Mos, do na shohin !…- Ku ishe ? Kam kohë që të pres !… – Eja, nxito, kam mall !… – Afrohu, kam dëshirë të të pushtoj…- Mbrëmë të pashë në ënder : flinim të përqafuar !…- Më duket se jam shtatzënë…
Bie shi mbi copra dialogjesh të ngjizura tashmë në kujtesë. Shi që më rikthen në kohë. Kohë e fëmijërisë ; kohë e dashurisë. Ja këtu flinim të dy. Kjo ishte dhoma jonë rrethuar nga mure të bardhë. – Ku ishe mbrëmë ? Të prita gjer natën vonë !
Tiranë, 19 dhjetor 2005
Bie shi. Shumë shi. Mbi sytë e mij, mbi shtëpinë tonë të dikurshme dhe të braktisur prej shumë vitesh. Tirana në shi. Eshtë një muzikë e njohur, me të njëjtin ritëm. Shi mbi dëshirën time të vetmuar për të ndarë së bashku poetikën apo trishtin e qiellit në shi. E zogjve të lagur. E pemëve që shtriqen me ëndje në shi.
Kam ditë në Tiranë, në këtë përgjumje të madhe të fatalitetit politik. Ditë që zvarriten në kaos dhe arbitraritet. Ditë në mungesë iluzioni. Kafene lluksoze dhe njerëz plot halle që nxitojnë. Hedh hapat dhe ti më ndjek në mungesë, në «off », më flet për ditë të shkuara. Një botë e tërë në «off». Çuditërisht zëri yt vjen i pastër gjer këtu : « Mos, do na shohin !…- Ku ishe ? Kam kohë që të pres !… – Eja, nxito, kam mall !… – Afrohu, kam dëshirë të të pushtoj…- Mbrëmë të pashë në ënder : flinim të përqafuar !…- Më duket se jam shtatzënë…
Bie shi mbi copra dialogjesh të ngjizura tashmë në kujtesë. Shi që më rikthen në kohë. Kohë e fëmijërisë ; kohë e dashurisë. Ja këtu flinim të dy. Kjo ishte dhoma jonë rrethuar nga mure të bardhë. – Ku ishe mbrëmë ? Të prita gjer natën vonë !…
Zëri yt kishte një lloj zëmërimi !
Bije shi në pragjet e mia, aty ku nisa jetën, belbëzimin, hapat e parë, kur kapërceva me nxitim adoleshencën të të dashuroja ty. Bije shi mbi të gjitha rrugët ku të kam puthur dhe të kam pushtuar : në bulevardin e madh kur të sillja çdo mëngjes një portokall ; në strehëzën e çatisë së pallatit ; në parqet dhe livadhet tutje mbi kodër…Bije shi. Makinat nxitojnë plot zhurmë Ngrehina të reja Rrugë gjithë baltë, fytyra të stresuara. Gjithshka vërtitet në fjalët që shkëmbehen shpejt e shpejt : Sa kushton ? … Paraja, paraja për të blerë, paraja për të siguruar një jetë të mrekullueshme më vonë, duke harruar jetën dhe momentin që jetojmë. Sakrifica ka një çmim të madh në kohë. Nxitohet drejt parasë duke harruar se çdo çast duhet të ndjehemi të lumtur, të dashuruar, të dhurojmë dhe të na dhurojnë dashuri.. Ishim të varfër-të pasur dhe ja, tashmë, të pasur-të varfër !
Bije shi në rrugët e Tiranës. Në sheshet tona të pikëtakimit. Në rrugicën e ngushtë të shtëpizës tënde, mbi rrugët tona të dashurisë. Mbi kohën tonë. Sytë tona të njomura nga shiu dhe ngazëllimi./ LUAN RAMA, KUR BIE SHI TI THUA: KOHE E BUKUR