Menjëherë pas grushtit të shtetit të mbetur në tentativë, në Turqi ka nisur një valë akuzash antiamerikane dhe kjo ka bërë që besueshmëria ndaj Turqisë të ulet ndjeshëm në radhët e administratës Obama dhe kongresit.
Nga Nahal Toosi
Administrata e presidentit Obama ka një mesazh për Turqisnë: Uleni pak zërin.
Një ditë pasi presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, shprehu nervozizmin e tij se Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, duhet të kishte vizituar vendin e tij menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti, një nga zyrtarët e Departamentit të Shtetit u shpreh se Shtetet e Bashkuara ndihen tejet të shqetësuara prej gjuhës së përdorur prej një aleatët e saj të hershëm në NATO.
Kjo gjuhë karakterizohet prej një antiamerikanizmi të thellë, madje nëse do t’i shtonim edhe akuzat e hedhura prej shtypit turk se pas grushtit të shtetit fshihet edhe administrata Obama, apo ato që përpiqen të provojnë në organizim ka marrë pjesë edhe një think tank nga Uashingtoni. Megjithatë, duket sikur Erdogani ka dashur të thotë shumë edhe me bujën e përmirësimit të marrëdhënieve me Rusinë, rivalen e Shteteve të Bashkuara, të cilën ai e vizitoi ditën e martë.
“Kjo lloj teorie komploti dhe retorike inflamatore nuk janë absolutisht ndihmëse, u shpreh zëdhënësja e shtetit, Elizabeth Trudeau gjatë një konference për shtyp gjatë ditës së martë. Ajo u shpreh gjithashtu për POLITICO-n: “Ne jemi të gjithë të përqendruar në uljen e temperaturës. Ne e kuptojmë se bëhej fjalë për një situatë tejet serioze, mirëpo kjo retorikë e përdorur nuk sjell kurrfarë dobie.”
Thirrja e saj theksonte se irritimi në rritje në radhët e administratës Obama në lidhje me se si ta trajtojnë këtë çështje me partnerin problematik, por prapëseprapë të rëndësishëm në luftën kundër Shtetit Islamik. Ekziston një shqetësim i përbashkët in Kongres, ku pjesëtarët e tij shprehen me skepticizëm bipartizan përsa i përket besueshmërisë së Turqisë qysh prej tentativës për grusht shteti të mesit të muajit korrik.
Megjithëse gjatë gjithë këtyre javëve që kanë kaluar presidenti Barak Obama dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë ndëshkuar vazhdimisht aktin e grushtit të shtetit, por nuk kanë lënë pa përmendur edhe spastrimet, trysninë dhe dhunën e ushtruar nga ana e Erdoganit ndaj dhjetëramijëra mbështetësve hipotetikë të grushtit të shtetit, të cilët “kanë dalë” edhe nga radhët e gazetarëve apo mësuesve. Megjithatë, reagimi i ekuilibruar i amerikanëve është marrë për fyerje nga ana e turqve.
“Perëndimorët nuk duhet të shqetësohen për numrin e njerëzve të arrestuar, apo të pushuar nga puna,” – u shpreh presidenti Erdogan për të përditshmen franceze “Le Monde”, në një intervistë të botuar ditën e hënë. “Ne po përballemi me një përpjekje terroriste për të rrëzuar qeverinë. Perëndimi duhet ta kuptojë se me çfarë po përballemi ne.”
Erdogani shpërtheu më ashpër ndaj amerikanëve veçanërisht sepse ata nuk ekstradojnë Fethullah Gylenin, një lider mysliman me vendbanim në Pensilvani, për të cilin Ankaraja mendon se ka qenë ai arkitekti i grushtit të shtetit – madje disa nga zyrtarët turq shprehen se Shtetet e Bashkuara po i vënë në rrezik marrëdhëniet e tyre me Turqinë duke mos e dorëzuar atë. Ndërkohë që zyrtarët amerikanë pohojnë se nuk mund ta ekstradojnë Gylenin pa i dhënë atij të drejtën e një procesi ligjor të plotë.
Në intervistën e tij për “Le Monde”, Erdogani aludoi se Kerri do të vizitonte Turqinë gjatë këtij muaji, çka mbeti e pakonfirmuar nga ana e Departamentit të Shtetit. “Është vonë, tejet vonë,” – u shpreh ai. “Është e trishtueshme. Çfarë duan të ndodhë më tepër amerikanët? Aleati i tyre strategjik përballet me një grusht shteti dhe atyre u duhen 45 ditë për të dërguar dikë. Kjo është për t’u çuditur.”
Ndoshta ngacmimi më i madh nga ana e presidentit turk ishte vizita e tij e së martës në Rusi, ku ai u takua presidentin rus, Vladimir Putin. Lideri rus e ka kritikuar vazhdimisht administratën Obama se, e para po sulmojnë haptazi regjimin e Bashar el-Asadit në Siri, e dyta sepse janë ende duke u përfshirë në Ukrainë.
Fakti që Erdogani, i cili ka këmbëngulur më shumë nga të gjithë për rrëzimin e Asadit, rreket të bashkojë forcat me Putinin është një shenjë e fortë se sa i mërzitur është ai me Shtetet e Bashkuara. Nëntorin e shkuar Turqia pati rrëzuar një avion bombardues rus përgjatë kufirit sirian dhe ky ishte një incident që i dëmtoi jashtë mase lidhjet mes Moskës dhe Ankarasë.
Disa nga vëzhguesit shprehen se reagimi i matur i administratës së presidentit Obama tregon se ata nuk do ta pranojnë edhe aq lehtë lënien në anë.
Pavarësisht ankesave të vazhdueshme të Erdoganit në të shkuarën përsa i përket bashkëpunimit të Shteteve të Bashkuara me luftëtarët kurdë, të cilët luftojnë kundër regjimit të Asadit në Siri, SHBA-të nuk kanë reshtur se bashkëpunuari me rebelët. Madje Obama i ka paralajmëruar vetë liderët turq, që ata të reshin së promovuari idenë se Shtetet Bashkuara kanë qenë në mbështetje të grushtit të shtetit.
“Kjo administratë duket e bindur dhe e vendosur se Erdogani ka më shumë nevojë për ta, sesa ata për Erdoganin, – u shpreh Randa Slim-i nga “Middle East Institute”.
Disa të tjerë e përshkruan reagimin e Shteteve të Bashkuara si përgjithësisht “pasiv”, duke lënë të kuptohet se nuk po veprohet siç duhet për të zbutur tensionin e shkaktuar.
“Unë mendoj se ata po thonë me vete: “Të rrimë urtë më mirë, sepse nëse flasim gjërat do të përkeqësohen më shumë. Turqit na duhen për Sirinë dhe shumë gjëra të tjera” Megjithëse këto të tjerat janë disi të mistershme,” – u shpreh Steven Cook-u nga Kësilli i Marrëdhënieve me Jashtë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përdorin bazën ushtarake të Inxhirlikut në Turqi, e cila u duhet për të ndërmarrë sulmet ajrore kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Mirëpo Turqisë iu deshën muaj për të rënë dakord që baza të përdorej prej forcave amerikane dhe, nëse Turqia vendos t’i përzërë amerikanët, zyrtarët amerikaën pohojnë se Shtetet e Bashkuara mund t’i ndërmarrin sulmet e tyre edhe nga baza të tjera, në vende të tjera.
Njëkohësisht, nëse Turqia vendos ta pakësojë bashkëpunimin e saj me Shtetet e Bashkuara përsa i përket luftës me Shtetin Islamik, ka gjasa që ajo të vuajë më shumë, duke qenë se ajo gjendet më pranë teatrit të operacioneve të ndërmarra nga ana e rrjetit terrorist, të cilët kanë ndërmarrë tashmë disa sulme në Turqi.
Blaise Misztal-i nga “Bipartisan Policy Center” u shpreh se përpjekja për grusht shteti dhe pasojat e saj “po shkaktojnë plasaritje të marrëdhënieve të forta mes SHBA-ve dhe Turqisë, të cilat janë ngritur rreth nocionit se Turqia ishte një partner i domosdoshëm, edhe pse i padëshirueshëm.”
“Tanimë në Uashington të gjithë kanë filluar ta shprehin hapur mendimin se Erdogani është duke e tepruar,” – përfundoi ai.
Një nga kongresmenët amerikanë konfirmoi se në Kongres po përhapet një pakënaqësi e madhe ndaj Turqisë. Ligjvënësit republikanë dhe demokratë kanë qenë vazhdimisht të shqetësuar përsa i përket prirjeve autoritare të Erdoganit. Ideja se Kerri duhet të nxitojë për të vizituar Turqinë pas akuzave të hedhura ndaj Shteteve të Bashkuara është kryekrejet absurde, – ka thënë ai.
“Nuk e di pse duhet të dërgohet dikush që të kthehet në një mundësi të mirë për shtypin dhe mandej turqit të na deklarojnë ne si mbështetës të tyre në veprime për të cilat ne nuk mund të jemi kurrsesi përgjegjës,” – vijoi ai.
Trudeau-ja u shpreh se ajo nuk kishte asnjë informacion në lidhje me ndonjë udhëtim të mundshëm të z. Kerri në Turqi, por përmendi edhe faktin se Turqia u vizitua prej gjeneralit të forcave ujore, Xhon Danford, në fillim të muajit.
Danfordi është njëri prej dy gjeneralëve të përfshirë në një dosje nga ana e drejtësisë turke, sipas së cilës ata kanë ndihmuar organizatorët e grushtit të shtetit.
Ndërsa disa organe mediatike turke të tjera kanë hedhur hipotezën se pas grushtit të shtetit mund të fshihet edhe një think tank, “Ëoodroë Ëilson International Center” me qendër në Uashington, vetëm me arsyen se studiuesit që bëjnë pjesë në të kanë zhvilluar një konferencë në Turqi, e cila është mbajtur gjatë fundjavës së përpjekjes për të rrëzuar nga pushteti presidentin Erdogan.
Haleh Esfandiari, një nga studiueset kryesore pranë kësaj qendre, është shprehur në një publikim të saj në blogun e “Ëall Street Journal” se i mohon të gjitha këto akuza që nuk e kalojnë cakun e teorive të konspiracionit që ka sajuar armiqësia iraniane ndaj Shteteve të Bashkuara.
“Paranoja po përhapet si virus në këtë rajon të botës,” – ka paralajmëruar ajo.