku. “Opera për tre grosh” do të vazhdojë të shfaqet dhe në dt. 10-11 dhjetor. BW