Nga Enver Robelli
Jo Shqipëria, por Turqia hapi konsullatë në Prizren. Ndonëse në Kosovë 1,08 për qind e banorëve deklarohen si turq, disa madje edhe me mbiemra Bytyç, Taç, Krasniç, Mazrek, Turqia e sheh të domosdoshme që, krahas Ambasadës në Prishtinë, të ketë edhe një përfaqësi diplomatike në Prizren. Në hapjen e konsullatës mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmush. Ai nuk foli si shtetar, as si përfaqësues i një shteti shekullar, por si imam me mision politik.
Ai tha: “Kosova është vend evropian dhe një vend që e ka përthithur kulturën islame në rrënjë. Duke qenë kështu, Kosova është pika më e rëndësishme e gjeografisë islame në perëndim”. Sipas mediumeve turke, Kurtulmush gjatë vizitës në Kosovë dha edhe xhevapin se gjithçka historike çfarë ka mbetur në Kosovë do të meremetohet nga Turqia.
Më tutje ai u ankua se gjatë komunizmit është ushtruar presion i madh kundër feve në Kosovë. Fakte për këtë nuk e pa të nevojshme të ofrojë zëvendëskryeministri turk. Natyrisht, regjimi komunist nuk ishte engjëllor, por të flitet për shtypje të feve në Jugosllavinë e shokut Tito është një polemikë e panevojshme. Shumica e imamëve të Kosovës të moshës mbi 50 apo 60-vjeçare në vaktin e mareshalit nga Kumroveci janë lejuar të studionin në Universitetin Azhar të Kajros, në farkëtarinë më të rëndësishme të teologëve të islamit sunit.
Vizita e Kurtulmushit hyn në vazhdën e përpjekjeve të regjimit të presidentit Rexhep Taip Erdoan për të lartësuar të kaluarën osmane në Ballkan. Dhe cila është e kaluara osmane në Kosovë? Xhami, tyrbe, ndonjë urë e shkalafendur. Kurtulmush qëndroi në Kosovë me rastin e “Ditës së turqve”, që shënohet më 23 prill. Paralelisht me të, në Kosovë qëndroi edhe një grup biznesmenësh turq të prirë nga Ali Shen, i cili takoi ministrin kosovar të nacionalitetit turk, Mahir Yagcilar, dhe premtoi se ai dhe biznesmenë të tjerë do të vazhdojnë të përkrahin Kosovën.
Ali Shen, i lindur në Prizren dhe i shkuar moti në Turqi, edhe në fund të viteve ‘90 ishte përpjekur të “ndihmonte” Kosovën. Në revistën turke “Aktuel” ai kundërshtonte ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë me argumentin se një ditë NATO-ja mund të intervenojë edhe në konfliktin e Turqisë me kurdët. Në një debat të zhvilluar në vitin 1998, ai u thoshte akademikëve turq që mbështesnin sulmet e NATO-s kundër Serbisë: “Unë i pyeta ata: pas tre vjetësh a dëshironi t’i shihni ushtarët e NATO-s në Diyarbakir dhe Shirnak (qytete të banuara me kurdë)?
Problemi në Kosovë dhe ai në Turqi ka vetëm një dallim, dhe ai ka të bëjë me atë se një kurd në Diyarbakir dhe një kurd në Stamboll në aspektin kushtetues nuk dallojnë. Rasti në Kosovë nuk qëndron kështu. Përndryshe që të dyja kërkojnë referendum dhe pavarësi. Por lind pyetja se a do të intervenojë NATO-ja në çdo shtet me probleme etnike? Po, do të intervenojë. Në rast se NATO-ja do të insistojë për një gjë të tillë ndaj Turqisë, atëherë Ali Shen thotë se Turqia sigurisht do të dalë nga NATO-ja dhe problemi më i madh aty do të fillonte”.
Në vitin 2016 Ali Shen vjen në Kosovë dhe premton përkrahje për Republikën e Kosovës, e cila, po të ecte historia sipas dëshirave të tij, as që do të ekzistonte. Emisarë të tillë i dëmtojnë jo vetëm raportet mes Kosovës dhe Turqisë, por edhe pozitën e komunitetit turk në Kosovë, i cili tani është luajal ndaj shtetit të ri dhe kontribuues në jetën institucionale, por në vitet ‘90, për fat të keq, ky komunitet ishte luajal edhe ndaj regjimit të Beogradit dhe luftën për çlirim e shikoi me një indiferencë të theksuar.
Ka, për shembull, britanikë e gjermanë që kanë luftuar në radhët e UÇK-së, por për aq sa dihet nuk ka turq kosovarë. Për këtë natyrisht nuk duhet të stigmatizohen sot pjesëtarët e komunitetit turk, por po ashtu nuk duhet të harrohet ky kapitull. Por duhen përmendur edhe shembuj të ndritur si shkrimtari Arif Bozaxhi, i cili në ditët më të errëta të Kosovës në vitet ‘90 ishte bashkë me shqiptarët në rezistencën kundër regjimit serb dhe bashkëpunëtor i mirë i presidentit Ibrahim Rugova.
Nuk është punë e ndershme që tani një ministër i Qeverisë së Kosovës si Mahir Yagcilar të takohet me figura aq kundërthënëse si Ali Shen, i cili edhe nga komuniteti shqiptar në Turqi nuk shihet me sy të mirë. Ali Shen nuk duhet të lejohet të shtrojë tezën se shqiptarët në Kosovë i solli “baba dovleti”. Kosova nuk duhet dhe nuk mund të jetë terren ku tipa si biznesmeni Shen shërojnë komplekset e tyre të identitetit. Historia e Kosovës nuk mund të shpjegohet duke zbukuruar të kaluarën dhe duke e paraqitur Perandorinë Osmane si shembull të organizimit shtetëror.
Duhet të dëgjohen më shumë shkencëtarët e mirëfilltë. Profesori Oliver Jens Schmitt para disa muajsh në një artikull në gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” shkroi: “Aktualisht me glorifikimin e së kaluarës perandorake po bëhet politikë e madhe. Turqia zyrtare me qejf po e propagandon kujtimin e Perandorisë Osmane si faktor rendi. Andaj është edhe më shumë e domosdoshme të hidhet një shikim esëll mbi atë se çfarë ka lënë pas Perandoria Osmane në një rajon prej të cilit u dëbua më 1912 përmes Luftës së Parë Ballkanike. Këtu është fjala për potencialin e shtetit, për institucionet shtetërore, për sundimin dhe masat shtetërore për zhvillimin ekonomik dhe sidomos infrastrukturor të krahinave të rëndësishme, por jo për trashëgiminë kulturore, ta zëmë, në kuzhinë dhe muzikë. (…) Perandoria Osmane me dekada të tëra kishte investuar kryesisht vetëm në një fushë: në aparatin (disfunksional) të sigurisë.
Më 1912, në tërë Vilajetin nuk kishte rrugë moderne dhe vetëm një linjë hekurudhore nga Selaniku deri në Mitrovicë. Krahas kësaj sundonin çifligarët myslimanë të tokave mbi çifçinjtë në të shumën e rasteve të krishterë, të cilët e punonin tokën me metoda mesjetare. Teknologji moderne pothuaj nuk kishte fare. Përjashtim bënte sharra e një dinastie vendore shqiptare në Mitrovicë, e cila simpatizonte me Serbinë. Sistemi shkollor ishte i strukturuar sipas përkatësisë fetare dhe përfshinte shumë pak fëmijë. Në Malësinë e Kosovës së sotme Perëndimore dhe në Maqedoninë Perëndimore fshatra të tëra shqiptaro-myslimane tradicionalisht merreshin me grabitje dhe rrëmbime – kjo ishte një lloj zeje”. Nëse e vetmja e arritur teknologjike e Perandorisë Osmane në Kosovë ishte sharra e familjes Draga në Mitrovicë, atëherë nuk kemi asnjë arsye t’i duartrokasim propagandës neoosmane të Ali Shenit apo zëvendëskryeministrit Numan Kurtulmush. Pakica turke në Kosovë mund të shërbejë si urë lidhëse mes Turqisë dhe Kosovës, por do të ishte fatale nëse ajo (lejon të) keqpërdoret për agjendat politike aktuale të Turqisë erdoganeske.
Kuptohet se dhe pala kosovare duhet t’iu shmanget polemikave bajate kundër Turqisë. Ky vend ka rëndësi të jashtëzakonshme gjeostrategjike dhe jo rrallë ka kryer punë të vlefshme në favor të Kosovës, sidomos në lobimin aktiv për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera. Republika e Kosovës duhet të ketë vullnet dhe gatishmëri për të ndërtuar marrëdhënie strategjike me Turqinë, por kjo s’bëhet duke fryrë dhe manipuluar të kaluarën, por duke u bashkuar mbi premisat euroatlantike.
Fundja, Turqia vazhdimisht është deklaruar në favor të integrimit të Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë të bazuara në vlera evropiane e perëndimore nuk ndërtohen duke futur në lojë figura të somnambulizmit politik si Ali Shen.
Në vitet ‘90 një publicist – hajde të themi – mendjelehtë kosovar pati fyer rëndë kryeministrin turk Turgut Özal dhe me fjalë vulgare kishte përshkruar kuzhinën turke, e cila – dorën në zemër – është ndër më të mirat në botë. Atëbotë kishte reaguar Ambasada e Turqisë në Beograd dhe publicisti ishte ndëshkuar.
Në kohërat e “gazetarisë virtuale” nuk ndëshkohet askush, madje as atëherë kur “gazetarët” iliro-pellazgë shkruajnë se gratë tona të bukura si Angjela Martini dhe Bleona Qerreti po na i rrëmbejnë “hamshorët” turq. Për t’i rënë shkurt këtij debati: Turqia nuk arrin asgjë në Kosovë nëse si trashëgimi osmane lavdëron ndërtimin e disa xhamive dhe sharrën e familjes Draga, ndërsa shqiptarët dalin qesharakë kur vajtojnë se Bleonat dhe Angjelat tona nuk po na i marrin kaurët, por turqit.