Filmi “Udha e Shkronjave” paskërka ndodhur dhe në realitet.
Jo në periudhë mesjetare, a në prag rilindjes kombëtare, por më së voni, aty pas Luftës së dytë Botërore. bëhet fjalë për shkronja plumbi të sjella me arka Tirana në Prizren, për të mundësuar daljen e gazetës Rilindja në Kosovë.
Ky fakt bëhet i ditur nga Behlul Jashari, gazetar karriere dhe një ndër emrat e Rilindjes e më vonë Bujkut si drejtues i kësaj të fundit.
Në 73-vjetorin e daljes së Rilindjes, Jashari i fjalës – siç kanë qenë ato të pushkës – i kushton një rezyme vijueshmërisë ndër vite të gazetës tradicionale kosovare, dhe fatit të saj deri në mbyllje, duke evidentuar më së pari detajin dhaskalian – Dhaskal Todhri – të fillimeve të saj.
Shkruan Behlul Jashari:
Para 73 viteve, në 12 Shkurt 1945, në Prizren nisi të dalë gazeta shqiptare, tradicionale e Kosovës, Rilindja, me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e më pas vazhdoi në dalë në kryeqytetin Prishtinë.
Pas shpalljes nga Kuvendi të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të cilën Rilindja e mbështeti fuqimisht edhe me redaksionalin në faqen e parë me titull “Fillim i së nesërmes”, në 5 korrik Serbia shpalli suprimimin e institucionave kosovare – Kuvendit e Qeverisë dhe masat e dhunëshme për gazetën e vetme shqiptare të Kosovës.
Masat e dhunëshme të Serbisë u refuzuan fuqishëm dhe gazeta Rilindja nuk u ndal, doli të nesërmen me komentin në faqen e parë më titull “Okupim klasik”.
Regjimi okupues i Beogradit në Kosovë, në situatë shtetrrethimi ushtarako-policor që kishte vendosur, në 7 Gusht 1990 ndaloi dhe mbylli me dhunë gazetën Rilindja.
Por gazeta Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua, vijoi me shkrimet e gazetarëve të saj nëpër faqet e revistave, e pastaj duke dalë edhe me emrin Bujku nga 18 janari 1991 gazetë e përditshme e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik.
Si kryeredaktor i parë-themeluesi i gazetës Bujku, themeluam edhe bashkëpunimet e para të mediave Kosovë-Shqipëri.
Zyra e telexit të gazetës, që ishte lidhja e vetme e mundëshme nga Prishtina në Tiranë në atë kohë, u bë edhe zyrë e korrespondenturës së ATSH që kur nisa raportimet nga dita e 24 majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë.
Në kohë lufte, kur edhe Bujku u mbyll dhunshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimitare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.
E rikthyer në Kosovë, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim dhunshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë.
Dhe Rilindja përsëri nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me mëse 40 numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa.
Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit e Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.
Në ballinë të numrit të fundit të 30 Dhjetorit 2008 është paralajamruar: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Pas komunikimeve me gazetën Rilindja, qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi në 7 nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën tradicionale të Kosovës edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.
Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar, që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindjaështë një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën e 12 Shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila në vazhdimësi është në mbështetje të së drejtës së gazetës tradicionale të Kosovës e punëtorëve të saj.
Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja, në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj kanë bërë kërkesat e tyre bazuar në ligje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Një e drejtë tjetër e garantuar me ligj për punëtorët e gazetës Rilindja është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone, përfshirë Arkivin e Rilindjes, pasuri e madhe e gazetës tradicionale dhe kombëtare, për dërgimin e të cilit në Arkivin e Kosovës është nënshkruar marrëveshje në 29 Janar 2007 bashkë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – tash Privatizimit, duke pasur për këtë edhe vendimin me shkrim të Kryeministrit të Kosovës.
Çështja e 20 përqindëshit pritet të zgjidhet pasi të hyjë në fuqi Ligji me ndryshime e plotësime për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i miratuar në parim në 26 janar 2018 në Kuvend të Kosovës, ku është thënë se, “përmes këtij Projektligji synohet të krijohet edhe një mekanizëm për shpronësimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore që janë të nevojshme për sektorin publik” dhe se, “nëpërmjet këtij mekanizmi Qeveria e Kosovës si autoritet shpronësues do të paguajë 20 përqind të mjeteve financiare dedikuar për punëtorët përfitues të ndërmarrjeve shoqërore”. (tesheshi)<