Shoqata Botërore e Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve: Kthejani “Zaman” pronarëve

Shoqata Botërore e Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve, përmes një letre dërguar Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, i ka bërë thirrje këtij të fundit që t’ua kthejë gazetën “Zaman” botuesve të saj. Shoqata Botërore e Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve, WAN-IFRA, e cila numëron rreth 18 mijë gazeta dhe televizione, 15 mijë portale dhe 3 mijë kompani të mëdha mediatike në 120 vende të botës, në letrën dërguar Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan thekson se me sekuestrimin e të përditshmes “Zaman”, qeveria turke ka shkelur hapur marrëveshjet ndërkombëtare. Letra, e cila mban firmën e Presidentit të Shoqatës Botërore të Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve, Tomas Brunegård dhe Presidentit të Forumit Ndërkombëtar të Editorëve, Marcelo Rech nënvizon faktin se pas sekuestrimit të të përditshmes “Zaman” fshihen qëllime politike. Sipas tyre, sekuestrimi i gazetës është në shkelje të pikës 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Shkëlqesisë së Tij, Recep Tajjip Erdoğan
President i Republikës së Turqisë
CUMHURBASKANLIGI KÜLLIYESI
06560 BESTEPE
ANKARA

Dërguar me Email dhe Fax
8 March 2016

Shkelqësia Juaj,

Ju shkruajmë në emër të Shoqatës Botërore të Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve (WAN-IFRA) dhe Forumit Ndërkombëtar të Editorëve, të cilat përfaqësojnë 18 000 gazeta dhe televizione, 15 mijë faqe online dhe mbi 3 000 kompani mediatike në më shumë se 120 vende të botës, për të shprehur indinjatën tonë të thellë për vendimin e gjykatës për sekuestrimin e gazetës “Zaman”.

Më datë 4 mars një gjykatë e Stambollit vendosi që gazeta “Zaman”, e përditshmja më e madhe e Turqisë, me një tirazh me mbi 650 000 kopje, të drejtohet nga administratorë të deleguar. Gjykata nuk ka paraqitur asnjë argument në vendimin e saj kundër të përditshmes.

Më datë 5 mars, numri i fundit i gazetës në pronësi të pronarëve të saj, theksonte se shtypi në Turqi kishte parë një nga “ditët tij më të errëta”. Ndërkohë numri i parë nën drejtimin e administratorëve të rinj, me datë 7 mars kishte në përmbajtje të tij një sërë artikujsh pro-qeveritarë. Një gazetë e krijuar nga ish-stafi i gazetës “Zaman” botoi numrin e saj të parë me datë 6 mars.

Policia bastisi zyrat qëndrore të gazetës “Zaman” në Stambill në orët e pasdites së datës 4 mars, vetëm pak orë pasi gjykata vendosi sekuestrimin e gazetës dhe caktimin e administratorëve shtetërore, por drejtuesit e saj i kishin të gjitha mundësitë për të botuar numrin e ditës së shtunë. Për shpërndarjen e mbështetësve të gazetës “Zaman”, të mbledhur para godinës qendrore me datë 5 mars është përdorur gaz lotsjellë dhe ujë me presion. Gazetarëve me datë 5 mars u është mohuar qasja në serverat e gazetës, ndërsa kryeredaktori i gazetës, Abdulhamit Bilici u shkarkua nga puna po atë ditë.

Jemi seriozisht të shqetësuar se zëvendësimi i pronësisë së gazetës “Zaman” dhe ndryshimi i menjëhershëm i linjës editorial, nga një qëndrim gjerësisht kritik i qeverisë në një qëndrim mbështetës, është dëshmi e një kontrolli politik të një gazete private. Kjo është veçanërisht alarmante, duke patur parasysh se një veprim i tillë vjen pikërisht në një kohë kur liria e shtypit në vendin Tuaj është përkeqësuar seriozisht dhe për të cilën Ju jemi adresuar dhe në disa raste të tjera, rasti më i fundit është ai i 25 tetorit 2015.

Me respekt, Ju kujtojmë se sekuestrimi i gazetës “Zaman” për qëllime politike është qartësisht në shkelje të të drejtës për lirinë e shprehjes, e cila është e garantuar nga një sërë konventash ndërkombëtare, duke përfshirë dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Pika 19 e kësaj deklarate thotë: “Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe pёrhapjes së informacionit dhe ideve me çfarëdo mjetesh, pa marrë parasysh kufijtë”.

Me respekt, Ju bëjmë thirrje që të ndërmerrni të gjitha haput e duhur dhe të garantoni që gazeta “Zaman” do t’u rikthehet pronarëve të saj privatë dhe që administratorët të respektojnë lirinë e stafit editorial për të përcaktuar linjën editoriale të gazetës. Kërkojmë që qeveria Juaj të respektojë plotësisht angazhimet e saj ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.

Mbetemi në pritje të jë përgjigjeje nga ana Juaj në momentin Tuaj më të përshtatshëm.

Sinqerisht,

Tomas Brunegård
President
Shoqata Botërore e Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve

Marcelo Rech
President
Forumit Ndërkombëtar të Editorëve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *