Shuhet Todi Bozo/ Mesazhi prekës: Të desha e do të të dua në përjetësi

Filiz i një trungu me rrënjë të thella, Todi Bozo do të bënte emër në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX në mbarë Myzeqenë babaj i Todit thirrej Kapedan Llazar Bozo. Sepse ishte ndër atdhetarët më të shquar të kësaj krahine. Në nëntor të vitit 1912 ai ka qënë shoqërues i Ismail Qemalit nga Shkumbini për në Vlorë, duke qënë i pranishëm edhe në çastin e ngritjes së Flamurit të Pavarësisë.

Është ndarë nga jeta sot kineasti i njohur shqiptar Todi Bozo. Ka qenë familja që e ka dhënë lajmin e rëndë. “Nuk është e lehtë të shkruaj për të treguar se ti nuk jeton më Todi Bozo.
Ti heroi i heshtur i ëndrrës së kinemasë shqiptare…pionier i prodhimit të filmit shqiptar…ti baba e shok që na lë pas kujtime te bukura”, shkruan Alda Bida, bashkëshortja e djalit të tij, Petri Bozos.
“E kam të pamundur ta besoj o Baba Todi!

Të desha e do të të dua në përjetesi si njeriun që më ka dhënë bekime e besim”, shkruan Bida.
Të dielën më dt 4 shkurt ora 10:00 me 12:00 ne Muzeun Kombëtar do të jenë homazhet për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

KINEASTI

Më 1958 Todi Bozo filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e re”. Filmi i tij i parë ishte “Furtuna”, një prodhim i përbashkët me “Moskëfilm”. Më pas e vazhdoi veprimtarinë e vetë krijuese me disa filma dokumentarë, sidomos artistik. Tani do të ishte drejtor në filmat “Debatik” (1961), “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), “Plagë të vjetra (1969).

Ndërkaq, vazhdoi studimet pasuniversitare dhe diplomohet për regjisor. I kësaj kohe është filmi “Lugina e pushkatarëve” (1970).

Në vitin 1971 Todi Bozo kaloi në detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Kinostudios, detyrë që e kreu gjatë 12 vjetve. Ndërkohë, nga ky vit e në vazhdim dha leksione të pandërprera në Kinostudio dhe në Akademinë e Arteve të Bukura.

Mbas largimit nga detyra si zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Kinostudios, kjo për arsye shëndetësore, Todi Bozo vazhdoi të punojë për prodhimin e filmave dokumentarë. Ka qënë skenarist dhe regjisorë i shumë filmave të tillë, mes të cilëve “Noli ynë”, “Ditë plot diell”, “Pejsazh me mollë”, “Shkripëzimi i tokave”, “Shtegtimi”, “Moj e bukura Arbëri!”, “Këngët e zemrës”, “Drejt kuvendit pluralist” etj. etj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *