Nga Albana Lifschin
Vendin ku do të ndërtohej shtëpia e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e zgjodhi vetë presidenti Xhorxh Uashington në vitin 1791.
Ndërtimi i shtëpisë së Presidentit filloi një vit më vonë por vetëm në nëntor të vitit 1800 shtëpia priti banorët e parë të saj.
Madje edhe atëherë shtëpia nuk ishte veshur ende me mobilje.
Abigel Adamsi, gruaja e presidentit të dytë të Shteteve të Bashkuara, Xhon Adamsit, shkruante kështu “Kjo shtëpi është bërë tashmë e banueshme, por ende s’ka as edhe një mobilje të vetme brënda. Dhomën më të madhe të saj, unë e përdor për të nderur rrobat.” Gjatë luftës të vitit 1812 me Britaninë e madhe, anglezët hynë deri në kryeqytetin e vendit, në Washington DC, i cili ishte i pambrojtur. Presidenti atë kohë nuk ndodhej aty.
Para se të linte Shtëpinë e Presidentit, siç quhej atë kohë, Dolli Medison, gruaja e presidentit Xhejms Medison, arriti të shpëtonte nga djegia një pikturë të madhe të Xhorxh Uashingtonit, vepër e piktorit të famshëm Gilbert Stuart dhe objekte të tjera të rëndësishme. Ushtarët anglezë i vunë zjarrin Shtëpisë së Presidentit. Shtëpia e Presidentit u rindërtua më vonë duke ruajtur po atë pamje e arkitekturë. Sidoqoftë pas rindërtimit të saj të gjitha muret u lyen me ngjyrë të bardhë për të fshirë gjurmët e zjarrit.
Që nga ajo kohë, amerikanët u mësuan ta thërrisnin shtëpinë e presidentit “Shtëpia e Bardhë.” Në vitin 1902 Kongresi amerikan e bëri këtë emër zyrtar.
Pas 100 vjet jete e më shumë nga ndërtimi i saj,skeleti i Shtëpisë së Bardhë filloi të vjetërohej e dobësohej.Në vitin 1948 lindi pyetja nëse Shtëpia e Bardhë duhej të riparohej duke ruajtur po atë projekt, apo duhej shembur e në vënd të saj të ndërtohej një rezidencë krejt e re. Populli amerikan e dha përgjigjen e vet nëpërmjet letrave të panumërta. “Shtëpia e Bardhë” ishte Shtëpia e Bardhë dhe kështu duhej të mbetej duke trashëguar aparencën e saj. Vullneti i popullit fitoi dhe shtëpia e presidentit u forcua por mbeti po ajo, siç kishte thënë Xhorxh Uashingtoni “një vënd me simptomat e pallatit,konfortin e një shtëpie dhe simbol i harmonisë së vëndit.” (Pasqyre.al)