Veç afreskut që la Shkodrën më 1467, në shekullin XIX, në Shkodër do të realizohej edhe një tablo, në përmasa të mëdha. Autori nuk dihet, as koha e saktë, për një kohë të gjatë pati qëndruar pranë altarit të katedrales, derisa komunizmi të mbyllte kishat. 1967, bëri që artefaktet e çmuara të vendeve të kultit, si tabloja e Zojës, të mblidheshin në muzeun e ateizmit e me rënien e regjimit, disa t’u ktheheshin sërish komuniteteve. E ndërsa tabloja paraqitej e dëmtuar, Arta Dollani, Drejtoreshë e IMK-së, tregon për “GSH”, një historik të shkurtër të restaurimit të tablosë falë ndihmës së Ministrisë së Kulturës dhe IMK-së.
Nga Arta DOLLANI
Me kalimin e viteve, piktura në telajo “Zoja e Shkodrës”, për shkak të kushteve jo të mira të konservimit gjatë qëndrimit në ambiente të papërshtatshme, pësoi dëmtime të konsiderueshme si në suportin e kanavacës, ashtu edhe në shtresat e pelikulit piktorik.
Me interesimin e Dom Artur Jakut dhe përkushtimin personal të ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, u hartua një plan pune për restaurimin e “Zojës së Shkodrës”.
Në verën e vitit 2015, në ambientet e Famullisë së katedrales së “Shën Shtjefnit”, specialistët e Sektorit të Veprave të Artit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, në harkun kohor të disa ditëve kryen një ndërhyrje prekonsoliduese me qëllim ndalimin e degradimit të mëtejshëm të saj (degradimin e pelikulit piktorik). Ndërhyrja konsistoi në konservimin e pelikulit piktorik me anë të aplikimit të letrës japoneze me Kluçelg të tretur në ujë me alkool.
Për rëndësinë simbolike dhe vlerat e paçmueshme të trashëgimisë materiale e kulturore që “Zoja e Shkodrës” mbart, u vendos që restaurimi i saj të kryhej në Firence, Itali.
Pas komunikimeve të vazhdueshme që pati Instituti ynë i Monumenteve të Kulturës, me autoritetet drejtuese të Palazzo Spinelli, wordpress u arrit nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi me qëllim restaurimin e veprës në Firence në ambientet e këtij institucioni. Palazzo Spinelli njihet për përvojën e gjatë në fushën e restaurimit, veçanërisht për restaurimin e pikturës në telajo.
Falë bashkëpunimit të specialistëve të Palazzo Spinelli dhe atyre të Institutit të Monumenteve të Kulturës, u hartua projekti i ndërhyrjes konservuese–restauruese, i cili u paraqit për aprovim në Këshillin Shkencor të IMK-së dhe Këshillit Kombëtar të Restaurimit.
Pas përfundimit të dokumentacionit përshkrues e fotografik, regjistrimit të veprës dhe plotësimit të kartelës shoqëruese nga QKIPK, Instituti i Monumenteve të Kulturës mori masat e duhura për dërgimin e veprës “Zoja e Shkodrës”, në Itali, në tetor të vitit 2016.
Në muajt pasardhës u krye restaurimi i saj në laboratorët e restaurimit të Palazzo Spinelli, ku gjatë kësaj periudhe ka pasur dhe një komunikim të vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve.
Restaurimi i veprës “Zoja e Shkodrës” tashmë ka përfunduar dhe më 25 prill, në ambientet e Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë” do të kremtohet rikthimi i saj në Famullinë e Katedrales së “Shën Shtjefnit” Shkodër.
*Drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës