Të rinjve ju rekomandoj të lexojnë At Zef Pllumin dhe Eqrem bej Vlorën!

Ermal Gjinaj është botues i bota.al, një portal, ndoshta i vetmi, që sjell perspektiva të thella të kronikës, analizës dhe studimit të politikës, por edhe historisë dhe marrdhënieve ndërkombëatre. Në ‘Çfarë po lexon?’, që politiko.al i dha Lutfi Dervishit për të plotësuar, ai tha, në një prej përgjigjeve, se lexonte çdo gjë që i rekomandonte Ermal Gjinaj. Kështuqë është rasti që t’ia marrim atij vetë këto rekomandime për lexuesit e Politiko.

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Në kuptimin e vitit të botimit? Besoj një botim i “Makbethit”, shqipëruar nga Fan Noli.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Përgjithësisht, i zgjedh nga zhanri.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Sigurisht, që jo. Ka plot libra në bibliotekën time që ende presin në radhë.

-Libri i parë që keni lexuar…

Ka qenë, me siguri, një libër për fëmijë dhe, të them të drejtën, nuk më kujtohet me saktësi titulli. Por, më kujtohet se rreth asaj kohe, nisën të botohen në seri veprat e përshtatura për fëmijë të Eskilit, Sofokliut, Euripidit etj. Sot e kësaj dite e kam të gjallë në mendje, kënaqësinë që shoqëronte blerjen e tyre.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Sërish në fëmijëri ka qenë. Më duket se “Aventurat e Tom Sojerit” i Mark Tueinit, edhe pse nuk jam 100 përqind i sigurt.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Që më herët mbaj mend që shkëmbeja me mikun tim të fëmijërisë, Elion. Kemi qenë me fat, sepse nëna ime, ashtu si edhe e tija, kanë qenë mësuese historie dhe gjuhe shqipe, dhe në shkollat respektive ku jepnin mësim, kishin biblioteka të mëdha, ku gjeje shumicën e titujve të kohës. Të dy ishim në garë kush gjente dhe lexonte librat më të bukur, dhe më pas i shkëmbenim. Më kujtohet që vizitat në bibliotekën e shkollës së mamasë ishin të mezipritura. Dilje nga një botë e hyje në një tjetër.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Po kam patur, edhe pse nuk është se e kam shfrytëzuar shumë për të tërhequr libra. E shfrytëzonim më shumë për sallën e leximit, një oaz i pakrahasueshëm qetësie, në një kohë “plot zhurmë”.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Sot nuk e frekuentoj më bibliotekën. Preferoj që librat të cilët më pëlqejnë, të jenë pjesë e bibliotekës time personale. Pastaj, teknologjia ka bërë që librat sot t’i kemi … vetëm një klikim larg. Nëse 10-15 vjet më parë, dikush do të më thoshte se do vinte një kohë kur, në xhepin e xhaketës do të mbaje 300-400 apo 500 libra, do ta merrja për të çmendur. Sot është e mundur, me shfletuesit elektronikë.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? 

E kam bërë. Ndonëse jo qëllimisht. Në fakt, ka ndodhur më shumë se një herë, por njëri prej librave që mbaj mend ta kem marrë e të mos e kem kthyer, ka qenë “Njeriu ynë në Havanë” i Graham Greene. Më kujtohet sepse një ose dy vjet më parë u ritakova me mikun tim dhe ia përmenda. Ma “fali” pas kaq vitesh.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Më kujtohet që më ka “dhembur” shumë humbja e një botimi të parë të “Vëllezërit Karamazov”, të Fjodor Dostojevskit. Sapo kisha nisur ta lexoja. Aksidentalisht harrova në autobus çantën, brenda të cilës ndodheshin. Sigurisht që më vonë kam gjetur botime të tjerë, por çuditërisht, nuk m’i kanë “zëvendësuar” plotësisht.

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni ndonjë titull dhe si i siguronit?

Unë i përkas një brezi, të cilin vitet ’90 e gjetën në moshën 10-11 vjeç, kështu që, rrallëkush prej nesh, ka patur fatin – të mirë apo të keq – që të ketë lexuar libra, të cilët për prindërit tanë, apo ata në moshë më të madhe se ne, ishin “mollë e ndaluar”. Kur ne arritëm moshën e leximit të librave të ndaluar, këta nuk ishin më të tillë.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Të dyja. Në shumicën e rasteve i zgjedh vetë, por edhe dhuratat janë të mirëpritura. Zakonisht ata që dhurojnë libra, interesohen për shijet e marrësit.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Në shumicën e rasteve preferoj të lexoj shtrirë. Shpesh librin e “zë gjumi” bashkë me mua.

-A lexoni në banjë?

Patjetër që po. Njihni njeri të dhënë pas leximit, që nuk e bën?

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Në anglisht.

 -Mbani shënime kur lexoni?

Mbaj shënime, nënvizoj. Siç jua thashë, pjesën dërrmuese të librave e lexoj në versionin elektronik, dhe kjo ma bën më të kollajtë shkëputjen e frazave, apo edhe paragrafëve të tërë, për t’i ruajtur e për t’iu kthyer më vonë. Thënë kjo, ndonëse jam një konsumator i madh librash elektronikë dhe nuk e ndaj kurrë nga dora “Kindle”-n, sërish wordpress mbetem i bindur që shfletimi i letrës – deri edhe aroma e saj –  është i pazëvendësueshëm. E kam bërë zakon që për çdo 4-5 libra elektronikë që lexoj, të bëj një shkëputje dhe të lexoj libër të dalë nga shtypshkronja.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

Proza. Më ndodh gjithmonë që nëse përfundoj librin e një autori dhe ai më ka pëlqyer, i futem menjëherë kërkimeve për biografinë e tij, librat e tjerë që mund të ketë botuar. Sigurisht, që konsultohem edhe me kritikën në internet, pasi e di mirë se libri që më ka pëlqyer nuk garanton automatikisht edhe cilësinë e të tjerëve.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Edhe për shkak të profilit që ka portali që unë drejtoj, bota.al, më pëlqen shumë të rekomandoj libra historikë, apo ata mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. “World order” i Henry Kissingerit, por edhe të tjerë që mbajnë firmën e tij, do të ishin ndër ata që do të rekomandoja. Ndër librat historikë do të këshilloja “The World at war” i Richard Holmes. Youval Harari, “Sapiens: A brief history of humankind”: libër shumë interesant dhe për të mos u humbur. Apo Kujtimet e Richard Nixonit. “The fourth revolution” i John Micklethwait është një tjetër libër interesant. Të rinjtë që kanë pasion leximin dhe historinë tonë, do i këshilloja të lexonin “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit, si dhe “Kujtimet” e Eqerem Bej Vlorës. Ashtu si edhe artikujt e Faik Konicës, përmbledhur në Veprën e tij. Këtij të fundit unë vetë i kthehem shumë shpesh. Gjithmonë më ngjan sikur i ka shkruar sot…

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Nuk besoj se do të shkruhet ndonjëherë.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

Një përmbledhje e klasikëve grekë. Padyshim edhe librat e të gjitha feve që ekzistojnë. Në fund të fundit, ideja e marrjes me vete në një “Arkë të Noes”, do të ishte që t’u tregohej atyre që do të shpëtojnë, se si ndërtohet një botë e mirë. E kush më mirë se këta libra, mund ta bënin?

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisn shpesh…

“Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje e qetë: kjo është jeta ideale”, thoshte Mark Tueini.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

Ejani, nëna e baballarë

Nëpër vend, kudo ku jeni

Dhe mos kritikoni

Atë që dot nuk e kuptoni

Bijtë dhe bijat tuaja

Më dot s’i komandoni

Rruga juaj e dikurshme

Shpejt po vjetërohet, ju e dini

E nga rruga e re dilni sot

Nëse dorën nuk e shtrini

Sepse kohët po ndryshojnë (Bob Dylan, “The times they are a’changin”)

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Kam disa të tillë. Edmond Dantès i Aleksandër Dymasë do të ishte, padyshim, njëri prej tyre. Jo se më pëlqen hakmarrja, përkundrazi. Thellë-thellë edhe ai vetë nuk është hakmarrës. Eshtë ndër ata personazhe që na bën të besojmë, se karma funksionon dhe se e drejta mund të vonojë, por…  Më pëlqen edhe Raskolnikovi i “Krim dhe Ndëshkim”, një personazh fantastik, me gjithë ato dilema të forta morale, që pena mjeshtërore e Dostojevskit i ka bërë të përjetojë.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Nuk më kujtohet tekstualisht tani se çfarë shkruhet, por është i Ivan Krastevit.

-Çfarë po lexoni?

Gjithmonë në periudhën e verës pëlqej të përditësohem pak me shkrimtarët më të mirë amerikanë të kohës. Zgjedh ndonjë triller. Këto ditë jam duke lexuar librin më të fundit të John Grisham, “Camino Island”. Një triller, në qendër të të cilit është vjedhja e dorëshkrimeve të rrallë të pesë librave të F. Scott Fitzgerald. Pra triller, me pak letërsi brenda. Pak ditë më parë, përfundova një libër dedikuar një personazhi shumë interesant. “Boss” i Mike Roykos përshkruan jetën politike të Richard J. Daleyt, kryetarit të Bashkisë së Chicagos në dy dekadat mes viteve ’50 dhe ’70. Një libër që të bën të kuptosh se kur vjen fjala tek marifetet e pista në politikë, ne në këtë qoshe të botës nuk është se kemi “shpikur rrotën”.

Intervista e mëposhtme është marrë nga portali politiko.al (linku)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *