Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro së bashku me kryebashkiakun, Erion Veliaj, kanë organizuar një darkë me rastin e përvjetorit të lindjes së Ndriçim Xhepës, e cila ka mbledhur së bashku miq e kolegë të aktorit të njohur, i cili më 21 janar bëri 60 vjeç.
Teksa thekson se “Xhepa rrumbullakos rinueshëm vitet”, Kumbaro, shkruan se në një mjedis kaq artistik biseda e ngrohtë nuk mund të mos vërtitej dhe rreth diskutimeve për teatrin. “ Takim miqsh dhe kënaqësi diskutimi me artistët për teatrin e jo vetëm, se Ndriçim Xhepa rrumbullakos rinueshëm vitet”, shkruan ajo në fotot e postuara, ku në njërën prej tyre shihet duke përqafuar të birin e aktorit .
Në këtë darkë veç dhuratave që mori nga miqtë e pranishëm, Xhepa u nderua nga kryebashkiaku Veliaj me titullin “Simbol i Tiranës”.
Nga fotot e publikuara në rrjetet sociale shihet se në festë kanë qenë prezent disa nga miqtë më të afërt të Xhepës.
Ndriçim Xhepa është një nga emrat më të njohur të teatrit e kinemasë shqiptar. Që pas mbarimit të studimeve për Dramë në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 1979, Xhepa u shqua për rolet e tij të spikatura si aktor i Teatrit Kombëtar dhe për personazhet e luajtura mjeshtërisht në mbi 30 filma, duke u kthyer në një nga aktorët më të preferuar të publikut.