Në të gjithë Shqipërinë, sikurse edhe trevat shqipfolëse, Ndre Mjeda njihet si poet, rilindas, filozof, klerik, studiues por gjithë këtë veprimtari, ai e zhvilloi në një shtëpi e cila ndodhet në një fshat midis Shkodrës dhe Lezhës, i quajtur Kukël.
Këtë shtëpi, Mjeda e ndërtoi në vitin 1907, ndërsa kishën në vitin 1913, me një stil neoklasik të projektuar nga vetë ai.
Ne vitet ’90 kjo shtëpi ishte në gjendje të mjerueshme dhe e braktisur.
Falë përpjekjeve të gjata dhe në saj të një bashkëpunimi të gjerë nga aktorë të ndryshëm, si shqiptarë ashtu edhe të huaj, shtëpisë së poetit Mjeda i është kthyer identiteti.
Ndre Mjeda ishte një nga patriotët, studiuesit dhe deputetët ndër më të njohur shqiptar.
Ai lindi në Shkodër më 20 nëntor 1866. Mësimet e para i ndoqi po në vendlindje dhe edukimi i tij u influencua nga Urdhri i Jezuitëve.
Nën Urdhrin e Jezuitëve në pranverë të 1880, Mjeda studioi për tre muaj në fshatin Cossé-le-Vivien, Laval, një qytet në veriperëndim të Francës.
Në vitet e mëvonshme ai ndoqi studimet për letërsi në manastirin Kartakuzian të Porta Coeli në veri të Valencias. Më pas Mjeda studioi teologji në Kolegjin e Jezuitëve në Krakov, Poloni, ku gjithashtu shërbeu edhe si bibliotekar në kolegjin Gregorian të Kraljevicës.
Deri në fund të jetës, Mjeda shërbeu si mësues në Kolegjin Jezuit të Shkodrës. Ai vdiq më 1 gusht 1937. Mjeda do të kujtohet si një nga patriotët dhe shkrimtarët më të shquar shqiptar, ku kontributi i tij do jetë i paharruar./ATA