Gjuha shqipe, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, me këtë titull i ftoi Shoqata e Miqësisë gjermano-shqiptare (DAFG) kureshtarët në Jena. Konferenca u zhvillua në 10-11.11 në ambientet e Universitetit Friedrich-Schiller.
Koncepti i menduar mirë nga organizatorët dhe cilësia e kumtesave mundësuan që harku kohor midis epokave të hidhej me sukses edhe brenda kohës së shkurtër në dispozicion për natyrën e temave. Ishte një zgjedhje jo rastësore që për të kaluarën e shqipes referuan në konferencë dy figura me të cilat identifikohet albanologjia dhe historiografia gjermane për Shqipërinë: Prof. Wilfried Fiedler dhe Dr. Michael Schmidt-Neke.
Studimet dhe analizat e tyre për shqipen dhe shqiptarët janë prej dekadash e deri sot pika të sigurta reference, si për profesionistë ashtu edhe për kureshtarë që duan të mësojnë në Gjermani dhe jashtë saj më shumë për botën shqiptare.
Zhvillimin e vrullshëm të shqipes në dekadat e fundit dhe perspektivat e mundshme të zhvillimit të saj, organizatorët kishin zgjedhur t’i trajtonin duke ftuar të referojnë nga njëra anë një mësues dhe një përkthyes dhe nga ana tjetër dy shkencëtarë të rinj: mësuesin e shqipes në Gjermani, Muhamet Idrizi dhe përkthyesin Vëllaznim Haziri si dhe gjuhëtarët e rinj: Dr. Henry Ludwig dhe Dr. Lumnije Jusufin.
“Çfarë do të thotë e gjitha kjo gramatikë për punën time të përditshme?” Kjo ishte pyetja që shtroi një vit më parë në një konferencë për çështje të gramatikës Dr. Robert Elsie, tregoi në bisedë me Deutsche Welle-n, Andreas Hemming, njëri nga organizatorët e konferencës dhe kryetari i Shoqatës së Miqësisë Gjermano-Shqiptare (DAFG).
„Kështu që ne vendosëm të mos kishim në konferencë vetëm gjuhën në pikëpamje shkencore, por edhe gjuhën në jetën e përditshme, pikërisht me mësimin në gjuhën amtare”, tha Hemming.
“SHQIPJA – NJË GJUHË E VEÇANTË”
Kumtesën e tij “Shqipja – një gjuhë e veçantë”, prof. Wilfried Fiedler e kishte konceptuar rreth tri boshteve kryesore: 1.shqipja si gjuhë indoevropiane 2. shqipja dhe gjuhët e tjera ballkanike dhe 3. dialektet dhe gjuha e shkruar, e kultivuar, shqipe.
Me një gjuhë të kuptueshme për spektrin e gjerë të dëgjuesve të konferencës, që shtrihej që nga kureshtarët për shqipen, tek mësimdhënësit, historianët dhe gjuhëtarët, prof. Fiedler u ndal te marrëdhëniet e shqipes me ilirishten. Ai tha se hipoteza që shqipja duhet të ketë lidhje me ilirishten u shpreh në krye nga filozofi, historiani e matematikani Gottfried Wilhelm Leibniz (1646-1717), me të cilin „fillojnë thuajse të gjitha në shkencën gjermane”. Ky mendim u mor më vonë edhe nga dijetari Johann Thunmann (1746-1778) dhe u fut në shkencë nga themeluesi i indogjermanistikës, Franz Bopp (1791-1867). Pra që prej themelimit indoevropianistika e krahasuar përfshiu edhe shqipen.
Prof. Fiedler u kujtoi të pranishmëve se me përjashtim të greqishtes, asnjë gjuhë e Ballkanit nuk ka dokumentim të pandërprerë deri sot, në mënyrë që të ndiqet në zhvillimin e saj. Në këtë kuadër, nga pak glosa dhe emra të rikonstruktuar vendesh nuk mund të thuhet „me siguri që idioma e quajtur ilirishte në antikitet është me të vërtetë gjuha paraardhëse e shqipes”. Por, kujtoi Fiedler, „pavarësisht se si quhej gjuha paraardhëse e shqipes, atdheu i saj ka qenë në mënyrë të vazhdueshme Ballkani”.
Një argument kryesor për këtë tezë janë elementët e greqishtes së vjetër në shqipe, si p.sh. pjepër, mokër.
Elementi i dytë i rëndësishëm është që shqipja nuk ka vetëm fjalë të përbashkëta me greqishten, por ka përbashkësi strukturore krejt të veçanta me gjuhët e tjera ballkanike. Përbashkësitë tipologjike vërehen ndër të tjera edhe në “zinxhirin ballkanik”: në radhitjen njëra pas tjetrës të fjalëve që nuk pranojnë ndërfutje elementësh të tjerë si p.sh. në fjalinë “Pa ndihmën e kolektivit, nuk do ta paskësh mbaruar dot”, ku “nuk do ta paskësh mbaruar dot”, në shqip nuk pranon asnjë ndërfutje elementësh të tjerë. Në gjuhët e tjera ballkanike ky togfjalësh është gjithashtu një i vetëm, megjithatë disa gjuhë ballkanike pranojnë edhe ndërfutjen e elementëve.
Konferenca për shqipen në Jena
Prof. Wilfried Fiedler kujtoi së treti faktin që kufiri i ndarjes së dialekteve të shqipes është i pranuar gjerësisht. Por në një kohë kur toskërishtja, kryesisht në pjesën jugore të Shqipërisë, ndonëse me nëndegë „paraqitet relativisht e njësuar, ndarja e gegërishtes është më e ndërlikuar”. Veç ndarjes në gegërishte veriore dhe gegërishte jugore, kemi edhe nëndegë të tjera. Prof.Fiedler tha se është një fakt që të tërheq vëmendjen që p.sh. gegërishtja verilindore, pra kosovarishtja, ka trashëguar pak dëshmi të vjetra me shkrim.
Ai tha se ndoshta gegërishtja jugore, për shkak të dallimeve më të vogla me toskërishten do të ishte përshtatur më mirë si gjuhë e përbashkët e shqiptarëve. Por edhe me këtë degë dialektore problemi kryesor për gjuhën standarde do të kishte mbetur: ekzistenca e paskajores në gegërishte. “Në mënyrë të çuditshme gegët mendojnë që pa paskajore në fakt as që mund të jetohet. Për këtë i mbështesim edhe ne evropianoqendrorët, sepse edhe ne themi: si mund të jetohet pa paskajore. Por njëkohësisht shtrojmë pyetjen: pse në Greqi ose në Bullgari nuk ka fare përpjekje për t’i futur paskajoret, që mund t’i futësh lehtë në gjuhët përkatëse?”, pyeti prof. Fiedler.
Më tej prof. Fiedler theksoi që gegërishtja jugore funksionoi si gjuhë e shkrimit, e përbashkët prej fundit të Luftës së Parë Botërore deri në vitin 1938. Por duhet thënë, tha ai „se për një kohë kaq të shkurtër janë relativisht pak gjëra që gjuhësia mund të kish ofruar me fuqinë e rregullave”.
Më tej ai shprehu pikëpamjen se shkrimi nga udhëheqësit komunistë partizanë në Luftën e Dytë Botërore të deklaratave kryesisht në toskërisht, por me elementë të gegërishtes, pati ndikim në praktikën e mëvonshme gjuhësore. Pas një diskutimi filologësh në Tiranë, në vitin 1952, gegërishtja kaloi edhe më qartë në plan të dytë. Ndërsa në Kosovë, pas vitit 1968 u vendos që të përdoret një gjuhë e përbashkët standarde me Shqipërinë, rregullat për të cilën u vendosën në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.
NORMËZIM I GJUHËS ME DEKRET NGA PUSHTUESI?
A është e mundur që gjuha e një vendi të normëzohet me dekret të pushtuesit, pyeti dr. Michael Schmidt-Neke në kumtesën e tij për punën e „Komisias Letrare Shqipe” që veproi në Shqipëri midis viteve 1916-1918?
Schmidt-Neke theksoi që me pushtimin e 20.000 metrave katrorë të territorit shqiptar në fillim të 2016-ës, monarkia Austro-Hungareze ndoqi edhe një politikë kulturore. Krahas akteve brutale si pushtues, austro-hungarezët mbështetën edhe përpjekjet për arsim. Për këtë ata ndërmorrën në dobi të shqiptarëve, që i shihnin si aleatë (në dallim nga qendrimi ndaj serbëve e malazezëve, gjithashtu të pushtuar prej tyre) , një hap të pazakontë: ata urdhëruan ngritjen e një Komisioni Letrar për përpunimin e gramatikës dhe të terminologjisë.
Zona e pushtimit austro-hungarez në Shqipëri
“Detyra e aktit të themelimit të Komisionit Letrar, në fuqi që prej 1 shtatorit 1916 ishte zhvillimi i një ortografie gjithëpërfshirëse të shqipes; zhvillimi i terminologjisë për drejtësinë, administratën dhe arsimin; hartimi i librave shkollorë”, tha Schmidt-Neke.
Komisioni përbëhej nga 17 vetë, por jo të gjithë këta anëtarë i ndoqën të gjitha 64 mbledhjet e Komisionit, që funksionoi deri në maj 1918. Komisionin e kryesonte Gjergj Pekmezi, me origjinë nga Pogradeci, i cili kishte formim gjuhësor. Anëtarë të njohur të Komisionit qenë ndër të tjerë, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, publicistë si Sotir Peci apo Sali Nivica; pedagogë me emër si Martin Logoreci apo Aleksandër Xhuvani nga Elbasani; poetë si Hil Mosi apo Ndre Mjeda.
Disa faktorë e penguan punën normale të Komisionit, kujtoi dr. Schmidt-Neke. Megjithëse një vit pas themelimit ai u ngrit në nivelin e një institucioni të varur nga Këshilli Administrativ Civil, anëtarët e tij punonin në mënyrë krejt honorofike. Përbërja e tij ishte e pabalancuar. Në të mbizotëronin njëanshmërisht gegët: nëntë prej anëtarëve qenë gegë, katër toskë, dy elbasanas. Veç tyre anëtarë qenë edhe dy të huaj: Rajko Nahtigal dhe Maximilian Lambertz.
E parë nga pikëpamja fetare, Komisioni me qendër Shkodrën përbëhej nga nëntë katolikë, katër ortodoksë dhe vetëm dy myslimanë. „Një aktivitet katolik-geg” që nuk e mbante parasysh shumicën myslimane të popullsisë së Shqipërisë, tha Schmidt-Neke.
Përbërja sipas dialekteve e Komisias Letrare Shqipe
Veç botimit të dorëshkrimeve të autorëve shqiptarë, vendimit për nxjerrjen e një reviste mujore letrare gjermanisht-shqip (nga e cila u botuan vetëm dy numra), Komisia Letrare kishte si detyrë edhe hartimin e një fjalori gjermanisht-shqip si dhe këshillimin e administratës shqiptare në çështjet terminologjike, sidomos juridike.
Pikërisht puna me terminologjinë, me rastin e botimit të përkthimit të ligjit të gjykatave të paqes (strukturë paralele civile me gjykatat ushtarake austro-hungareze), nxorri në pah edhe gjendjen e gjuhës shqipe në atë kohë.
“Duhet të jetë një rast i rrallë që një komision letrar i bashkangjit një botimi të një ligji, si ligji për gjykatat e paqes, dy faqe për vështirësinë e përkthimit. Pekmezi shpjegon…që në shumë raste kishte qenë shumë e vështirë gjetja e shprehjeve të duhura. Dhe prandaj qe vendosur që krahas termit shqip, të paraqitej edhe termi i vjetër osman me transkriptim latin. Ai lutet që për tekste të tilla në të ardhmen të bashkangjitet edhe terminologjia përkatëse evropiane: gjermanisht, frëngjisht, italisht”.
Por pyetja qendrore që çoi shpejt në shpërbërjen e Komisionit ishte mosdakordimi për kuptimin e synimin e punës: “çfarë duam ne në fakt: a duam të përkufizojmë një standard nacional për gjithë gjuhën, dhe nëse po, mbi ç’bazë, ndoshta edhe mbi ndonjë dialekt rajonal? Apo duhet pranuar dualiteti i gegërishtes dhe toskërishtes e të rrafshohen në terminologji dallimet më të mëdha dhe të zhvillohet një ortografi fonetike?” Kjo ishte çështja qe e bllokoi punën e Komisionit.
Propozimi që si bazë për gjuhën e përbashkët të merrej dialekti i Elbasanit (propozim i bërë edhe më parë), hasi në kundërshtimin e vendosur ndër të tjera të Maximilian Lambertzit (1882-1963), i pasionuar pas gegërishtes së Gjergj Fishtës. Zhvillimet më të gjera, ecuria e Luftës së Parë Botërore jo në dobi të Austro-Hungarisë ndikuan në punën e Komisionit. Nga librat shkollorë që do të hartonte Komisioni, u botua vetëm një dhe ai më 1920. Disa muaj pas shpërndarjes së Komisionit, në maj 1918 austro-hungarezët i larguan trupat nga Shqipëria. “Ajo që pasoi ishin dy dekada pa një politikë të organizuar gjuhësore në Shqipëri,” tha në fund dr. Michael Schmidt-Neke.
SHQIPJA – ÇFARË TË TËRHEQ TE AJO
Më parë, shefi i Katedrës së Sllavistikës Jugore në Universitetin Friedrich-Schiller të Jenës, Prof. dr. Thede Kahl, u pati treguar të pranishmëve në konferencë përshtypjet e tij nga ekspeditat gjuhësore edhe në rajonet shqipfolëse në Ballkan.
Një vend gjeografikisht kompakt me një gjuhë misterioze si shqipja më tërhoqi shumë, tha prof. Kahl. Në projektin e tij për “Barinjtë në kontakt, ndryshimet në gjuhë dhe kulturën e ish-barinjve shëtitës” ai ka analizuar edhe fjalë shqipe. Mbi bazën e evoluimit të disa profesioneve si p.sh. “hamall” apo “salepçi” te shqiptarët, prof. Kahl u ndal te zhvillimet kulturore.
Përpunimin e terminologjisë gramatikore në gjuhën shqipe ai e paraqiti në disa hapa, deri te propozimet e Sami Frashërit dhe të afëria e tyre me termat e sotëm gramatikorë të shqipes.
Prof.Kahl, si mikpritës i konferencës në ambjentet e Universitetit Friedrich-Schiller në Jena i informoi të interesuarit edhe për mundësitë për të studiuar gjuhën shqipe në kuadër të kurseve për Bachelor e Master për Evropën Juglindore në Universitetin e Jenës.