Shqipëria-afër islamit, larg terrorizmit

Nga Jonida Hitoveizi
Shqipëria, e cila njihet për popullsinë e saj me shumicë të besimit islam, mbetet një oaz interesant i bashkëjetesës fetare, por edhe i myslimanëve modern, të cilët kulturalisht i përkasin perëndimit.

Sulmet e muajit të shkuar në Bruksel, kthyen edhe njëherë në vëmendjen e gjithë Europës rrezikun që i kanoset sigurisë së qytetërimit të saj nga elementë radikal. Dhe nga ky rrezik askush nuk është i mbrojtur, asnjë vend apo asnjë komb, i cili ka përqafuar vlerat e lirisë dhe demokracisë.
Ashtu siç po ndodh me shumicën e vendeve, edhe Shqipëria i trembet sulmeve të tilla edhe pse rreziku duket disi më i largët. Vet kryeminsitri Edi Rama i pyetur për këtë çështje së fundmi në një televizion shqiptar, deklaroi se Shqipëria nuk është e përjashtuar nga terrorizmi, por as nuk është para ndonjë rreziku të veçantë.
Ajo që i kthen sytë shpesh nga Shqipëria është fakti se vendi njihet për shumicën e popullsisë, që i përket besimit mysliman dhe për harmoninë unike fetare në vend. Vitet e fundit në Shqipëri është vënë re një shtim i praktikantëve të kësaj feje, madje ka lulëzuar edhe hapja e shumë xhamive, ku disa prej tyre janë jashtë juridiksionit të Komunitetit Mysliman. Ishin pikërisht këto xhami problematike, të cilat kanë radikalizuar ata shqiptarë që kanë shkuar të luftojnë në Siri duke iu bashkangjitur celulave të ndryshme terroriste.
Megjithatë për ekspertët e sigurisë në vend, luftëtarët që kanë shkuar në Siri dhe luftojnë aty nuk përbëjnë një rrezik potencial për Shqipërinë për disa arsye.

308b6beb-2254-4e10-8845-b34d4da7a126

Dr. Fabian Zhilla, Expert i sigurisë publike, Canadian Institute of Technology, thotë për revistën serbe Zurnalist, se trevat shqiptare dhe sidomos Shqipëria janë nga shtetet më pak të ekspozuara nga sulme të ISIS. Kjo sipas tij për disa arsye thelbësore:
Së pari aspekti kulturor e bën të vështirë që shqiptarët të kryejnë një akt terrorist në vendet e tyre…ata janë muslimanë autoktonë europianë…pra kulturalisht dhe nga pikëpamja fetare janë pjesë integrale e kulturës europiane. Ka një fakt shumë të rëndësishëm që megjithëse aktet terroriste me motive fetare kanë njohur një përshkallëzim në Europë vitet e fundit sot nuk asnjë të dënuar as për tentativë për kryerjen e ndonjë akti terrorist.

Së dyti, faktorët shtytës të individëve që janë angazhuar me ISIS në Europë ndryshon kryekëput me faktorët shtytës të Shqiptarëve të cilët kanë shkuar dhe luftuar në Siri. Ndërsa në rastin e” homegroën terrorist” në Europe faktorët lidhen me mungesën e integrimit, përkrahja e ISIS u mbështet në teza politike (përplasja e civilizimeve), Islami kundër Perëndimit, përkrahja e Shqiptarëve ishte kryesisht e natyrës humanitare. Vlen të theksohet se mbi 60-70% e shqiptarëve janë kthyer menjeherë në 3 muajt e parë të vajtjes së tyre në Siri për shkak të zhgënjimit. Dhe ka prej tyre që janë vrarë pse kanë refuzuar doktrinën dhe mjetet e ISIS.
Së treti, lidhjet familjare dhe tradita e mirë e bashkëjetesës fetare kanë luajtur një rol parandalues të rëndësishëm.

Familja për fat të mirë është një institucion autoritar në jetën e individit dhe në këtë rast familja ka qënë një filtër i rëndësishëm për parandalimin e radikalizmit.
Së katërti, klerikët shqiptarë kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe aktiv në parandalimin dhe sqarimin e doktrinës së ISIS e cila është një ideologji e kundërshtuar botërisht nga kleri musliman. Sot ka një vetëdije të artikuluar publikisht nga hoxhallarët shqiptarë e mbeshtetur në argumenta fetare që ajo që bën ISIS është plotësisht në kundërshtim me qëllimet dhe objektivat e fesë islame”, argumenton Zhilla.

Megjithatë faktorët e riskut nuk përjashtohen. Për ekspertin e sigurisë, Fabian Zhilla ata më të rëndsishëm janë faktorët e jashtëm që lidhen me pozitën gjeopolitike të shqiptarëve dhe Shqipërisë në Ballkan.

“Konfliktet me baza etnike dhe fetare janë ende të freskëta në Balkan.Prej vitesh janë artikuluar teza nga fqinjët tanë se shqiptarët për shkak të besimit të tyre që në shumicë është mysliman, janë një rrezik për Europën. Dhe rasti akteve terroriste të kryera kinse për llogari të ISIS mund të shfrytëzohet fare mirë për të destabilizuar shqiptarët të cilët luajnë një rol kryesor për stabilitetin dhe paqen në Balkan. Sot shtete me interesa të mëdha gjeopolitike, por jo shumë miqësore ndaj shqiptarëve po investojnë në diplomaci dhe media duke ju mëshuar tezave të një ekstremizmi islamik në rritje tek shqiptarët dhe rrezikut që ata paraqesin për paqen në Europë”, – thekson Zhilla.

Rreziku i kthimit të luftëtarëve nga Siria
Prej rreth 100 shqiptarëve që kanë shkuar të luftojnë në Siri, shumë janë kthyer pranë famlijeve të tyre, ndërsa mesa tyre qe kanë shkuar në luftë ka patur edhe të vdekur. Ata që janë kthyer kanë treguar në media, se kanë shkuar me idealizëm, por ajo që kanë parë atje i ka trembur dhe janë kthyer sërish në atdhe. Familjet shqiptare pasi kanë parë atë që ndodh përmes lajmeve, u kanë bërë thirrje të afërmeve të tyre që të kthehen në shtëpi, pasi bijtë apo burrat e tyre nuk kanë kurrëfarë lidhje me këtë luftë apo dhe me vet islamin, duke denoncuar jo pak herë se të afërmit e tyre janë mashtruar apo u është bërë shplarje truri.
Të njëjtën gjë pohon edhe Fabian Zhilla, i cili thotë se “Shqiptarët që janë kthyer nga Siria dhe ata që luftojnë janë të gjithë të evidentuar dhe në monitorim nga agjencitë ligjzbatuese. Ata të cilët janë kthyer kanë një sjellje mjaft korrekte dhe nuk kanë sjellë asnjë shqetësim. Ka prej tyre, sic është rasti në Kosovë, të cilët kanë dalë publikisht dhe kanë denoncuar agjendën e ISIS”.
Ai shton se shteti shqiptar, duhet të krijojë kushtet këtyre personave që të riintegrohen në shoqëri.

Besimtarët shqiptarë: ISIS nuk përfaqëson islamin
Shqipëria njihet sa për tolerancën fetare, po aq edhe për numrin e madh të popullsisë së saj myslimane. Klerikët myslimanë shqiptarë në të gjitha rastet e kanë distancuar besimin e tyre nga çdo lloj akti terrorist dhe të njëjtën thirrje u kanë bërë të gjithë shqiptarëve që besojnë në islam.

naci

Elvis Naçi, i cili është Drejtor i thirrjes Islame ne Komunitetin Musliman Shqipetar, thotë së ai së fundmi po i mëshon predikimit gjithnjë e më tepër katër pikave në islam të cilat sipas tij janë shtylla e këtij besimi dhe që nxitin paqen. Nga ku më kryesorja sipas tij është fakti se askush që kryen akte të dhunshme në këtë jetë nuk mund të arrijë parajsën.
Parajsa në botën tjetër quhet në Kuran vendi i paqes, eshtë e pamundur të hyjë në vendin e paqes nje i dhunshëm, ekstremistë apo terroristë. Muslimani i vërtetë dhe i sinqertë ecën me moton Profetike. : ” duaje për njerëzit atë qe do për vete qe të quhesh Musliman”, thekson Naçi.

Entela, e cila falet pesë herë në ditë thotë për Zurnalist se “Nëse Isis do te ishte feja ime, ju siguroj qe do te hiqja dore nga feja. Si nje lexuese e Kur’anit nuk kam marre kurre mesazhe qe të më identifikojnë me anëtarët e Isis. Feja ku unë besoj nuk predikon vrasje, aq më keq me vrasjen e grave, fëmijëve dhe pleqve, që në raportet e sulmeve terroriste është shokuese. Personat që janë anëtarë rë grupeve terroriste si ISIS besoj se u është bërë shpëlarje trur dhe janë mësuar keq. Islami është feja e paqes, madje ajo nuk kërkon si lypëse njerëzit për të besuar në islam. ( nuk imponohet) Unë ndihem sa myslimane aq edhe qytetare perëndimore, sepse kështu jam rritur dhe jam edukuar me këto vlera”.
Ndërsa Kreshnik Osmani, i cili ka studiuar islamin e është po ashtu praktikant i kësaj feje, thotë se poshtëron çdo aksion të përgjakshëm që bëhet kundër njerëzimit.
“Në cilësinë e një myslimani, banor i lagjes shpesh të harruar, shpesh të nëpërkëmbur dhe shpesh të trazuar të Europës ballkanike. Në cilësinë e një muslimani të lidhur fort pas Mekës se Muhamedit dhe Betelehemit të Mesisë, me të njëjtën fuqi pasioni me të cilën jam i lidhur pas Shqipërisë time, pas Francës, Belgjikës e Turqisë, urrej aktet ç’njerëzore të dorës së zezë që nuk ka as fe as Zot. Në cilësinë e një shqiptari që firmos po aq vite lashtësi sa çdo europian tjetër, ndihem i goditur, ndihem i vrarë, ndihem i përgjakur në çdo cifël të memories, të përkatësisë dhe të identitetit tim europian. Nga unë, Iliri në origjinë, shqiptari në kombësi, europiani në kulturë, myslimani në religjion dhe univesalisti në princip, për të gjithë ata që do të lexojnë këtë mesazh kam nje urim: “Paqja, Begatia dhe Përkujdja e Zotit qoftë mbi të gjithë ju”.

osmani

Po ashtu besimtarët myslimanë shqiptarë, ashtu si çdo individ tjetër, pavarësisht besimit shprehen se ndihen të frikësuar nga akte të tilla dhe fakti që janë besimtarë muslimanë nuk i bën më shumë të mbrojtur.
Entela thotë se frikësohet nga çdo akt që në thelb të tij ka terrorin pasi të çmendur ka plot.
“Frikë? Mundet! Është shumë kollaj që të dërgohet një person si turist për të marrë në Shqipëri “arsenalin” e bombave edhe mund të hedh në erë ku ai dëshiron”, por kjo mund të ndodhë kudo pohon ajo.
Ndërsa Kreshnik Osmani besoj se terrorizmi duhet të mundet duke i thurur laved jetës dhe jo duke propaganduar të kundërtën.
“Asnje vend nuk është sot imun ndaj terrorit. Të gjithë jemi të ekspozuar ndaj dinakërisë që godet rrufeshëm dhe merr jetë njerëzish befasisht. Sa herë që dora e zezë e terrorit të godasë, prej brumit të dhimbjes le të gatuajmë këngën e jetës, le të thurim planet tona të sigurisë. Ky është i vetmi plan që garanton për politikat e terrorit dështim”, thotë Osmani për Zurnalist.

Pavarësisht besimeve të ndryshme, ajo çfarë i bashkon shqiptarët është gjuha dhe kombësia shqiptare. Ata  e identifikojnë veten si shqiptarë, jo si katolik apo myslimanë. Dhe ky fakt, që citohet shpesh si çelësi i harmonisë fetare dhe i bashkekzistencës, tani duket se është arsyeja kryesore pse shqiptarët e distancojnë veten nga çdo lidhje me aktet terroriste, edhe kur terrori në disa raste përdor librin e shenjtë të Kuranit. Ky është një mesazh i madh, që vjen nga një vend i vogël, i cili  po përpiqet të arrijë familjen e madhe të BE-së. Një mesazh, i cili u përcoll qartë gjatë vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, ku në shesh dolën më shumë myslimanë sesa katolik për të marrë bekimin e tij. ( Shkrimi është botuar në revistën serbe, Zurnalist)

 edited_1459950439402

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *