“Edukim dhe zbavitje”- e quajti Ministrja Kumbaro projektin më të ri të programit “Edukim Përmes Kulturës” në takimin me nxënësit e Gjimnazi Sander Prosi në Sauk.
Ministrja e Kulturës bashkë me drejtorin e Teatri Kombetar ishin aty për t’i njohur të rinjtë më në detaje me projektin e quajtur “Klubi i Teatrit”, i cili hartohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Teatri Kombëtar ka nisur bashkëpunimin me shkollat e arsimit të mesëm në projektet: •Festivali i Klubeve të Teatrit • Debate artistike •Trajnime në grupe sipas prirjeve në fushën e teatrit
“Krijojmë dhe ndërtojmë bashkë me ju këtë klub teatri si një projekt pilot që mendojmë të shtrihet vitin e ardhshëm në të gjithë vendin”– shtoi Kumbaro në fjalën e saj.
Në kuadër të programit “Edukimi përmes Artit dhe Kulturës” , si një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës 2017-2021 do të organizohet Festivali i Klubeve të Teatrit, punë e cila ka nisur nga shtatori i vitit 2017 dhe pritet të përfundojë në muajin maj 2018. Në ndihmë të gjimnazistëve të cilët do të angazhohen në ndërtimin e një shfaqjeje e që është në vijimësi me programet mësimore, regjisori Armando Bora dhe dy aktorë të rinj të Teatrit Kombëtar Gjergj Mena dhe Xhuliano Brisku transmetuan tek gjimnazistët njohuritë dhe eksperiencat e tyre.
Teatri Kombëtar ka hartuar strategjinë e “Edukimit përmes artit e kulturës” me projektin Festivali i klubeve të teatrit në shkollat e arsimit të mesëm,si një projekt pilot për sezonin 2017-2018 dhe në sezonet e ardhshëm , urojmë të shtrihet, në më shumë zona periferike dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Grupi i TK ka nisur hartimin e këtij projekti në muajin Shtator 2017 për përzgjedhjen ,ngritjen,nxitjen dhe mbështetjen e grupeve të Klubit te Teatrit në shkollat e arsimit të mesëm dhe në shkollat periferike të Tiranës.
Ky projekt do të finalizohet me wordpress realizimin e një produksioni teatror nga klubet e teatrit të çdo gjimnazi, duke u mbështetur në programet e tyre shkollore dhe programit të provimeve të letërsisë. Gjimnazet që do të jenë pjesë e këtij projekti janë: •Gjimnazi “Sandër Prosi” (Sauk) •Gjimnazi “Sami Frashëri” •Instituti Harry Fultz •Gjimnazi “Abdulla Keta” (Shkozë) •Gjimnazi “Petro Nini Luarasi” •Gjimnazi “Ibrahim Hasmema “ (Mullet) Trajnime në grupe sipas prirjeve në fushën e teatrit Ky projekti u jep mundësinë të rinjve më të spikatur për të asistuar pranë trupës së personelit të TK , në aktrim,regji,skenografi, kostumografi ,make-up artistik, teknik audio e video, teknik ndriçimi etj. ku të rinjve më të talentuar do t’u jepet mundësia për t’u bërë pjesë e produksioneve të teatrit.
Ky projekt zhvillohet jo vetëm në identifikimin e elementeve të talentuar si aktorë apo regjisor, por edhe në identifikimin e elementeve të rinj me prirje profesionale të tjera që janë pjesë e rëndësishme e krijimit të një shfaqjeje teatrale. Të rinjtë me prirje si specialist i efekteve audio-vizuale për teatrin dhe teknikë ndriçimi do të trajnohen nga punonjësit e Teatrit Kombëtar dhe do të fitojnë një eksperiencë të vlefshme në këtë profesion.