“Të Paharruarit” e Lídia Jorge dhe karafilat e revolucionit të Lisbonës

Nga Ermira DANAJ

Shkrimtari portugez, fituesi i çmimit Nobel për letërsinë, Jose Saramago, thotë se jeton i shqetësuar dhe shkruan për ta shqetësuar lexuesin, për t’ia vënë mendjen në punë. E tillë është dhe Lídia Jorge, një përfaqësuese tjetër e letërsisë bashkëkohore portugeze që vjen për herë të parë pranë lexuesit shqiptar me romanin “Të Paharruarit”. Jorge nuk e sheh letërsinë si një argëtim, por si një mjet reflektimi. Romani, thotë ajo, duhet të na bëjë të reflektojmë, duhet të na shqetësojë, të na shkundë nga kolltuku i rehatshëm ku jemi ulur. Mbase romani “Të Paharruarit” nuk na shkund nga kolltuku, por na zhyt thellë brenda një procesi reflektimi sa shqetësues aq dhe tërheqës që në faqet e para. E ky reflektim i trazuar është mbështjellë me një mbulesë të rëndë e të dendur si prej kadifeje të kuqe, madje si karafilat e revolucionit portugez për të cilët flet Jorge në këtë roman. Janë karafilat që luleshitësit e Lisbonës iu dhuruan ushtarëve kryengritës atë mëngjes të 25 prillit të vitit 1974 për t’i vendosur në grykët e pushkëve, duke u kthyer kështu në simbolin e kësaj ngjarjeje historike për Portugalinë, në simbolin e revolucionit portugez që tashmë njihet botërisht si revolucioni i karafilave – “a revoluçao dos cravos”, siç i thonë portugezët.

Në agimin e 25 prillit të vitit 1974, pesë mijë ushtarë të drejtuar prej disa kapitenëve, hynë në Lisbonë me tanke dhe të armatosur. Pa as edhe një të shtënë ata arritën që brenda një dite të rrëzojnë një regjim diktatorial me kah fashist dyzet e tetëvjeçar dhe të organizojnë një qeveri tranzitore.
Romani i Lidia Jorge-s ka për qëllim të risjellë në vëmendje ata, të paharruarit, ata që ishin aktorët kryesorë, por mbase dhe vetë shpirti i kësaj ngjarjeje historike. Historia është e thjeshtë, një gazetare portugeze, Ana Maria që jeton në Amerikë dhe punon për një televizion amerikan duhet të realizojë një dokumentar mbi revolucionin e karafilave, me titullin “Historia e Rizgjuar”. Të paharruarit që gazetarja do të fillojë të kërkojë, të vëzhgojë, intervistojë, për të kuptuar atë që kish ndodhur atë agim pranvere të vitit 1974, janë personazhet e një fotografie, të bërë para tridhjetë vitesh, nën dritën e revolucionit portugez, në një bar në Lisbonë me emrin “Memories”. Ana Maria është portugeze, por nuk ka shumë njohuri mbi atë çfarë fshihet pas personazheve të kësaj fotografie, madje ndonjëherë ka dhe një ndjenjë keqardhjeje të përzier me cinizëm ndaj këtyre personazheve që në sytë e saj duken patetikë.
A nuk ndodh shpesh kështu me shpirtrat e revolucioneve? Në Lisbonën e tridhjetë viteve më pas, ku revolucioni i karafilave duket sa afër aq edhe larg, shpesh i harruar e shpesh i panjohur, Ana Maria, së bashku me dy kolegë bashkëmoshatarë të saj nis hulumtimin e “Të Paharruarve”, një prej të cilëve është edhe babai i saj. Ç’kish ndodhur vërtet atë 25 prill të vitit 1974? Ç’kish bërë secili prej këtyre personazheve? Ç’episod i asaj dite i kish mbetur më shumë në mendje? Këto ishin disa nga pyetjet e përgatitura për këtë dokumentar sa historik aq edhe hulumtues.

Pyetje të shkurtra, të sakta, konkrete. Por përgjigjet nuk ishin të tilla. Përgjigjet ishin evazive, lirike, shpesh të fshehura mes gjestesh apo ngjarjesh, mes hidhërimit dhe zhgënjimit, duke e zhvleftësuar kështu ftohtësinë mekanike gazetareske dhe duke e zhytur Ana Marinë dhe kolegët e saj në një udhëtim aspak të lehtë njohjeje dhe analize.
Nëpërmjet trazimit të ndjenjave të këtyre të rinjve karshi ngjarjeve të vitit 74, por edhe gjendjes së ‘Të Paharruarve’ në ditët e sotme, autorja trazon kujtesën kolektive portugeze, por edhe atë të çdo lexuesi ndaj ngjarjeve të tilla të ngjashme në vendet përkatëse. Qëllimi i librit nuk është thjesht rikujtimi i një ngjarjeje historike, i personazheve kyçe të saj, por edhe mënyra se si kujtohen apo harrohen këto personazhe dhe ngjarje, se si shoqëria pozicionohet karshi tyre tridhjetë vite më pas, se si vetë ata e shohin veten e tyre tani dhe atëherë.
Dhe e gjithë kjo sipërmarrje e rikujtimit të historisë nuk është e lehtë, është e lodhshme dhe shpesh e dhimbshme dhe e trishtë, si për personazhet ashtu edhe për lexuesin që vihet përballë disa personazheve të jashtëzakonshëm, aktorë të një dite të jashtëzakonshme, e që tashmë pas tridhjetë vitesh i gjejmë të ngërthyer mes zhgënjimit, brengës, nënvlerësimit, por edhe përpjekjes së vazhdueshme për të mos e lënë të vdesë idenë e 25 prillit 1974.
Lidia Jorge nuk na sjell një libër të lehtë, përkundrazi. Ky është një libër që të shkund, siç është e gjithë letërsia portugeze e pas revolucionit. Lidia Jorge është një përfaqësuese e denjë e një brezi autorësh që nuk shkruajnë për të argëtuar, por për ta zhytur lexuesin në dallgë të trazuara reflektimi, që mbase nuk janë fort të rehatshme, por janë po aq pasionante e tërheqëse.
Lídia Jorge ka lindur në Algarve, Portugali, në vitin 1946 dhe është një ndër zërat më të njohur e të vlerësuar të letërsisë së sotme portugeze dhe evropiane. E diplomuar në filologji, fillimisht ajo i kushtohet mësimdhënies. Në vitin 1970 udhëton në Angola dhe Mozambik ku përjetoi nga afër luftën koloniale, nga e cila u bë motiv për shumë libra. Veprat e Jorges saj janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botës. Është fituese e çmime letrare të shumta
NGJARJA
Në agimin e datës 25 prill 1974, nën drejtimin e disa kapitenëve të ushtrisë, të cilët ishin kundër luftës koloniale të Portugalisë dhe kundër regjimit diktatorial salazarist që mbizotëronte në Portugali prej vitit 1933, pesë mijë ushtarë hynë në Lisbonë, me tanke dhe të armatosur. Ata morën menjëherë në zotërim stacionin “Radio Clube Portugues”… ndërsa forcat e shkollës ushtarake të Kavalerisë morën sheshin “Terreiro do Pasos”… Po atë pasdite, Lëvizja e Forcave të Armatosura [MFA] e detyroi qeverinë e strehuar në kazermën e shtabit qendror të xhandarmërisë të dorëzohej. Një grua në rrugën “Braancamp” në Lisbonë filloi t’u dhurojë ushtarëve dhe njerëzve që kishin vërshuar nëpër rrugë karafila, të cilët ushtarët i vendosën në grykat e pushkëve. Nga kjo lindi dhe emërtimi i revolucionit portugez si “Revolucioni i karafilave”. Pa as një të shtënë, MFA-ja arriti që brenda një dite të rrëzojë një regjim diktatorial dyzet e tetëvjeçar dhe të organizojë një qeveri tranzitore. Menjëherë pas 25 prillit PIDE u shkri, dhe luftës koloniale në Afrikë iu dha fund. Disa muaj Portugalia kaloi përmes trazirave politike dhe ushtarake, të cilat morën fund me miratimin e Kushtetutës së re portugeze në 25 prill 1976.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *