Shpëtoni librin! Eshtë pllaka jonë e Rosetta-s

Nga James Bradburne

Nuk është aspak e pazakontë që ndryshimet teknologjike dhe ato në tendencat kulturore, të sjellin zhdukjen e objekteve që një herë e një kohë kishin një identitet dhe funksion të saktë, në përditshmërinë tonë. Lista e instrumentave të lënë pas e të bërë të panevojshëm nga progresi teknologjik është e gjatë: këndmatësi, astrolab-ët, riga llogaritëse – deri edhe skedari rrotullues – të gjithë instrumenta, funksionet e të cilëve sot krhyen me efiçencë më të lartë, nëpërmjet teknologjive të reja.

Po libri, a është edhe libri i destinuar që të zhduket? E ardhmja e librit duket e varur në një fije shumë të hollë. Nga njëra anë, libri që të gjithë ne e njohim – dorëshkrimi – mishëronte në kohën e vet një revolucion teknologjik që, duke lënë mënjanë miliona rrotulla papirusi, kishte dorëzuar në honet e harresës të gjithë ata tekste që kishin mundur të kryenin kalimin, nga ruli tek kodi. Në botën e sotme, libri gjendet përballë presioneve të reja, duke qenë se informacionet përcillen më shpejt në formë digjitale në internet, duke kaluar nëpër motorrë kërkimi si Google, që me shpejtësi është duke u transformuar në një prej shteteve transkombëtare më të rëndësishme të planetit. Kjo mund të jetë në realitet një gjë e mirë; në fund të fundit, është shumë më e thjeshtë të vendosësh Fletët e Verdha në rrjet, se sa t’i marrësh në shtëpi, në formën e letrës së shtypur. Ebook, Kindle e madje edhe pdf-të e shkarkuara në kompjuter sot, ofrojnë një sistem të rehatshëm dhe përmbajtje për të patur qasje në informacione, në letërsi, e madje edhe në dije.

Nga ana tjetër, libri i shtypur zotëron cilësi që mund ta shpëtojnë. Mbi të gjitha, libri është “i fuqishëm” nuk është gjë tjetër veçse shkrimi i dukshëm në një sfond kontrasti, i cili, ashtu si e ka demonstruar pllaka e Rossetta-s, mund të gjendet edhe pas disa mijëvjeçarësh, nëse do të mbijetojnë fjalorët korrespondues. Teknologjia digjitale, e lindur prej konvergjencës rastësore të matematikës, teknologjisë industriale dhe silicit me kosto të ulët – është e datueshme në një moment të caktuar historik – nuk ofron asnjë garanci për t’u rigjetur në të ardhmen, nëse do të ndodhte edhe ndërprerja më e vogël në transmetimin e dijes për më shumë se tre breza, gjë që leximi i historisë na e konfirmon si gjë që mund të ndodhë.

Së dyti, librat janë objekte fizike, me peshë, qëndrueshmëri dhe aromë. Kjo do të thotë që të gjithë librat plaken, duke marrë me vete gjurmët e kalimit nga një dorë në tjetrën. Identiteti i një libri është unik, edhe pse flasim për një ekzemplar të vetëm, mes miliona kopjeve të shtypura. E vështirë të besojmë se do ua lëmë tabletët tanë të dashur si trashëgimi nipërve. E ardhmja e librit nuk është e garantuar, por libri është shumë i rëndësishëm për t’u dënuar me harresë. / La Lettura – bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *