Nga Agustin Prenga
Më ndodh që shumicën e rasteve të lexoj veprën dhe rrallë të njoh autorin personalisht. Kësaj herë ndodh ndryshe, e kam njohur autorin para së të lexoja veprën. Madje pata privilegjin ta lexoja në dorëshkrim.
E nisa në një udhëtim me avion ta shfletoja elektronikisht , Qelinë e Lirisë. Fillimi i romanit, ndryshe nga nisja e vrullshme e avionit është e ngadaltë. Madje mund të duket si një agoni fundi. I tillë është momenti që autori na prezanton Shqipen. Personazhi kryesor hyn në skenë e rënduar nga humbja. Pikërisht faqet e para me ritmin e ngadaltë e përshkruajnë më së miri natyrën e humbjes. Ditët , mendimet ja lënë vendin njëra tjetrës dhe duket se asgjë nuk ka rëndësi në këtë botë. Veç asaj që iku asaj që ekziston në kujtime.
Atë që e bën humbjen më të madhe është që bota nuk do t`ia dijë
Ndonëse humbja e gjetja është një temë e rimarrë herë pas herë në vepër pas faqeve të para leximi rrjedh shpejt. Ngjarjet janë vendosur në Tiranë diku në lagjen pa emër. Familja protagoniste është nga Kosova dhe personazhet e tjerë janë ato që i shohim përditë dhe nuk i vëmë re. Si të thuash i shohim por nuk i vështrojmë.
Personazhe ka pak por përfaqësojnë shumë. Ajo që bie në sy është thellësia e dialogjeve dhe vërtetësia e tyre. Kaoni trajton me mprehtësi marrëdhëniet jetë vdekje, fëmijë prind, marrëdhëniet dashurore dhe ato miqsore . Pika ku shkëlqen është në trajtimin e dramave njerëzore. Ai e pasqyron botën e tyre të brëndshme me çiltërsi bashkë me dhimbjen, moskokëçarjen ngushëllimin në krahët e vesit , zemërimit . Ka pasqyrim njerzor, jo gjykues por në të njëtën kohë ai i përball ato me të Vërtetën.
Realiteti i “Qelia e Lirisë” është një realitet që dhemb . Eshtë një realitet që përpiqemi ti shmangemi. Eshtë një realitet që nuk duam ta pranojmë. Kaoni përballet, e pikturon me kurajo dhe jep shpresë. Emrat e personazheve janë të zgjedhur . Stili është lakonik. Fjali të shkurtra me një shqipe që nuk ngatërrohet me fjalë të huaja.
Thonë që një vepër letrare vlerësohet për estetikën, ndjesinë e së bukurës që të fal dhe një vepër akademike për vërtetësinë. Te Qelia e lirisë mund ti shijosh të dyja. Ndjesia që më lë në fund është si fundi i udhëtimit me avion. Mezi pret që avioni të ulet në pistë dhe njëkohësisht je gjithë kureshtje si do vijojë udhëtimi tjetër…..
Si do vijojë jeta e Shqipes? Po Fadilit? A do të shohë Albani me sy atë që sheh me zemër? A e bren ndërgjegja Ibresin?
A do vijë sërish pranvera në familjen Hoti?
Qelia e lirisë është një vepër që ja vlen ta lexoni këto ditë nëntori. Veç librarive mund ta gjeni te Panairi i Librit në Pallatin e Kongreseve.