Stampat origjinale të Marubit, aura që fotografisë i mungonte!
“MARUBI CELEBRATES THE ORIGINALS” është ekspozita e kuruar nga Rudolf Schäfer që hapet sot në orën ora 18:45.
“Të flasësh për origjinalin në kontekstin e fotografisë ngjall gjithmonë shumë diskutime. Për këtë një nga filozofët e parë të modernizmit klasik, Walter Benjamin deklaronte se fotografia nuk ka aura duke i mohuar asaj origjinalitetin që mund t’i atribuohet një vepre arti”, thoë kuratori.
Koncepti “stampa origjinale” në fotografi cilëson një pozitiv që riprodhohet menjëherë pas krijimit të negativit, nga fotografi ose nën kontrollin e tij. Këto janë “origjinalet” e mediumit fotografik, në vetvete unike, gati-gati si punë dore që kanë aura-n të cilën Walter Benjamin ia mohon.
Rudolf Schäfer shënon se në merkaton e artit, stampat origjinale njihen si stampa të prodhuara me metoda të ndryshme të cilat nuk përdoren më. Punime të tilla sot janë të rralla dhe konsiderohen të një mjeshtërie të lartë meqë gabimet teknike rregulloheshin nga fotografët me teknikat e tyre me përpunimit të imazhit për arsye artistike.
“Dixhitalizimi e ka transformuar fotografinë nga një “realitet dhe medium i të vërtetës” në një “nga mediumet e imazhit” thotë Urs Stahel. Përtej kësaj, ajo mbetet e lidhur me “skanimin e botës” dhe imazhet sot përdoren kryesisht për komunikim në mediat sociale.
A është apo s’është e mundur të ruhen fotografitë bashkëkohore për kohëra të gjata, ashtu siç ka bërë Fototeka Marubi, kjo është akoma për t’u parë.
Pjesa më e madhe e fotografive që do të ekspozohen janë kopjet e fundit ekzistuese të një negativi të ruajtur në Muzeun Marubi.
Gjatë përgatitjeve të ekspozitës më ka shqetësuar kryesisht një fakt: nga Studio Marubi kemi trashëguar në ditët tona qindra mijëra negativë. Ato sot ruhen me standarte bashkëkohore ndonëse një pjesë e tyre,negativë prej xhami, janë dëmtuar. Po pse është kaq e vështirë të gjenden stampat origjinale?
Nga ana tjetër lind edhe pyetja: kush ishte klienti i zakonshëm i Dritëshkronjës Marubi nga viti 1858 deri në 1945 dhe si ndryshoi kjo me ardhjen e regjimit komunist?
Të gjitha stampat origjinale të Marubit përbëjnë vlera të papërsëritshme dhe na ndihmojnë të përballemi me amnezinë që mungesa e tyre ka prodhuar, sidomos gjatë periudhës së komunizmit.
“E kaluara as nuk vdes, as nuk kalon” William Faulkner, Requiem for a Nun.