Simone de Beauvoir, gruaja, dashnorja dhe intelektualja

 

9 janari shënoi 108 vjetorin e lindjes së një prej grave më të mëdha që bota ka njohur. Simone de Beauvoir lindi në Paris më 1908 në një familje që pak vite më vonë rrekej të ruante statusin shoqëror pas humbjes së pasurisë. Intelektuale, feministe, shkrimtare e filozofe, ajo njihet për ato që la pas e për ato që bëri në të gjallë: diti të jetë gruaja e një emri të njohur si Zhan Pol Sartre, njohu dashurinë e madhe me meshkuj të tjerë në qarqet intelektuale të Parisit e SHBA-së por provoi edhe marrëdhëniet me femra. Një emër i suksesshëm e një grua e palumtur që jetoi në një marrëdhënie të hapur me të shoqin duke vuajtur lidhjet e tij e të sajat deri në vdekje.

Mikesha

Një ditë Pieri do ta merrte vesh. Por edhe ai do të mësonte vetëm pamjen e jashtme të këtij veprimi. Askush nuk mund ta dënonte apo t’i jepte pafajësinë. Ai veprim i përkiste vetëm asaj. “Ai është i imi!”. Ishte vullneti i saj që po përmbushej, asgjë nuk mund ta ndante më nga vetvetja. Më në fund ajo e bëri zgjedhjen. Zgjodhi vetveten… (Simone de Beauvoir “Mikesha”, shqipëruar nga Diana Çuli, Botime Pegi). Kur Simone de Beauvoir, e pa për herë të parë studenten e saj, Olga Kosakievicz në pranverën e vitit 1935, nuk mundi të dinte se shumë shpejt ajo do të ndërhynte në marrëdhëniet mes saj dhe Zhan Pol Sartre. Ato ditë marsi, Parisi kishte marrë jetën e gjallërinë e humbur përgjatë ditëve të ftohta të dimrit. Olga ishte veçse 19 vjeç dhe një nga nxënësit e Simone në Liceun “Rouen”. E bija e një fisniku rus me një franceze, ajo njihej si rusja e vogël, tashmë pjesë e rrethit të mësueses së saj, ku përfshiheshin intelektualët e Parisit të kohës dhe vetë Sartri. De Beauvoir ishte më e pashme se Sartri, dhe më e gjatë po ashtu. Ajo u bë shkak që i shoqi të njihte studenten e saj, dhe këtu filloi fiksimi i Sartrit me një nga motrat gjysmë ruse, Kosakievicz (në fakt ai pati një marrëdhënie edhe me motrën tjetër, aktorja Uanda, e cila qe një nga shkaqet pse miqësia mes Alber Kamy e Sartrit u dobësua). Depresioni i tij ishte rritur në një kohë që ai vuante nga haluçiancionet dhe nga trekëndëshi i një marrëdhënie, ku ai qëndronte në mes: De Beauvoir, Sartri dhe Olga.

Letrat dhe dashuritë

Korrespondenca e Sartrit dhe e Beavoir-it është tashmë një nga pasuritë më të mëdha të një çifti intelektualësh. Letrat e korrespondencës së tyre janë krahasuar me letrat së dashurisë së Apolinerit, Elyarit apo Aragonit. Në letra Satri i referohet asaj me “lulja ime e ëmbël”, ndërsa më vonë ajo quhej prej tij ‘kastor’.

Marrëdhënia e tyre ishte një marrëdhënie e hapur, ku lejoheshin dashuritë e rastësishme, me kushtin që të mos gënjenin e që vendin që ata kishin për njëri tjetrin të mos e zinte njeri. Gjatë kohës që ata ishin bashkë, secili pati disa flirte, që herë-herë u bënë edhe histori të rëndësishme. Simone do të dilte me Jacques-Laurent Bost, me shkrimtarin amerikan Nelson Algren dhe Claude Lanzmann, e po ashtu me Fernando Gerassi, Arthur Koestler apo René Maheu. Ndërkaq të dashurat e Sartrit qenë më së shumti mikeshat e Simonës, si Olga apo Ëanda, ose ndonjëherë ndonjë që ai njihte vetë si amerikania Dolores Vanetti e cila u çmend nga dashuria për Sartrin. Nga të gjitha këto, për Simone, kishte një emër që i mbeti gjatë në mendje: shkrimtari amerikan Nelson Algren.

