Si çdo vit në nëntor, bashkë me buxhetin e shtetit diskutohen disa ligje mbi taksimin e shqiptarëve, të cilat hapin debate që në mendimin tim, shprehin një mungesë të thellë të të kuptuarit të taksave dhe krijojnë përshtypjen se shumica e shqiptarëve nuk janë në dijeni të barrës së vërtetë që taksat kanë në jetët tona. Ky blog synon të shpjegojë pak a shumë barrën e padukshme të taksave që rëndon mbi secilin nga ne.
Nga Gjergj Erebara
Thomas Pikkety, ekonomisti francez që bëri bujë pak vite më parë me kritikën e tij ndaj kapitalizmit ka një paragraf shumë shpjegues. Demokracia e vërtetë, thotë ai, lindi bashkë me vendosjen e tatimit mbi të ardhurat personale në fillim të shekullit të njëzetë në disa nga vendet më të zhvilluara të botës si SHBA e Francë. Argumenti i tij është se kur qytetarët në këto vende filluan për herë të parë të vetëdeklarojnë të ardhurat e tyre te autoritetet dhe të paguajnë tatim mbi këto të ardhura, menjëherë u bënë të ndërgjegjshëm se ata janë blerësit e shërbimeve publike dhe si blerës kanë “pronësinë” mbi qeverisjen e vendit; kanë të drejtë të kërkojnë llogari se si përdoren taksat e tyre.
Pyetja e thjesht është a jemi ne shqiptarët pagues të tatimit mbi të ardhurat personale dhe a jemi të ndërgjegjësuar se shteti ekziston falë taksave tona dhe jo anasjelltas?
Problemi kryesor është që shumica e taksimit në Shqipëri sot është indirekt, në formën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe të akcizave (si dhe të TVSH-së së mbajtur mbi akcizat) dhe rrjedhimisht, pjesa dërrmuese e popullsisëështë e pandërgjegjshme për taksat që paguan. Kur ne blejmë një litër naftë p.sh, dimë se paguajmë 170 lekë, por rrallëkush prej nesh e di se 100 lekë nga këto janë akcizëdhe taksa, ndërsa vetëm 70 lekë janë vlera e vërtetë e naftës. E njëjta gjë, kur blejmë ushqime, paguajmë 20 për qind TVSH për çdo lek të shpenzuar, por asnjëri prej nesh nuk është në gjendje të dallojë se sa prej shpenzimeve ditore apo mujore janë për mallin e konsumuar dhe sa janë TVSH.
Akoma më shumë te pagat. Nëse një person merr pagë në masën 70 mijë lekë, taksat totale mbi këtë pagë janë 31,500 lekë, të ndara si më poshtë: 21 mijë lekë sigurime shoqërore, 2958 lekë sigurime shëndetësore, 7410 lekë tatim mbi të ardhurat personale. Në një shembull tjetër, në rast se e ke pagën 27 mijë lekë, taksat totale mbi këtë pagë janë 8,800 lekë, të ndara si më poshtë: 7,590 lekë sigurime shoqërore, 1,054 lekë sigurime shëndetësore dhe 130 lekë tatim mbi të ardhurat personale. Në rast se një i punësuar që merr pagë neto 27 mijë lekë, do ta dinte se paguan kaq shumë tatime e sigurime, jam i bindur që nuk do t’i lutej politikanit të radhës që t’i rregullojë rrugën para shtëpisë, apo t’i sigurojë furnizim me ujë a energji elektrike. Ka gjithashtu shumë gjasa që, nëse një shqiptar me pagë 70 mijë lekëshe do të mësojë se paguan 3 mijë lekëçdo muaj për kujdesin shëndetësor, vështirë se do të fuste dorën në xhep për tëpaguar ryshfet te mjeku apo farmacisti dhe vështirë se do të përpiqej të zgjidhte problemin personal të mungesës së ilaçeve nëpër spitale duke kërkuar dëshpërimisht ndonjë të njohur me pushtet për të ndërhyrë. Ka gjasa që një taksapagues i ndërgjegjshëm për sasinë e taksave që paguan do të jetë i gatshëm ta kapë për fyti politikanin që njeh për t’i kërkuar llogari se pse në spital nuk ka ilaçe, në vend që t’i lutet të ‘hyjë mik’ për të gjetur ilaçin që i nevojitet nënës në kimioterapi.
Por kjo është vetëm një pjesë e vogël e problemit. Tatimi mbi të ardhurat personale, TAP që paguajnë shqiptarët përbën vetëm 7.7% të të gjitha taksave që ne paguajmë për të mbajtur shtetin në këmbë. Këtu përfshihen jo vetëm TAP mbi pagat, por edhe TAP mbi interesat e depozitave bankare, mbi të ardhurat nga qiratë e pronave apo mbi të drejtat e autorit. Sigurimet shoqërore përbëjnë 16% të të gjitha taksave tona, ndërsa sigurimet shëndetësore janë 2.7%. Shqiptarët paguan 407 miliardë lekë taksa gjithsej në tatime, tarifa shërbimesh etjgjatë vitit 2016. Ngjan një shifër e pakuptueshme. 407,021,000,000! Askush nuk mund të dallojë në këtë shifër të “buxhetit të përbashkët”, atë që ka paguar nga xhepi i vet. Askush nuk është në gjendje të dallojë se sa orë, ditë apo muaj pune ka bërë jo për të krijuar të ardhura për vete, por për të paguar buxhetin e shtetit. Në përpjekje për të ndërgjegjësuar publikun për taksat që paguajnë, çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës llogaritet një datë nga fillimi i vitit, pas të cilës thuhet se qytetari ka punuar mjaftueshëm për të paguar taksat e atij viti. [link] Në vitin 2015, kjo datë ishte 25 prilli me barrë fiskale 31 për qind. Në Shqipëri, barra fiskale reale është 27.1 për qind (2016). Një vlerësim i përafërt bazuar mbi parimin e ditës së lirisë nga taksat thotë se deri rreth datës 8 prill, shqiptarët punojnë për qeverinë ndërsa pas datës 8 prill, fillojnë të punojnë për të siguruar jetesën e mirëqenien e vet.
TVSH e akciza, tësheshta për të gjithë
Nga të 407 miliardë lekët që shqiptarët paguan taksa dhe tatime më 2016, 32 për qind ose 131 miliardë lekë ishin Tatim mbi Vlerën e wordpress Shtuar. Rreth 10% ose 42 miliardë lekëjanë akciza, të cilat rëndojnë kryesisht çmimet e naftës dhe të cigareve. Në krahasim me shumicën e vendeve normale nëPerëndim, shqiptarët i kanë TVSh dhe akcizat në proporcion shumë më të lartë si përqindje e taksave kombëtare se sa tatimi mbi të ardhurat personale. Në shumicën e vendeve, tatimi mbi të ardhurat zë 20, 30 apo 40 për qind të të ardhurave totale të qeverisë, ndërsa në Shqipëri zërreth 7 për qind. Kur disa shqiptarë me të ardhura të mesme ankohen se paguajnë 23% tatim mbi fitimin për të ardhurat e tyre mbi 130 mijë lekë, fashë e vendosur me të ashtuquajturin “tatim progresiv”, duket se nuk e dallojnë se ky taksim i pakëndshëm është vetëm një qindarkë mbi taksat e përgjithshme që paguajnë. Dallimi është se shqiptarët e paktë në këtë nivel të ardhurash (gjithsej më pak se 20 mijë shqiptarë kanë paga në këto nivele), e kuptojnë më shumë rëndesën e kësaj takse ndërkohë që rrallëherë arrijnë të dallojnë se nëse konsumojnë 50 litra karburant, paguajnë 5 mijë lekë vetëm taksa dhe 3 mijë lekë vlerën e karburantit. Në rast se, fjala vjen, qeveria e ul fashën e sipërme të TAP nga 23 në 18 %, këta shqiptarë që, megjithëse janë të paktë, kanë zë që të protestojnë, do të përfitojnë vetëm një qindarkë ulje nga barra totale e taksave. Dhe kjo ulje vështirë se do të ndihmojë pasi zakonisht qeveritë sapo ulin një taksë, rrisin një tjetër. Në xhepin tonë nuk do të ndryshojë gjë në rast se, fjala vjen, qeveria ul TAP dhe rrit akcizë.
Në Shqipëri, përveç akcizave paguhet edhe një gamë taksash të tjera që quhen “taksa kombëtare” ku përfshihen taksat për makinat apo e ashtuquajtura “taksë qarkullimi” që mbahet nëçdo litër karburant të konsumuar në masën 27 lekë.
Kuptohet që taksimi në Shqipëri është shumë i pabarabartë. Një i pasur që jeton falëfitimeve nga kapitali, qoftë ky kapital i investuar në një kompani apo në prona të patundshme apo në tituj borxhi, paguan 15 për qind tatim mbi të ardhurat ndërkohë që nëse je i punësuar, barra fiskale rritet menjëherë në 25-30 për qind vetëm si pasojë e sigurimeve dhe TAP.
Për më tepër, evazorët fiskalë natyrisht që paguajnë më pak taksa mbi të ardhurat e veta në krahasim me ata që nuk bëjnë evazion. Së fundmi, një skemë e rëndësishme evazioni është krijuar nga diferenca e taksimit të të ardhurave nga paga me taksimin e biznesit të vogël. Tatimet dyshojnë se një numër personash nga profesionet fitimprurëse si jurist, mjek apo inxhinier, në vend që të punësohen në një kompani përkundrejt një page prej, fjala vjen, 500 mijë lekësh në muaj, krijojnë një biznes të vogël, paguajnë sigurime shoqërore mbi pagën minimale zyrtare dhe paguajnë tatim fitimi vetëm në masën 5 për qind të fitimeve neto. Kjo nuk rezulton një skemë e gjithëpërhapur, por është një tregues i mirë se si një masë që prezantohet si “ndihmë” për biznesin e vogël, përfundon e përdorur në përfitim të disave që nuk janë as biznes i vogël dhe as të varfër.
Në total, sipas të dhënave të vitit 2016, nga të 407 miliardë lekët taksa e tatime, taksat kryesore ishin: TVSH 32%; sigurime shoqërore 16%; akciza 10%; taksa nacionale 8.8% dhe tatim mbi të ardhurat personale 7.7%. Të tjerat, ku përfshihen sigurimet shëndetësore, taksat lokale, apo të ardhurat e qeverisë nga fitimet e korporatave shtetërore ishin së bashku rreth 14%.
Le ta shpjegojmë nga krahu tjetër. Nëse ke të ardhura neto nga paga në masën 100 mijë lekë në muaj, mbi këto të ardhura ka gjasa ke paguar sigurime dhe TAP rreth 40 mijë lekë. Për çdo lek ushqime që blen me këto të ardhura paguan 20 për qind TVSH dhe nëse konsumon karburant apo cigare, taksat që paguan rriten në më shumë se 20 për qind. Pjesa e mbetur është vlera e mallrave që realisht konsumon.Kjo tregon se ndonëse barra fiskale totale e kombit është 28% e PBB-së, barra reale mbi të punësuarit është shumë më e lartë se sa për pjesën tjetër të shoqërisë. Në rast se puna e një njeriu prodhon, fjala vjen, 140 mijë lekë vlerë të shtuar, nga këto, 40 mijë janë sigurime shoqërore e TAP, 20 mijë TVSH mbi mallrat e konsumuara. Nga të 80 mijë lekët e mbetura dhe një sasi tjetër taksash janë mbi këto në varësi të llojit të mallrave të konsumuara. Taksat bashkiake, p.sh, akcizat e karburantit apo cigareve apo taksa makine e taksë qarkullimi janë veçmas. Kjo pjesa e fundit e taksave është e vështirë të vlerësohet në detaje, por në total, për një të punësuar, gjysma ose më shumë se sa “vlera e shtuar e punës së tij” përfundon për të mbajtur qeverinë.