Të njohësh Shqipërinë!

Nga Marin Mema

Shqipëria është vendi i vetëm në botë që ka pafund pasuri turistike në një hapësirë kaq të vogël, por që nuk di t’i përdorë ende siç duhet.

Ka një vijë bregdetare të mrekullueshme, e cila ose është mbytur në ndërtime betonizuese ose nuk ka infrastrukturë dhe projekte të denja për t’i kthyer në destinacione të mirëfillta turistike. Sot pjesë të tëra, siç është gjiri i Kepit të Rodonit, bregdeti i Fierit, plazhi i Godullës, Rrushkullit, presin një zhvillim të vërtetë në trajtë turizmi jo më spontan e të paorganizuar, por të vendosur në binarët zhvillimorë europianë.

Shqipëria ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit malor e megjithatë, jo për faj të tyre, shqiptarët në masë dërrmuese shkojnë në Mavrovë, Kolashin e gjithkund tjetër. Sigurisht, ka një grup vendesh që vitet e fundit janë zhvilluar, siç është rasti i Razmës, Thethit, Vermoshit, Dardhës, Valbonës, Voskopojës etj., por për t’u kthyer në destinacione të mirëfillta duhet shumë më shumë. Duhen investime të zgjuara e me mbështetje, duhen pista skish, duhen teleferikë, duhet gjithçka që banorët nuk mundet ta bëjnë të vetëm.

Nëse viziton parkun kombëtar të Shebenikut në Librazhd është e vështirë të mendosh se diku tjetër mund të ketë falur natyra kaq shumë e po kështu në Gërmenj, Vithkuq, Lëpushë, Qafë Shtamë, Dumre, Prespë, Hotovë… Shqipëria është një mrekulli e falur nga natyra, sigurisht aty ku barbarët nuk janë hedhur duke masakruar pyjet.

Ky vend ka monumente kulture në çdo cep, por diku nga mosmirëmbajtja, diku nga shpërfillja e instinkti shkatërrimtar që na shoqëron ato ose flenë ose kanë humbur ose nuk shfrytëzohen siç duhet. E sigurisht këtu nuk flitet vetëm për destinacionet e përhershme, siç janë Butrinti, Apollonia, Kruja, Antigoneja etj., sepse Shqipëria ka shumë mundësi të tjera që do t’i shtoheshin një liste të gjatë vlerash. E vështirë të mendosh se veç banorëve të zonave ka të tjerë që njohin, p.sh. kalanë e Kardhiqit, atë të Zhulatit jo larg Tepelenës, qytetin e Nikaias në zemër të Mallakastrës, atë të Sardës pak km nga Shkodra, kalatë e Qinamit, Gurit të Bardhë apo vlera si ajo që përcjell kalaja e Grezhdanit në Dibër e kështu me radhë. Të gjitha këto vlera wordpress dhe mund të renditen pafund të tjera, si Albanopoli, Dimali, Palokastra, Dorëzi, Ndroqi, Vigu, Kalaja e Kratulit, Matohasanajt, varret unikale ilire ne Selcë të poshtme, Hija e Korbit, Hadrianopoli, Irmaj, Gurëzeza, Kalaja e Sopotit në Borsh, ajo e Këlcyrës, Leklit, Olympes, Laçit, Pogradecit e madje edhe ajo me histori të jashtëzakonshme e Drishtit, flenë në pritje që dikush të kujtohet, jo thjesht për t’i renditur ndër regjistra, por për t’i rikthyer në vende vërtet të vizitueshme. Janë kaq shumë e kanë secila aq histori sa vështirë se turistët e huaj, ata për të cilët trumbetojmë, nuk do të donin t’i vizitonin.

Edhe më shumë meritojnë qytetet e lashta të Orikut, Bylisit, Amantias, të cilat ende njihen e vizitohen shumë pak, krahasuar me historinë që mbartin.

Një destinacion të jashtëzakonshëm do të përbënte turizmi me vizitat e shpellave apo speleologjik. siç njihet më së shumti. Ky vend ka lumenjtë, liqenet, ka legjenda që shoqërojnë thuajse çdo zonë, ka tradita e shumëçka që do të duhej të tërhiqte turistë të pafundmë. Sigurisht, gjërat kanë nisur të ndryshojnë për mirë e Shqipëria po fillon të kthehet në një trend, por kjo s’do të thotë se duhet të mjaftohemi me kaq. Nuk mundet më të kënaqemi me turistë disa orësh në Gjirokastër, Berat, Sarandë etj., por duhet të gjejmë mënyrën për t’i mbajtur sa më gjatë këtu e mundësitë ekzistojnë.

Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm, duhet vetëm të dimë ta njohim, ta kuptojmë e ta pranojmë si të tillë. Deri sot nuk e kemi bërë, përkundrazi jemi një vend i pasur, por me xhepa te grisur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *