Shtrigat e Kastratit-simotra të “Shtrigave të Salemit”

Kujtimet e konsullit francez Alexandre Degrand, mbi një ngjarje të vërtetë të ndodhur në Kastrat të Shkodrës në vitet e fundit të shekullit XIX

Nga Luan Rama

Kjo histori nuk është një krijimtari letrare, një fantazi apo trill shkrimtari. Është një ngjarje e vërtetë që ka ndodhur në Kastrat të Shkodrës në vitet e fundit të shekullit XIX.

Dhe këtë nuk e gjeta në gojëdhënat dhe anekdotat popullore por në kujtimet e konsullit francez Alexandre Degrand, i cili kishte qenë konsull nga viti 1893 në 1899 dhe kishte botuar më pas librin me kujtime Souvenirs de la Haute Albanie (Kujtime nga Shqipëria e Epërme). Ja pra, një histori shtrigash që më kujtoi menjëherë Shtrigat e Salemit që në kronikat historike kishte gjetur Arthur Miller dhe kishte shkruar dramën e tij të famshmeShtrigat e Salemit.

Kur aktorët shqiptarë të fillimit të viteve ’70 interpretonin këtë dramë aq të pëlqyer nga publiku por dhe ata vetë si një vepër kulmore, nuk e dinin se një dramë e tillë e ngjashme kishte ndodhur në vendin e tyre, në Kastrat të Shkodrës të treguar me dy fjalë nga konsulli Degrand, por që menjëherë kjo histori ta ndez fantazinë e krijimit të një drame apo filmi. Dhe menjëherë, çdo lexues imagjinon thelbin e një ngjarje me personazhet e saj, një histori tragjike të një shoqërie të mbytur nga obskurantizmi dhe ku gëlonin supersticionet. Shekulli XIX ishte i mbushur plot besëtytni e supersticione në shoqërinë shqiptare, në jug e në veri. Me një fe të imponuar, myslimanët e veriut praktikonin praktikisht dy besime, një për t’i bërë qejfin pashait dhe autoriteteve turke dhe tjetra, e tyre, që praktikohej në shtëpi: ata bënin bajram por dhe faleshin për Shën Nikollën, apo bënin kryqin duke iu lutur Virgjëreshës Mari. Në këtë botë besëtytnish por dhe ritesh të fuqishme pagane të lidhura me natyrën, diellin, hënën, gjarprin apo dhinë, etj., besohej dhe në xhindet e së keqes. Burrat besonin se gratë e tyre të vdekura mund të zgjoheshin dhe të vinin në shtratet e tyre, se njerëzit e vdekur mishëroheshin në shpendë, objekte, zogj, siç tregon po ky konsull gjatë një nate në shtëpinë e një malësori tjetër në rrethinat e Shkodrës, ku motra që priste të vëllanë ishte kthyer në një shpend që çdo natë zbriste në çatinë e shtëpisë pranë dhe klithte: “Gjok! Gjok!”, që ishte emri i tij… Ata i besonin “syrit të keq” dhe për t’i mbrojtur fëmijët, gratë i bënin me shenja në mes të vetullave, me të zezë apo të kuqe, që “syri i keq” të largohej. Në një kapitull për besëtytnitë dhe supersticionet, konsulli tregonte se shqiptarët mendojnë se një gjarpër fshihet në skutat e çdo shtëpie, se ai nuk duhet vrarë; se vezët e pulës, para se të hapen, u duhet bërë kryqi se ndryshe mund t’u dalë një përbindësh; se dhe lopët duhen bekuar me ujin e bekuar. Në shtëpitë katolike, nëse një i vdekur është përcjellë e qivuri ka dalë nga dera, nëse do të ndodhte të vdiste dikush tjetër nga familja, ai duhej të dilte për të shkuar në varreza nga dritarja dhe nëse do kishte vdekje të tjera dhe do të shfrytëzoheshin të gjitha dritaret e shtëpisë, atëherë thonë se njerëzit e pinjollët e tyre do të jetonin shumë gjatë. Por një nga supersticionet që duhet ta ketë bërë konsullin për të qeshur, ishte ajo kur një burri i vdiste gruaja. Atëherë, gratë që kishin vajza për të martuar, i merrnin me vete kur shkonin në ngushëllime te kjo familje dhe e para vajzë që i tërhiqte fort këmbën së vdekurës, pa e parë njeri, ajo kishte shanse të martohej me burrin që kishte mbetur e ve. Një komedi në tragjedi… Po sikur e vdekura të zgjohej nga kjo tërheqje e fortë… çdo gjë ndodh, pasi ka të vdekur që na janë ngjallur?!… Por le të kthehemi në tragjedinë shqiptare, në atë që përafron “shtrigën” e Kastratit me “Shtrigat e Salemit”… Dhe padyshim nuk ishin aq larg si kohë mes tyre, edhe pse larg, shumë larg gjeografikisht. Ja çfarë kishte ndodhur: Meqë disa malësorë e akuzuan atë grua për vdekjen e një malësori në mërgim (thonë se dikush i kishte parë ata të shkonin buzë lumit dhe pastaj të hynin në pyll), fjalët u hapën se shkaku i kësaj vdekjeje ishte ajo. Thashethemnaja mori dhenë, mbuloi shtëpitë e fshatit, zhaurima pushtoi malet përreth dhe legjenda u krijua se mes tyre, në atë fshat jetonte një shtrigë me fytyrë engjëlli. Por ajo megjithatë, si gjithnjë ecte krenare në rrugët e fshatit… Madje thoshin se kjo “shtrigë” na kishte lidhje dhe shpesh takohej me të venë e mërgimtarit dhe se dikush i kishte parë bashkë duke bredhur natën… Ku shkonin vallë? Me siguri për magji! – kishte thënë dikush. Dhe përsëri thashethemnaja kishte pushtuar shtëpitë e Kastratit. Dhe njerëzit filluan të shihnin ëndrra dhe t’i tregojnë ato të nesërmen… dhe ata filluan t’u besojnë ëndrrat e tyre.

Atë vit, jo pak gjëra kishin ndodhur në fshat: një fëmijë kishte vdekur që ditën e parë të vitit; lumi kishte ardhur me aq yrysh saqë e kishte shkatërruar urën e madhe e të drunjtë, fushat me misër ishin përmbytur nga ujët. Dy gjakmarrje kishin ndodhur, por këto ishin të zakonshme dhe nuk përbënin ndonjë çudi. Por ajo që e kishte tronditur ndërgjegjen e tyre ishte eklipsi apo “Hataja e Madhe”, siç e quajtën ata. Një natë ishte bërë eklips në mes të ditës. Qielli ishte errësuar papritur, zogjtë filluan të hallakateshin dhe të vinin rrotull duke klithur, disa prej tyre përplaseshin nëpër pemë; delet zunë të blegërinin pa kuptim dhe kuajt të hingëllinin dhe shkrofëtinin duke lëshuara piskama; njerëzit kishin vrapuar drejt kullave të tmerruar dhe një i ftohtë i madh kishte pushtuar gjithçka, por pesë minuta më vonë, dielli ishte shfaqur sërish, si për çudi… Cila dorë e kishte larguar “Hatanë e Madhe”, cili shpirt e largoi terrin e zi? Jo, për ata kjo nuk ishte dora e Zotit, as vullneti i tij. Ishte diçka tjetër, një magji, magji… dhe të gjithë vështrimet ishin drejtuar nga gruaja-shtrigë, që të nesërmen, me fytyrën e saj të ëmbël, kishte dalë përsëri për të shkuar në arë. Ky ishte kulmi! Që të nesërmen, në kuvendin e burrave, burrit të “shtrigës” nuk i afruan duhanin si gjithnjë dhe nuk i dhanë kafenë sipas zakonit. S’kishte turp më të madh. Dhe me t’u kthyer në shtëpi, burri që e donte aq shumë atë grua të bukur, kishte britur me ulërimë, duke i thënë: – Ti je një shtrigë!

Kështu i kishin thënë Franit të gjorë… kështu klithte tashmë dhe ai.

Ajo e mjera ishte stepur dhe nuk kishte folur. Ishte një grua e re, me një fëmijë të vogël dhe gjithë nure. Shtatin e kishte të lartë, flokët i derdheshin gjer në mes, sytë i kishte formë bajame në ngjyrë jeshile dhe vithet që i ngriheshin ende përpjetë e bënin tepër sensuale dhe të dëshiruar. Të gjithë burrat e Kastratit e kishin ëndërr ta kishin në dorë atë grua. I hidhnin sytë tinëz kur ajo shkonte për të mbushur ujë në burim. Por Frani tani ishte bërë xhind. Dhe gruaja u habit që në furi e sipër, burri i saj bëri një zjarr në oborr duke hedhur trungje e shkarpa.

“Ajo shtrigë duhet djegur! – kishte dëgjuar zërin e dikujt tek po linte kuvendin e burrave. Dhe gjithë rrugës duke u kthyer për në kullë i kumbonin po ato fjalë: Ajo shtrigë duhet djegur! Është shtriga e “Hatasë së Madhe”! Është shtriga që hëngri zemrën e Palit të gjorë!

Dhe Frani kapërceu pragun dhe hyri në dhomë. E tërhoqi zvarrë engjëllin e tij e më pas e lidhi. Kërkonte të zbulonte të vërtetën për magjitë e saj…

– Tregomë të vërtetën shtrigë!… klithte ai.

Ndërsa ajo filloi të qante. Ç’t’i thoshte?… Ndërsa ai i klithte përsëri:

– Hape gojën shtrigë! Çfarë ke bërë me magjitë e tua… Trego që je bijë e djallit!

Por gruaja përpiqej të çlirohej nga krahët e fuqishëm të tij.

– Po “Hatanë e Madhe”, si e krijove?

Britmat e tij u dëgjuan përreth. Në fillim u afruan ata të shtëpive pranë, pastaj dhe të kullave më tej.

– Frani po djeg gruan-shtrigë! Shtriga!!!! U hap lajmi. Dhe të tjerë malësorë, burra, pleq e gra u mblodhën njëri pranë tjetrit te gardhi i asaj shtëpie të gurtë duke parë atë spektakël tragjik: zjarri, gruaja dhe Frani që e shtynte drejt zjarrit. Vallë ta digjte?… A mund t’i digjte me duart e tij ata sy të bukur dhe ata gjinj të mjelmtë?… Ja ku flokët iu përzhitën në flakë! O Zot! – mërmëriti Frani.

– Fran! – klithte gruaja, – Në emër të Shën Mërisë! … Të kanë gënjyer! Dëgjomë burri im i mirë!…

Por Frani nuk dinte ç’bënte tani, duke e shtyrë gjithnjë drejt zjarrit.

Dhe më së fundi, kur gruaja po digjej vërtet, ajo klithi:

– Mjaft! Do të tregoj!

Frani e tërhoqi nga flakët. Tani ajo qëndronte e përkulur në këmbët e tij.

– Fol, ç’ke për të thënë!

Dhe gruaja pranoi se vërtet ishte shtrigë dhe se kishte ngrënë zemrën e atij burri të mjerë, prandaj dhe ai kishte vdekur…. Se me gruan e ve ato dilnin netëve dhe bënin magjira…

Pastaj një heshtje e madhe ra mes njerëzve. Një ofshamë u dëgjua. Gruaja tashmë përpëlitej mes jetës e vdekjes. “Shtriga u dogj!” bërtiste njëri nga djemtë që iku të jepte lajmin derë më derë ndërkohë që ajo jepte grahmat e fundit. Gjithë atë natë fëmija qante dhe kërkonte nënën e vet.

Të nesërmen kishte vdekur. Një rrebesh i tmerrshëm ra si për çudi, një shi që nuk pushoi gjatë një jave.

Dy ditë më vonë, dy burra kishin marrë gruan e ve, pra magjistricën tjetër dhe mes shiut e kishin çuar në Shkodër, te guvernatori turk. Një udhëtim nëpër baltë, shi dhe erë të stuhishme. Kishin mbërritur në ag. Ja tek shfaqej tutje kalaja e moçme dhe në këmbët e tij qyteti i vjetër që ende flinte. Guvernatori i kishte dëgjuar, edhe pse gruaja e ve lutej për Zotin se s’kishte gisht në këtë histori. Më së fundi, guvernatori me çallmën në kokë, urdhëroi ta mërgonin atë grua “të keqe” në Azinë e Vogël, dhe ashtu u bë.

Një ditë më vonë, konsulli francez i Shkodrës, nga Kafja e Madhe kishte parë karron me një malësore të humbur që dy zaptije që po e çonin diku, larg. Aty mori vesh vendimin e shpejtë të guvernatorit osman.

Kjo histori, e jetuar realisht në atë kohë (për çka konsulli nuk na jep detaje) e kishte befasuar atë dhe konsujt e tjerë, atë italian dhe austro-hungarez. Më pas Degrand kishte shkruar veç dy radhë për të treguar se deri ku shkonin besëtytnitë dhe supersticionet e malësorëve të këtyre anëve. Malësorët e Kastratit kujtuan se shpëtuan njëherë e mirë nga magjitë dhe magjistricat, por fatkeqësitë e tyre do të vazhdonin gjithnjë, duke rënë në një mjerim akoma më të skajshëm. Në fillim, varrit të saj që s’kishte as emër e as nishan, nuk i afrohej njeri. Kishin frikë të zgjonin magjistricën e famshme apo “engjëllin e zi”. Por më vonë, kur e kuptuan se faji i mjerimit të tyre nuk kishin qenë magjitë e saj, atëherë dikush vuri aty një gur. Frani ishte çmendur dhe vërtitej pyjeve si një kafshë e plagosur. Lufta e Madhe, apo Lufta e Parë Botërore sapo kishte shpërthyer. Fjala ishte hapur se pritej të kthehej në kullën e saj gruaja e vé e Palit, e degdisur në një fshat të humbur të Mosulit. Magjitë e kishin humbur fuqitë e tyre. Dukej se malësorët nuk i besonim më ato

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *