Aurora Sulce, Ekonomix.al
Shqipëria kryeson në rajon, si vendi me nivelin më të thellë të pabarazisë. Është ky përfundimi i qendrës studimore, Altax që ka publikuar raportin “Barra tatimore në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan” për vitin 2017. Sipas të dhënave, nga treguesi i Indeksit GINI në Ballkan, vërehet një pabarazi më e lartë të ardhurash për Shqipërinë (0.41) dhe Kosovën (0.41). Në vend të dytë pasohet nga Bosnja (0.40). Në vend të tretë është Maqedonia (0.39), e pasuar nga Rumania (0.37), Mali i Zi (0.36), Bullgaria dhe Serbia (0.35) dhe me pabarazi të ardhurash më të ulët në Ballkan janë Greqia dhe Kroacia (0.32).
Studimi tregon se 10% e popullsisë që konsiderohet edhe si shtresa e pasur e vendit ka rritur konsumin me 14% më shumë në 5 vitet e fundit krahasuar me segmentet e tjerë të popullsisë
“Kur shikojmë situatën e shpërndarjes së të ardhurave në Shqipëri, nëpërmjet nivelit të konsumit familjar shikohet një rritje relative e pabarazisë në raport me 5 vite më parë (GINI, 0.29). Konsumi mesatar familjar, sipas INSTAT për segmentin e 10 përqindëshit të pasur ka patur një rritje prej mbi 14% në krahasim me pjesën e segmenteve të tjera të popullsisë. Por, kjo e dhënë nuk mund të argumentojë gjithë treguesin e pabarazisë, pasi indeksi GINI ndikohet edhe nga elementë të tjerë”, theksohet në raport.
Si ndikoi taksa progresive?
“Nëse fokusohemi te rishpërndarja e të ardhurave sipas barrës fiskale dhe tipit të taksave të aplikuara mund të thuhet se barra e taksave tregon pak progresivitet në rishpërndarjen e të ardhurave sipas zonave gjeografike dhe segmenteve të punëmarrësve sipas sektorëve ekonomikë, pasi vetë zhvillimi i sektorëve ekonomikë dhe zonave gjeografike ka diferenca historike, ekonomike, kulturore, edukative dhe ambjentaliste, pa dashur të jemi shteruesë në përmendjen e faktorëve”, shpjegojnë ekspertët e Altax.
Duke u fokusuar tek rasti i Shqipërisë për tatimin progresiv mbi pagat, vërehet se prej vitit 2014 progresioni i tatimit mbi pagat ka zvogëluar pabarazinë e vërejtur në të ardhurat bruto dhe neto të raportuara. Ndryshimi i progresivitetit në shkallët e sipërme të taskimit të pagave është më efektiv në uljen e pabarazisë sesa ndryshimet e ngjashme në fundin e shkallës së të ardhurave. “Megjithëse nuk është e mundur të gjenden të dhëna për secilin vend të Ballkanit, në mënyrë eksplicite ky konkluzion mendojmë se është gjithashtu i qëndrueshëm edhe për Ballkanin.
Për shkak se evazioni fiskal është kaq i përhapur në vendet e Ballkanit, rezultatet e treguesve të barrës dhe produktivitetit tatimor nga gjetjet e studimit mund të qartësojmë se vendet e Ballkanit përballen me kosto më të ulëta të efikasitetit në drejtim të ngushtimit të pabarazisë nëpërmjet taksave”, thekson raporti. Sipas Altax, kjo situatë kërkon programim specifik të veprimeve në terren me objektivin afatshkurtër, që të ngushtohet niveli i lartë i evazionit fiskal, pasi kjo qasje bie një ndikim më të shpejtë dhe të prekshëm në drejtim të barazisë në të ardhurat.