Të mendosh, ky brejtës i “jetës së ëmbël”dhe epidemia e idiokracisë

Jonida Hitoveizi

Çdo të thotë që një ditë të bukur të zgjohesh njeriu më inteligjent i botës por i rrethuar nga budallenj? Një botë në grahmat e fundit pasi çdokush befas humbet aftësinë e të menduarit, deri edhe njohuritë bazike të duhura për mbijetesë, të tipit “një bimë për t’u rritur, kërkon tokë, ujë dhe diell”.

Për një të ardhme  të tillë distopike bën fjalë  filmi-komedi “Idiocracy”, realizim i vitit 2006, ku një amerikan mesatar, Xho dhe një prostitutë, Rita, bëhen pjesë e një eksperimenti  udhëtimi në kohë që i çon në planetin Tokë 500 vite para. Xho në këtë të ardhme, që sikur po profetizohet ditë pas dite, kupton se është njeriu më i mençur në planet. Aq i mençur sa mahnit dhe vet presidentin e SHBA-ve që e merr këshilltar në kabinetin e tij. Në sajë të ç’merite? Pasi Xho teston sesi fara në tokë mbin kur i hedh ujë (!).

Nëse ndal një çast dhe vëzhgon çka ndodh rreth teje kupton se e ardhmja të cilën ka në fokus regjisori Mike Judge, nuk është edhe aq distopike, sesa një paralajmërim për të nesërmen. Sidomos nëse vëren shkallën e analfabetëve funksionalë dhe ajo që po ndodh me edukimin në tërësi dhe kjo nuk ka të bëjë me thjesht përvetësimin e një profesioni të caktuar. Praktikisht, nëse ti je me një shoqe në kafe dhe ajo  është në dilëmë për bërjen ose jo të vaksinës, temë që rrihet në çdo tavolinë ma do mendja. Ndodh edhe të vrasësh mendjen se çfarë ndodh me anti-trupat natyralë që të ka lënë infeksioni pas kalimit me sukses të Covid-it pasi i shton trupit dhe ata të injektuar përmes vaksinës. Nuk kam lexuar askund një studim prej të cilit të marr një përgjigje bindëse. T’ia bësh këtë pyetje mikes?

Ndjen që do shihesh me skepticizëm dhe diç nuk shkon me ty, ose thjeshtë fare: “Bejë ose jo”, pa e vrarë mendjen, pa u thelluar më tej, pa menduar më tej, pa folur më tej.

Nga përvoja vetjake, më është dashur të ngulmoj vetë për një shqetësim të fëmijës sim, për një mirëlexim të pasqyrës së analizës së gjakut në disa mjekë të ndryshëm, pasi mjekja e lagjes i ra shkurt duke më treguar se ato tregues vinin pasi unë supën nuk duhet ta bëja me 3 a 4 perime, por me 10. Duke e lënë mënjanë fyerjen edhe dyshimin që po i hidhte mjekja për përkushtimin tim ndaj mirëushqyerjes së fëmijës, sërish  doja t’ia bëja ca më të qartë menunë ditore të tim biri, përgjigja e saj erdhi e prerë: “Eee, e di unë e di si gatuani ju në shtëpi. Hidh 10 perime, merr dhe këtë supplement dhe ik tani se na lodhe”.

E pashë që nuk kishte dëshirë të dëgjonte asgjë dhe sigurisht bëra si di vetë, kërko, dysho e bindu përmes fakteve dhe lexo! Nëse do kisha dëgjuar autoritetin e 10 perimeve në sup dhe të merrja atë suplement të përshkruar aq me ngut e bezdi nga mjekja për të kuptuar më shumë se çfarë nuk shkonte, sigurisht i dëmtuari do ishte fëmija im, askush tjetër. Në këto raste nuk i duhet rënë asnjëherë shkurt e duhet kalitur edhe më tej sensi i dyshimit.

Nëse një nëne i thua se në bazë të shumë studimeve, ajo çfarë fëmijët hanë ndikon drejtpërdrejtë në inteligjencën e tyre, në aftësinë e të nxënit e shëndetit në të ardhmen, të sheh çuditshëm dhe nuk stimulon më tej vazhdimin e bisedës. Pastaj kush je ti që vë në dyshim ato që “hanë të gjithë”?

Pale pastaj kur kërkon t’i hysh çik më thellë, në çështje që kanë të bëjnë me psikologjinë, vetëdijen, të pavetëdijshmen, me kopjimin e sjelljeve të të rriturve nga fëmijët, për ato sjellje që krijojnë vetëbesim të ulët të fëmija, sa vjen edhe bashkëbiseduesja humb durimin, ndërsa ti në sytë e saj bëhesh edhe më e mërzitshme, e lodhshme, e padëshirueshme, shkurt: gjithmonë e më pak cool. Në periudha të vështira emocionale (E kush nuk ka pasur!) ke përherë e më shumë drojën për t’i folur një miku, wordpress mikeje apo kolegeje haptas, sepse në mos do shihesh me paragjykim apo edhe gjykim qoftë, ndjen distancën që krijohet deri edhe në largimin e tjetrit. Pasi tjetri ndodh të jetë ai që në rrjet shihet më së shumit me foto ushqimesh të çdo vakti, të arritjeve të bujshme profesionale, vendeve luksoze ku po e përjeton ndryshe nga ti të nxehtin afrikan. E kotë të vazhdohet më tej për të folur për librat (temë tabu), apo ndonjë thellim mbi ekzistencën, qënien tonë në botë, metafizikën etj. Sytë edhe qëndrimi i ‘bashkëbiseduesit” të thonë haptas: “Lëre me kaq!”.

Përherë e më shpesh vë re se edhe fjali të thjeshta, me pak ironi apo sarkazëm bëhen përherë e më të vështira për t’u kapur nga përdoruesi kaq “soft” i rrjetit. Nuk është e rrallë edhe të rimarrësh një argument, ta rishpjegosh edhe kur është i qartë si drita e diellit. Ky edhe mund të tingëllojë teprim i një njeriu të mërzitur, sepse po të hapësh tabletën magjike, aq inteligjente sa na jep përgjigje për gjithçka pa e lodhur trurin, pa patur nevojë të përdorim kujtesën, sheh një botë që i ngjan Pandorës tek Avatar. Ekzotike, por jo aq e egër, e nënshtruar në të mirë të njeriut. Një botë e pastër, pa grumbuj plehrash, me pyje aq të dendur sa s’ka makineri t’i çajë përmes, kafshë ekzotike, njerëz tepër të bukur me pamje perfekte, fëmijë të lumtur që shijojnë kënde lojërash dhe bollëk, ushqim pafund kudo, në drekë, pasdite, darkë, në det, në liqen, kudo. Tavolina të sajdisura për merak, çdo gjë kaq e mirëkuruar me filtra, përherë nga me këndin ideal. Syri kap vetëm poza portrete njerëzish të kënaqur, plot vetëbesim, që jeta u shkon fjollë, pa fatura, pa punë të lodhshme, pa kokëçarje, pa drama (larg qoftë!).

E vetmja barrë është shijimi i lumturisë, por mbi të gjitha dhe më e rëndësishmja, bërja të ditur tjetrit se je i lumtur sot dhe kurdo. Përherë e më shumë duket se po mpihet truri me kashtë, me një jetë që nuk ekziston, jetën për sytë e tjetrit, jetën e dukjes e kufizuar në: “ha, pi, mendo sa më pak”. Njeriu i ri i kësaj shoqërie, tejet pozitiv, duket ai i këtij realiteti që nuk e ndesh çdo ditë në rrugë, një realiteti që nuk ekziston.

Kjo ndodh edhe në filmin “Idiocracy”; askush nuk mendon përtej asaj çfarë i jepet apo është e gatshme. Madje të shohin si “të çuditshëm kur fillon e bën pyetje. Njerëzit aty nuk konsumojnë as ujin, por lëng fabrike të firmës së pakontestueshme globalisht “Brawndo”, me të cilin ujitin dhe të mbjellat që afërmendsh nuk do të mbijnë kurrë. Për këtë vjen në ndihmë heroi Xho që i ujit thjesht dhe vetëm me ujë. Siç duket, të menduarit sa vjen e po bëhet “brejtësi” ynë i lumturisë. Bisedat përtej ushqimit, pushimeve, botox-it, rrobave, nuk janë më “mainstream”. Në film Rita zgjedh të jetojë në një botë ku është personi i dytë më inteligjent dhe s’ka fatura për të paguar, ndërsa Xho vendos të kthehet sërish në të tashmen për të paralajmëruar njerëzimin për të ardhmen që i pret. Se cilët do të jenë mesazherët e ditëve që po jetojmë, këtë nuk kam nga ta di, por në këtë kakofoni zërash përherë e më bosh, përherë dhe më sipërfaqësorë e shumë larg kuptimit, druaj se kemi hyrë tashmë në epokën e idiokracisë tonë.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *