Nga Dorian Koçi
Në 29 maj të kalendarit Julian 1453, Kostandinopoja ra në duart e otomaneve, një ngjarje qe pati një ndikim absolutisht te madh në ekulibrin e forcave në Mesjetë e qe influencoi ne historinë e Mesdheut.
Për herë të parë Mesdheu, që pas daljes së arabëve aty në shekullin e VII që e kishin ndarë atë më dysh në Mesdheun verior dhe atë jugor, ndarje që përfaqësonin dhe dy qytetërime të ndryshme të ndërtuara mbi bërthama fetare të Krishtërimit dhe Islamit, si vëren me të drejtë Anri Piren, ndryshon sërish balanca politike, ekomomike dhe kulturore ku dalë nga dalë me pushtimin e arkipelagut grek dhe inkursioneve barbareske nga ana e Algjerit e Marokut drejt brigjeve evropiane, ai kthehet në një liqen otoman, burim pasigurie për tregtinë dhe jetën e banorëve të brigjeve evropiane.
Në vitin 1453, një pjesë e madhe e territorit shqiptar administrohej nga Skënderbeu dhe princa të pavarur shqiptarë që po shijonin frytet e një aleance e traktati miqësie me Alfonsin e Aragonës që pas fitores së tyre të madhe mbrojtjen e Krujës më 1450, një prej kështjellave më të rëndësishme të qendresës evropiane. Rënia e Konstandinopojës , një nga qendrave më të rëndësishme të pushtetit botëror me perandorët e të cilës shpesh herë kishin lidhur dhe gjenalogjitë e tyre si Muzakajt dhe Aranitët, i tronditi jo pak, pasi tashmë rruga e osmanëve drejt Evropës ishte e hapur dhe asgjë nuk mund ti ndalte.
Rënia e Konstindinopojës është analizuar nga hisorianë të shumtë por është bërë objekt studimi edhe i filozofëve, sidomos atyre të Iluminizmit që rizbulonin Lindjen e Krishterë në shkrimet e tyre. Volteri, filozofi që tronditi botën e mesjetës së vonë me idetë e tij, kur analizonte Bizantin shkruante për qendresën arbërore dhe Skenderbeun. “Si les empereurs grec avaient ete des Scabderbegs, l’empire d’Orient se serait conserve”- Sikur perandorët bizantinë të kishin qenë Skenderbej, Perandoria e Lindjes do të ishte ruajtur. (Voltaire: Essais, IV,XV,247)
Vlerësimi i Voltaire-it për Skënderbeun i bashkangjitet vlerësimit të shumë figurave të njohura të mendimit europian rreth aksionit dhe figurës së tij. Në këtë mënyrë, i përcjellë përmes teksteve t rëndësishme evropiane, ai fitoi në të njëjtën kohë statusin e heroit, jo vetëm mes shqiptarëve por edhe në ndërgjegjen e humanizmit dhe iluminist të Europës.