Sislej Xhafaj: Filmi ime  për 1700 të zhdukurit e luftës në Kosovë

Sislej Xhafa “zgjon” kujtimin e të zhdukurve gjatë luftës së Kosovës në Bienalen e 57-të të Venecias.

Për të arti nuk duhet të resht së kërkuari drejtësinë, ndërsa, siç shkruan sot “Shekulli”, mediat ndërkombëtare pasqyrojnë konceptin e tij në Pavijonin e Kosovës, si rrallëherë!

Artisti i mirënjohur bashkëkohor konceptual, merr pjesë këtë vit në Bienalen e Venecias me një ekspozitë të fuqishme që dëshiron të jetë përfaqësimi i tij personal i shkatërrimit dhe i vuajtjes që vendi i tij ka kaluar gjatë luftës në Kosovë. Artisti është dalluar pasi është përpjekur përherë të sfidojë steriotipet, paragjykimet, dhe realitetin politik dhe ka treguar për “Vogue Italia” rreth “prizmit” kreativ nëpërmjet të cilit syri i tij si artist e koncepton këtë ekspozitë.

-Gjatë këtij muaji po zhvillohet Bienalja e Venecias. Sa kohë të është dashur për të zhvilluar këtë ide?

“Vepra, projekti, titullohet “Lost and Found” dhe flet për kompleksitetin e dinjitetit njerëzor në kohët tona. Dhe unë e vendos në dyshim në mënyrë të veçantë kompleksitetin e kësaj teme në lidhje me luftën dhe dhunën. Projekti bën fjalë për njerëzit që janë zhdukur. Në luftën e Kosovës, deri në vitin 1999 ishin rreth 5000 njerëz që rezultonin të zhdukur pas humbjes së luftës. Dhe sot mungojnë ende 1667.

Nuk e dimë se ku janë, dhe projekti titullohet, pikërisht “Lost and Found” për të nënvizuar dhimbjen e atyre që kërkojnë drejtësi si dhe mënyrën se si arti mund ta trajtojë këtë temë, dhe po, është një projekt që bazohet në ndërveprimin me njerëzit që duan paqen dhe në të njëjtën kohë janë në kërkim të njerëzve të zhdukur. Unë punoj me një organizatë që është e angazhuar për të kërkuar drejtësi për këta 1667 persona. Dhe dëshiroja të krijoja një vepër të tillë, që të nënvizonte këtë aspekt, edhe përsa i përket luftërave që sot zhvillohen në Siri dhe Irak dhe në vendet e tjera të botës, njerëzit që zhduken për shkak të dhunës.

-Po, “Lost and Found” është një vepër e hapur, e hapur ndaj pyetjeve, në kërkim të drejtësisë…

“Instalacioni është krijuar me një strukturë kaci dhe është pikërisht një sportel “Lost and Found”, ose më saktë ‘Objekteve të humbura’. Por nuk ka asnjë brenda, dhe do të jetë gjithmonë bosh. Zakonisht në aeroporte apo në stacione gjenden këto vende ku shkojmë nëse humbasim një xhaket, për shembull, dhe kam dashur të nënvizoj se nuk duhet të jetë ende kaq e dhimbshme, por e pranishme në një mënyrë disi “indirekte”, por në të njëjtën kohë është e rëndësishme të vazhdosh të bashkëveprosh, të kërkosh gjithmonë drejtësi, dhe të vazhdosh të kërkosh këta njerëz që janë zhdukur”.

-Po njerëzit a mund të bashkëveprojnë me hapësirën?

“Njerëzit mund të bashkëveprojnë. Hyjmë në hapësirë, vërejmë se aty gjendet e shkruar, “Lost and Found”, gjendet gjithashtu edhe një telefon, zilja e të cilit nuk do të bjerë kurrë. Kurrë”.

-Linja e telefonit nuk është aktive domethënë?

Jo, muret në palete të kutisë mbulohen me plastikë transparente, pasi ne jemi në kërkim të transparencës sonë vetjake, mund të kërkojmë drejtësi për ato familje që ende e presin, sot, në 2017-ën.

-Janë edhe listat me emrat e njerëzve të zhdukur?

Po.

-Listat janë pjesë e instalacionit, apo e diçkaje që informon vizitorët kur hyjnë?

“Gjenden në një katalog të vogël, shumë të vogël. Një lloj katalogu xhepi, në të cilin gjenden 1667 emra”.

-Në rregull. Po ju, a keni ndonjë të afërm të zhdukur?

Të afërm jo, por ka fqinjë.

-Fqinjë që i keni pasur pranë shtëpisë suaj?

Po.

-Njerëz me të cilit kishit afirmitet?

“Po, por çështja duket parë në një kontekst më të gjerë, këtu flas se si arti mund të vendos në pikëpyetje drejtësinë dhe ta nxjerrë në dritë drejtësinë, si dhe kuptimi që merr dinjitetit njerëzor pas kaq shumë dhune. Ajo çka godet është se sot familjet e 1667 njerëzve janë ende atje duke pritur, kështu që për mua është shumë e rëndësishme, është një vepër e hapur, bashkëvepruese dhe shumë minimaliste. Por në të njëjtën kohë është shumë tronditëse”.

-Çfarë do t’u thoshe brezave të rinj që nuk e kanë jetuar atë dramë?

Se arti ndihmon, po ashtu edhe filmat ndihmojnë shumë, që ne të pyesim veten rreth gjërave që janë vërtet të rëndësishme në jetën tonë. Por besoj se me gjuhën që zgjedh dhe në veçanti për të praktikuar dhe kërkuar, mund të zbulosh një dimension tjetër. Veçanërisht ideja e paqes, është një ide e dhimbshme por gjithsesi shumë delikate në vetvete. Kështu që për mua është me të vërtetë shumë e rëndësishme që të mund të nxjerr në pah pyetjet që ende sot janë pa përgjigje, për t’u dhënë një lloj shprese këtyre familjeve. Kështu që ndoshta kjo vepër dhe ideja që gjendet pas saj mund të çojnë në një mënyrë të re kërkimi.

-Çfarë do të doje që njerëzit të merrnin me vete pas Bienales?

Kujtimin dhe eksperiencën.

Mediat botërore vëmendje ndaj artit të Sislej Xhafës

-Artisti Sislej Xhafa në vitin 1997, i veshur si futbollist dhe me një flamur shqiptar në shpinë dhe topin e futbollit në këmbë krijoi “pavijonin klandestin” në edicionin e 39-të të Bienales së Venecias. Gjashtëmbëdhjetë vite më vonë Xhafa ishte pjesë e 13 artistëve, që prezantuan Italinë në Bienalen e Venecias. I njohur si një artist që provokon realitetin dhe e sheh artin si një mënyrë për të reaguar shpesh e ashpër ndaj politikës, apo gjendjes kritike sociale në edicionin e 57-të të Bienales së Venecias, Xhafa më në fund do të prezantojë vendin e tij Kosovën.

Sislej Xhafa është një emër i afirmuar në skenën botërore të artit. Kuratore e Pavijonit është drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Arteve, Arta Agani. Ndërkaq, komisioner i Pavijonit të Republikës së Kosovës, në edicionin e 57-të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut, është Valon Ibraj.

-Ndryshe nga artistët e tjerë, duket sikur artisti Sislej Xhafa, është më i privilegjuari nga mediet. Pothuajse nga mbarë bota, vizive dhe të shkruara, kanë zgjedhur që në ekspozitën e madhe, në të cilën përfshihen rreth 80 Pavjone të shteteve të ndryshme në Bienalen e 57-të të Venecias, ata të zgjedhin Pavjonin që përfaqëson Kosovën.

Gazeta e njohur e artit në Ballkan dhe Rusi, “Calvert Journal”, e ka komentuar punën e Xhafës, duke përmendur edhe tellallin, i cili ditëve të para të hapjes së Pavijonit ka shqiptuar emrat e të zhdukurve në disa kilometra ecje nëpër Venecia.

“Repubblica” gazetë italiane. po ashtu i ka dhënë hapësirë Pavijonit të Kosovës, duke e rekomanduar, si një nga Pavjonet që duhet vizituar, sepse në të vuajtja njerëzore është kryefjala.

“Kooness” ka sugjeruar në anën tjetër Pavijonet që duhet vizituar patjetër, e ku futet edhe puna artistike e Sislej Xhafës. Bienalja e Venecias mirëpret vizitorët deri në tetor 2017-të.

Biografia

Sislej Xhafa (1970) ka lindur në Pejë. Aktualisht jeton në New York. Sislej Xhafa, është një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor, i cili së fundmi është vlerësuar me titullin Akademik Nderi i Shkollës së Arteve të Firences. Para pak kohësh Sislej është përzgjedhur fitues i një gare të rëndësishme të organizuar nga Bashkia e Firences me veprën “J”, ku kishin aplikuar 228 artistë nga bota, ku sërish tema kishte të bënte me të drejtat e njeriut. Artisti shqiptar bashkë me katër artistë të tjerë nga vende të ndryshme të botës kanë dalë fitues të këtij konkursi, ku veprat e tyre do të vendosen para Pallatit të Drejtësisë, përgjatë vitit 2017. Xhafa është shpërblyer me çmime të shumta, si “Onufri” në Tiranë, “Biella 2001” nga fondacioni “Pistoletto” etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *