Shtatë portat e Damaskut

Siria është sot shteti i poetit Adonis, i këngëtares Asmahani dhe i siteve të mbrojtura nga UNESCO.

Dëshmitë më të vjetra të jetës të gjetura në Siri, shkojnë në 5000 vite para Krishtit dhe është një skulpturë gruaje. Ndër vendet më të rëndësishme të trashëgimisë përmenden: Teatri romak i Bosrës shek.II (në Busra al Sham), Kalaja e Alepos, Kisha e Shën Simonit në Alepo (viti 475), Xhamia e madhe e Damaskut ndërtuar pas vitit 634 (ku besohet se do të kthehet Isa-Jezusi, po këtu ka qenë bazilika e Gjon Pagëzorit), Tempulli i Bel në Palmira, varri i Abelit(djalit të Evës e Adamit) e jo vetëm. Damasku, i njohur si vendi i qytetërimeve njihet edhe për “shtatë portat e tij”, që janë shtatë porta hyrëse për në qytet, origjina e të cilave  shtrihet në periudhën romake. Damasku është qyteti i dytë më i madh i Sirisë, pas Aleppo-s.

Shtatë portat kanë emra të ndryshëm. E para, porta e Parajsës e ka marrë emrin për shkak të burimeve të shumta të ujit).  Porta e Paqes ishte një portë të cilën romakët ia kishin kushtuar hënës.  Porta e Thomait e mori emrin sipas një prej 12 apostujve të Jezu Krishtit. Pas kësaj porte është lagjja e krishterë me të njëjtin emër. Porta Bab Sharqi ose Porta e Lindjes dikur njihej edhe si porta e Diellit, ndërsa Porta “Kissan” e ndërtuar nga romakët, i qe kushtuar Saturnit, e mendohet se Shën Pali shpëtoi duke kaluar tek kjo portë, ndaj pranë saj është kisha e Shën Palit. Bab Al-Saghir ose “Porta e Vogël” është porta më e vogël e Damaskut. Pranë saj gjendet një varrezë e vogël ku prehen eshtrat e të afërmve të profedit Muhamed. E shtata është Bab Al-Jabiyah ose “Porta e përmes ujit” e njohur edhe si porta e Jupiterit.

Damasku u pushtua nga Perandoria Islame në shekullin e 7. Forcat e gjeneralit Ebu Ubejde ibn el Jarrah kanë hyrë në mënyrë paqësore përmes kësaj porte për në qytet dhe janë bashkuar me forcat e Khalid ibn al Velidit, i cili kishte hyrë në qytet përmes portës Bab Sharqi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *