Syri i Ciklopit, zbulimi që po tërheq pushuesit e Tiranës

Syri i Cikllopit, ose siç i thonë ndryshe, Gjurma e Ciklopit, ndodhet rreth 4 km poshtë Krrabës, në fshatin e quajtur Skuterrë, në luginën e lumit Erzen. Ai është rreth 20 m i gjerë dhe 120 m i thellë si një perlë e fshehur në grykën e Krrabës, që po tërheq vizitore kurioze të natyrës dhe aventuriere të spelologjisë.

Një humnerë e vogël rri në fund të shkëmbinjve të Krrabës dhe poshtë saj është një liqen me ujë të smeraldtë, për të cilin thonë se është vendi ku bisha dha shpirt e pas tij mbeti një liqen në formë zemre.

Kjo legjendë flet për një bishë të stërmadhe (pothuaj të gjitha legjendat shqiptare kanë një gjigand apo një ciklop), e cila e përndjekur nga banorët e zonës, pas shumë dëmeve që kishte shkaktuar, përfundoi pikërisht poshtë këtyre shkëmbinjve.

Thonë se aty ku shkeli për herë të fundit bisha, mbetën gjurmët e gërvishtjes së kthetrave të tij dhe aty ku dha shpirt mbeti një liqen në formë zemre. Si të gjitha legjendat që trupin dhe kokën i kanë në imagjinatë, por këmbët i kanë të ngulura fort tek e vërteta, edhe në këtë rast, shihen disa gërvishtje të thella në shkëmb dhe liqeni i mrekullueshëm në formë zemre.

Por edhe peizazhi fare i virgjër natyror rreth e përqark, nuk është më pak mahnitës. Një degë e lumit Erzen, rrjedh në formën e një katarakti të vogël, e bashkë me formacionet e shumta të shkëmbinjve krijojnë një peisazh përrallor. Mund të thuhet pa frikë se kjo pikë natyrore është një nga zbulimet e fundit të bëra nga aventurierët e natyrës.

Syri i Cikllopit është kthyer në një destinacion për relaks dhe argëtim. Përveç pamjes mahnitëse ai krijon mundësinë të notohet gjatë ditëve të nxehta të verës. Mjete të shumta të agjencive turistike si dhe ato personale, drejtohen drejt këtij zbulimi të ri shlodhës. Nuk është  i kushtueshëm sepse ndodhet prane Tiranës dhe mjetet e transportit nuk mungojnë./ATA

 

syri6-1.jpg

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *