Arbër Selmani
“Sikur t`ishim zonja hijerënda, do të duhej në pikë të mëngjesit me i la këmbët e patriarkatit. Sikur t`ishim zonja, do të duhej që kanatën me e mbushë me ujë e me e nxehë me t`keqtit e shpirtit. Sikur t`ishim zonja, ishte dashtë që natën mos me bo za, me u shtirë të lumtura, me u përbi prej dhimbjeve e me i thanë vetes që kjo është ajo çka meritojmë. Sikur t`ishim zonja siç shoqnia i kërkon, ish dashtë me i rrotullu sytë e me i pranu shuplakat e burrit sikur me qenë bombonjerë e zakonshme. Sikur t`ishim zonja, ish dashtë me gatu shpesh, me mbushë barkun leshatuk të mjeranëve që i kemi për burra, që na kanë pronësu kaherë.
Sikur t`ishim zonja, ish dashtë me u alivanos e me pshty qelb. Sikur t`ishim zonja qysh e lyp rendi i keq shoqnor, ish dashtë me vjellë para vjehrrave, para oborrit që nuk e fshin kush pos neve, para miletit që kërkon të drejtat për neve, e ne jemi veç të humbuna në humnerën që nuk po nis të na pëlqejë, kurrë. Sikur t`ishim zonja të lartësuara, do të duhej me u bo gati për pjellën e fëmijës tjetër, e tjetër, e tjetër, e mos me pasë kurrë ditë me bismilah. Sikur t`ishim gra në trajtën që e lypë konaku, ish dashtë mos me tregu kurrë buzëqeshje e me mendu që e drejta jote përfundon kur i çel sytë. Sikur t`ishim zonja qysh lypin burrat tanë, do të duhej me u rujt prej leximit, prej dy fjalëve që janë të shkrume jo kundër nesh. Sikur t`ishim zonja të vërteta, qysh e lyp katuni e qyteti ku jetojmë, do të duhej me u shkarravitë, me dalë te stani e me mallku ditëlindje e lindje, me u bo ecejake e me provu me mendu një kohë ma të mirë. Sikur t`ishim zonja, ish dashtë me shku janari e dhjetori tuj e pritë tjetrin janar e tjetrin dhjetor, e kurrë njiherë asnjërin t`lumtun, po veç me qenë grua që t`marrin për t`lajthitun. Kështu qysh jemi, na ka sosë vetmia.
Po shyqyr, zonja nuk jemi. Jo zonja të këtij soji, jo zonja që traktatin me kokulësinë e nënshkrujnë ditën kur palojnë duart. Zonja nuk jemi, e as fuqi punëtore që duhet të marteve me vajtu, të mërkureve me shajt Zotin e të enjteve prapë me nisë mëngjesin tmerrshëm. Zonja, për neve, është term i kotë edhe i vrazhdë. Sikur t`ishim zonja, do të ishim thes për boks prej botës grrithëse. Macat i kemi në shtëpi. Sikur t`ishim zonja, do të ishim kësisoj siç jemi, trupa të pafjalshëm që kanë shumë fjalë brenda. Dhe kujt i plas të jetë zonjë e standardeve të sotme. Zonjat si këto sot nuk duhet të ekzistojnë. Zonja, për të cilat askush nuk është krenare, fjalëmirat nuk na gjinden kurrë. Sikur të ishim të zonjat e këtij rendi, do të ishim veç statuja që prapë na kthejnë në burra. Hajde po ndërrojmë, hajde po kundërshtojmë së qeni zonja të bukura para kamerave e knej zemërplasta se na kjo shoqëri na shkërdhen trurin nga formë në formë. Jemi zonjat perfekte për një qoshe shpije. Burrat janë arkitektët tanë, ende. Duhet të mos jemi më zonjat e tyre. Zonjat e tyre jemi, siç duan vetë ata”.