Sartri ishte i pari që vdiq. Simone botoi letrat që ai i kishte dërguar gjatë gjithë jetës së tyre të përbashkët, të titulluar “Lettres à Castor”, (Letra Kastorit), siç ishte pseudonimi i Simonës gjatë luftës. Qenë ato letra që i treguan botës se ç’kishte ndodhur në të vërtetë në jetën e këtij çifti të veçantë dhe sa larg shkonte marrëdhënia e tyre: ata ia tregonin gjithnjë dashuritë e tyre njëri-tjetrit. Simone gjithnjë preferonte t’i dinte historitë e tij, sepse kështu i kontrollonte më mirë ato. Mes tyre ndodhte, sidomos në kohën që të dy kishin lidhje me dy partnerë amerikanë (ajo me shkrimtarin Nelson Algren dhe Sartri me Dolores Vanetti), që ata të rregullonin axhendën me njëri-tjetrin që të mos përplaseshin me njëri-tjetrin. Algren ishte një nga dashuritë më të mëdha të Simonës por ajo u nda me të. Kur Beauvoir vdiq më 1986, shtëpia botuese “Gallimard”, botoi “Letra Sartrit”, çka bëri të kuptohej pse Simone ishte gjithnjë primare në dashuritë e Sartrit.

Marrëdhniet intime nuk qenë fort të rëndëishme për Satrin dhe Simone ia tregonte këtë në një letër amerikanit Algren. Vetë Sartri shkruante: “Marrëdhëniet seksuale me femrat në një moment të dhënë ishin të detyrueshme, por unë nuk u kushtoja shumë rëndësi. Bëja seks pa ndonjë kënaqësi të madhe…”

“Kastor, ne nuk kemi më nevojë për këto pakte provizore, sepse askush tjetër nuk mund të na kuptojë ashtu siç ne të dy e kuptojmë njëri-tjetrin”- kanë qenë fjalët e Sartrit drejtuar Simonës, kur ata diskutonin paktin e tyre.

“Seksi i dytë” është një ndër veprat më të njohura të Simone, një ese e nxitur nga Sartri. Botimi i esesë u parapri nga një artikull në revistën “Kohët Moderne”, (Les Temps modernes) që trajtonte çështje të seksualitetit femëror. Artikulli bëri zhurmë dhe François Mauriac atë kohë shkruante: “Me këtë artikull ne konstatojmë kufijtë e poshtërsisë”. Por ietë e saj u përqafuan fuqishëm veçanërisht pas lëvizjeve të ‘68 dhe lëvizjeve feministe të viteve ‘70-‘80 që shpërthyen kudo në botë, në Europë, Amerikë e gjetkë, deri në të ashtuquajturën “revolucioni seksual”. “Gratë në atë kohë duhej të bënin revolucionin e tyre, – pohonte Bovuar në shtypin e kohës.

Së bashku, pas fundit

Pas një jave në spital, Sartri i donte të dilte prej aty dhe i fton miqtë për ëhisky në apartamentin e tij. Para se të vdiste ai mori dorën e saj në të tijën dhe i pëshpëriti: “Të dua shumë Castor-i im i vogël!”. Të nesërmen ajo mësoi se ai kishte vdekur. Atë mbrëmje, miqtë e çiftit u mblodhën rreth Sartrit të vdekur. Simone kërkoi të iknin. U shtri në shtrat pranë tij dhe mbylli sytë. Simone e vuajti shumë ikjen e Sartrit. “Më në fund vdekja na ndau. Dhe vdekja ime nuk do të na bashkojë. Ishte bukur që jetët tona ngjizën së bashku” – do të shkruante ajo në rreshtat e fundit të librit të saj “Ceremonia e lamtumirës”. Gjashtë vjet më vonë, po me 14 prill, do të vdiste dhe Bovuar vetëm pak hapa larg varrit ku prehej Sartri. E veshën me robdeshambrin e saj të kuq.
(Pasqyre.al Ndalohet kopjimi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *